Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njoftoi se ka zyrtarizuar kandidaturat për 11 kryetarë komunash, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
AAK-ja njoftoi të enjten se në Gjilan do të kandidojë për kryetar Nazim Gagica, në Prizren Besnik Krasniqi, në Feirizaj Xhemile Murati, në Mitrovicë Qazim Nimani, në Kamenicë Faton Jakupi, në Istog Ukë Blakaj, në Junik Agron Kuçi, në Fushë-Kosovë Vildane Latifi, në Podujevë Baki Feta, në Viti Labinot Bislimi e në Lipjan Ilir Tasholli.
Kjo parti bëri me dije se ditëve në vijim do t’i zyrtarizojnë edhe kandidaturat për komuna të tjera, derisa tha se “procesi po zhvillohet me ritëm të mirë në shumicën e komunave”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë në Prishtinë me deputetin Bekë Berisha.
“Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm u informuan nga z. Muharrem Nitaj, përfaqësues i AAK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në lidhje me ndryshimet në Rregulloren për Zgjedhjet, e cila përfshin edhe procedurat për votimin nga jashtë vendit. Po ashtu, z. Pal Lekaj, kryesues dhe z. Besnik Tahiri, paraqitën një përmbledhje të përgatitjeve organizative për zgjedhjet lokale të vitit 2025”, thuhet në njoftimin e AAK-së në Facebook.