Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Supplément culturel

Xhafa : L'art ne peut être mis au service du nationalisme

Xhevdet Xhafa

Xhevdet Xhafa: “Vij nga një vend ku njerëzit kanë jetuar mes vuajtjes, rezistencës dhe mbijetesës, kjo nuk është thjesht historia, por një gjendje që vazhdon të pulsojë në jetën e përditshme. Pikërisht kjo përvojë ka qenë një nga burimet më të thella të mendimit tim artistik” (Foto: GKK)

“Sa i përket nacionalizmit, arti nuk duhet të vihet në shërbim të tij. Nacionalizmi shpesh kërkon një identitet të mbyllur, të pastër dhe të kontrolluar, ndërsa arti, në thelb, është i hapur, i përzier dhe me lëvizje të vazhdueshme. Është një hapësirë ku identitetet nuk ruhen, por vihen në pikëpyetje ku ato takohen, përplasen dhe transformohen”, thotë akademik Xhevdet Xhafa në këtë pjesë të dytë të intervistës me kuratorin e njohur botëror Hans Ulrich Obrist të realizuar me rastin e ekspozitës retrospektive të Xhafës, “Still Running” në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Sipas tij roli i artit sot është pikërisht ta mbajë të hapur hapësirën e dialogut

Hans-Ulrich Obrist

Si ishte në Lubjanë? A mund të më tregosh për disa nga kujtimet e tua të rëndësishme të asaj periudhe?

Xhafë: Gjithmonë kam pasur një respekt të thellë për profesorët e mi, veçanërisht për Gabrijel Stupicën. Ai nuk ishte vetëm një piktori i madh, por një mendje që të detyronte të mendoje përtej teknikës. Në praninë e tij kuptova se arti nuk është thjesht një ushtrim formal, por një mënyrë për t’u përballur me ekzistencën. Ai më mësoi se piktura nuk fillon nga dora, por nga mendimi. Pikërisht në atë periudhë fillova ta kuptoja artin si një formë filozofie, jo si një sistem teorik, por si një proces që lind nga përvoja, nga me materialet dhe nga vetë jeta. Për mua, arti u bë një hapësirë ku mendimi dhe ndjenja bashkëjetojnë, ku përmes formës përpiqesh ta kuptosh botën.

Studimet e mia në Lubjanë ishin një pikë kthese e rëndësishme në këtë drejtim. Atje u përballa për herë të parë me një frymë kulturore më të hapur, me ide që i kapërcenin kufijtë e traditës vendase. Për një student që vinte nga Kosova, kjo nuk ishte vetëm një përvojë akademike, por një zhvendosje e thellë në mënyrën e të menduarit. Nuk bëhej më fjalë vetëm për teknikë, por për zgjerimin e vetëdijes.

Edhe pse gjuha nuk ishte gjithmonë e lehtë për mua, arti ishte gjuha që e zotërova më së miri. Përmes tij mund të komunikosh përtej çdo kufiri. Kjo më bëri të kuptoj se arti është një territor i lirë, një hapësirë ku identiteti personal dhe historia kolektive gërshetohen dhe marrin formë.

Lubjana më dha shumë, por në të njëjtën kohë më bëri ta kuptoja edhe më qartë origjinën time. Sa më shumë që më zgjeroheshin horizontet, aq më e fortë bëhej lidhja me biografinë time dhe me historinë e popullit tim. Arti im nuk mund të ekzistojë jashtë kësaj përvoje.

Për mua arti nuk është vetëm estetikë. Është një mënyrë për të menduar për jetën, për të ruajtur kujtesën dhe për t'i dhënë formë asaj që shpesh nuk mund të artikulohet me fjalë. Është gjithashtu historia e popullit tim e pranishme, e gjallë që vazhdon të flasë përmes veprave.

