Janë 12 komuna, të cilat kanë treguar performancë të lartë në fushën e energjisë, e të cilave do t’iu ndahen 7.7 milionë euro këtë vit, ka njoftuar ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav. E drejtori për Evropën Lindore në “Helvetas”, Matthias Herr, tha se forcimi i qeverisjes lokale ka rëndësi të madhe për Kosovën
Saktësisht 7.7 milionë euro do t’i përfitojnë këtë vit 12 komuna që kanë treguar performancë të lartë në fushën e energjisë, tha të mërkurën ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Orav u shpreh se grantet e performancës lokale përforcojnë qeverisjen e nivelit lokal.
“Mendoj se këtu është mundësia për të theksuar pse BE-ja ka investuar në këtë nismë, sepse grantet e performancës komunale dëshmojnë se përmirësojnë qeverisjen në nivelin lokal. Ato shtrihen përtej investimeve kapitale në nivelin komunal. BE-ja, bashkë me Zvicrën dhe Suedinë thekson rëndësinë e trajtimit të drejtë të të gjitha komunave. Të gjitha fondet, të mundësuara nga donatorët, duhet të transferohen drejtpërdrejt te komunat. Në këtë mënyrë, komunat mund të menaxhojnë burimet në përputhje me prioritetet e tyre”, ka thënë Orav.
E drejtori për Evropën Lindore në “Helvetas”, Matthias Herr, e konsideroi të rëndësishëm forcimin e qeverisjes lokale për të ardhmen evropiane të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që forcimi i qeverisjes lokale të jetë jo vetëm një prioritet i brendshëm, por gjithashtu thelbësor për të ardhmen evropiane të Kosovës. Transparenca e fortë dhe e përgjegjshme e komunave, janë çelësi për përmbushjen e shumë kërkesave të procesit të anëtarësimit në BE. Përparimi në nivelin lokal është përparim për Kosovën si një tërësi në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.
Komunat përfituese të grantit të performancës komunale janë: Dragashi, Drenasi, Istogu, Juniku, Kaçaniku, Klina, Lipjani, Mamusha, Mitrovica e Jugut, Parteshi, Prizreni e Suhareka.