Spekulimet e ditës

Transferimet: Barcelona refuzon ofertën për Raphinhan

Transferimet

Në këtë hapësirë mund të përcillni spekulimet e raportimet më të fundit lidhur me transferimet e futbollistëve në tregun ndërkombëtar për të martën.

 

Inacio mund të transferohet te Liverpooli

Mbrojtësi Gonçalo Inacio pritet të jetë përforcimi i parë i skuadrës së Liverpoolit në afatin kalimtar të verës, ka njoftuar “Football Insider” të martën.

Mësohet se Liverpooli ka ofruar 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e portugezit, që është pjesë e Sportingut të Lisbonës. Liverpooli llogaritet favorit para Tottenhamit dhe Manchester Unitedit, skuadra që gjithashtu kishin shprehur më herët interesim për transferimin e Inacios.

Inacio me Sportingun ka kontratë deri në vitin 2027. Ai prej vitit 2020 është pjesë e ekipit të parë të Sportingut dhe këtë edicion në 42 paraqitje ka shënuar katër gola dhe ka bërë një asistim.

Me Portugalinë ka gjashtë paraqitje dhe dy gola të shënuar.


Newcastle interesohet për Sheshkon

Newcastle Unitedi është duke shqyrtuar mundësinë e transferimit të sulmuesit të RB Leipzigut, Benjamin Sheshko, shkruan të martën mediumi anglez “Team Talk”.

Newcastle ka dërguar skautë për ta vëzhguar sllovenin në ndeshjet e mbetura në Bundesligë.

Për futbollistin slloven kanë shprehur interesim edhe skuadra si Manchester United dhe Chelsea.

20-vjeçari te RB Leipzigu u transfeura nga Salzburgu në vitin e kaluar për 24 milionë euro.

Ai në 37 paraqitje këtë edicion me fanellën e Leipzigut ka shënuar 13 gola dhe ka bërë dy asistime.

Për përfaqësuesen e Sllovenisë ka shënuar 11 gola në 27 ndeshje.


Barcelona refuzon një ofertë për Raphinhan

Një skuadër e Premier Leagues të martën ka dërguar ofertë zyrtare prej 60 milionë eurosh te Barcelona për sulmuesin Raphinha, raporton BBC.

Mësohet se skuadra katalonjase e ka refuzuar atë ofertë. Emri i klubit që bëri ofertën nuk është zbuluar.

Te Barcelona janë të kënaqur me formën në të cilën po kalon braziliani këtë edicion. Në rast të shitjes, gjiganti spanjoll kërkon që të fitojë së paku 80 milionë euro nga Raphinha.

Vlera aktuale e brazilianit në treg, sipas faqes së specializuar “Transfermarket”, është 50 milionë euro.

27-vjeçari ka kontratë deri në verën e vitit 2027.

Te Barcelona u transferua në vitin 2022 nga skuadra e Leeds United për 45 milionë euro.


Amrabat në radarin e Milanit

Mesfushori Sofyan Amrabat që prej transferimit te skuadra e Manchester Unitedit nuk ka mundur që ta gjej formën më të mirë.

Marokeni pritet të largohet nga Unitedi në fund të edicionit. Ai dëshiron aventurë të re në karrierë.

Së fundmi skuadra e Milanit është interesuar për shërbimet e 27-vjeçarit, shkruajnë të martën mediumet në Itali.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, është duke menduar që ta forcojë skuadrën për edicionin e ardhshëm në Seria A.

Amrabat po vlerësohet si një transferim ideal për klubin kuqezi.

Mesfushori i cili vlerësohet 22 milionë euro, këtë edicion me fanellën e Unitedit ka 23 paraqitje.