Atje studiuat nën mentorimin e piktorit slloven Gabrijel Stupica. A mund të më flisni për marrëdhënien tuaj dhe çfarë mësuat nga Gabrijeli? A kishte figura të tjera të rëndësishme për ju gjatë asaj periudhe në Lubjanë?

Xhafë: Marrëdhënia ime me Gabrijel Stupicën ishte e veçantë. Ai ishte një profesor i shkëlqyer dhe një personalitet i fuqishëm artistik. Nuk ishte nga ata që flisnin shumë; ai të mësonte më tepër përmes mënyrës se si e shihte pikturën dhe përmes disiplinës që kërkonte.

Në fillim nuk e kisha të lehtë ta kuptoja plotësisht. Gjuha ishte gjithashtu një pengesë dhe shpesh ndihesha sikur nuk e kapja menjëherë atë që kërkohej. Por me kalimin e kohës fillova ta kuptoja thelbin: ai kërkonte sinqeritet ndaj realitetit dhe ndaj vetvetes. Teknika nuk mjaftonte; duhej të kishte një marrëdhënie të vërtetë me botën dhe me përvojën personale. Nuk isha shumë i afërt me të në aspektin personal, por e vëzhgoja me vëmendje. Nga puna e tij dhe nga mënyra se si e drejtonte mësimin, kuptova se arti kërkon rend, disiplinë dhe njëfarë përgjegjësie morale ndaj asaj që krijon. Ky ishte një mësim thelbësor për mua.

Njëkohësisht, një ndikim tjetër i rëndësishëm ishte artisti grafik Riko Debenjak. Ai ishte i qetë, fliste pak, por punonte vazhdimisht. Në mënyrën e tij të heshtur, ai na mbështeste dhe na inkurajonte. Prej tij mësova se përkushtimi dhe puna e vazhdueshme janë themeli i çdo zhvillimi artistik. Në Lubjanë nuk mësova vetëm nga profesorët. U formova gjithashtu nga fryma intelektuale e qytetit. Filozofët, shkencëtarët dhe artistët krijonin një hapësirë ku arti ishte pjesë e një dialogu më të gjerë kulturor. Atje kuptova se arti nuk ekziston i izoluar, por gjithmonë në lidhje me mendimin dhe shoqërinë.

Unë vija nga një realitet tjetër dhe ndoshta pikërisht kjo më bëri më të disiplinuar dhe më këmbëngulës. E dija se duhej të punoja shumë për ta justifikuar praninë time atje. Kjo përvojë më mësoi jo vetëm teknikën, por edhe etikën dhe respektin për punën.

Ajo që mora nga Lubjana nuk ishte vetëm një formim artistik, por një mënyrë të menduari. Atje fillova ta kuptoja artin si një proces të vazhdueshëm kërkimi për një dialog të hapur midis përvojës personale dhe historisë së përbashkët.

Gjatë periudhës së viteve '40 dhe '50, modernizmi nuk kishte nisur ende në Kosovë. Do të ishte interesante të dëgjonim pak se ku dhe kur mendoni se filloi modernizmi në Jugosllavinë e vjetër. Kush tjetër punonte në këtë mënyrë?

Xhafë: Në ish-Jugosllavi, modernizmi në art filloi të merrte formë më të qartë pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht nga fundi i viteve ‘40 dhe gjatë viteve ‘50. Pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1948 dhe distancimit nga realizmi socialist, u krijua një hapësirë më e lirë për eksperimentim dhe për lidhje të drejtpërdrejta me zhvillimet moderne evropiane.

Qendrat kryesore ku u artikulua ky proces ishin Beogradi, Zagrebi dhe Lubjana, qytete me një infrastrukturë kulturore më të konsoliduar, me akademi, galeri dhe revista që mbështetnin zhvillimin e mendimit artistik. Në këto kontekste, filluan të shfaqeshin artistë dhe grupe që eksploronin abstraksionin, modernizmin figurativ dhe forma të reja të menduarit vizual. Figura si Gabrijel Stupica, Ivan Picelj, Aleksandar Srnec apo Petar Lubarda kontribuan në ndërtimin e një gjuhe moderne brenda këtij realiteti kompleks. Në Zagreb, lëvizja EXAT 51 shënoi një moment të rëndësishëm, duke afirmuar abstraksionin dhe duke lidhur artin me arkitekturën e me një vizion më të gjerë të modernitetit, në një kohë kur në pjesë të tjera të Evropës Lindore ende mbizotëronte një estetikë e kontrolluar.

Kosova, në atë periudhë, ende nuk i kishte strukturat institucionale për të mbështetur një zhvillim të tillë. Akademitë dhe infrastruktura kulturore filluan të konsolidoheshin më vonë, kryesisht gjatë viteve ‘60 dhe ‘70. Për këtë arsye, modernizmi në Kosovë vjen me njëfarë vonese dhe shpesh përmes artistëve që kishin studiuar në Beograd ose Zagreb dhe ktheheshin me një bagazh të ri përvoje e idesh. Megjithatë, kjo mungesë institucionesh krijoi një situatë tjetër, pothuajse paradoksale. Kosova, në njëfarë mënyre, funksiononte si një muze i gjallë pa mure, ku toka dhe qielli ishin kufijtë e vetëm. Në këtë hapësirë, liria nuk ishte e strukturuar, por instinktive; një liri që shpesh përqafonte edhe njëfarë çmendurie krijuese, duke dalë jashtë shtigjeve të vendosura, ku shprehja nuk kërkonte leje për të ekzistuar.

Në këtë kuptim, modernizmi në ish-Jugosllavi nuk ishte një fenomen i njëtrajtshëm. Ai u zhvillua në mënyra të ndryshme në secilin kontekst lokal, por gjithmonë në dialog me Evropën dhe me një nevojë të përbashkët për të ndërtuar një gjuhë artistike bashkëkohore.

E kuptoj se që nga fillimi keni qenë gjithmonë të interesuar për idenë e artit që i tejkalon kufijtë. Në botën e sotme, duket gjithnjë e më urgjente që arti të jetë në gjendje të krijojë dialog transnacional. Pse është i rëndësishëm për ju transnacionaliteti? Dhe a keni ndonjë mendim për rolin e artit në kontekstin e rritjes së nacionalizmit?

Xhafë: Në thelb, arti ka ekzistuar gjithmonë përtej kufijve. Kufijtë krijohen nga shtetet dhe politika; arti nuk i njeh këto ndarje. Një ide mund të lindë në një vend dhe të gjejë jehonë të menjëhershme në një tjetër, pa pasur nevojë për përkthim. Arti është një gjuhë universale. Për këtë arsye, për mua ai nuk mund të mendohet si pronë e një me territori të caktuar. Merr kuptim të vërtetë kur njerëzimi dhe dinjiteti i tij marrin formë përmes tij.

Kur flasim për transnacionalitetin në art, nuk bëhet fjalë thjesht për lëvizje fizike apo ekspozita jashtë vendit. Është një mënyrë të menduari. Artistët kanë qenë gjithmonë në dialog me njëri-tjetrin, madje edhe në kushte të ndryshme politike apo ideologjike. Kjo ishte e dukshme edhe në ish-Jugosllavi; ekzistonte një vëmendje e vazhdueshme ndaj zhvillimeve evropiane dhe një dëshirë për të qenë pjesë e një dialogu artistik më të gjerë. Sa i përket nacionalizmit, arti nuk duhet të vihet në shërbim të tij. Nacionalizmi shpesh kërkon një identitet të mbyllur, të pastër dhe të kontrolluar, ndërsa arti, në thelb, është i hapur, i përzier dhe me lëvizje të vazhdueshme. Është një hapësirë ku identitetet nuk ruhen, por vihen në pikëpyetje ku ato takohen, përplasen dhe transformohen.

Roli i artit sot, mendoj unë, është pikërisht ta mbajë të hapur këtë hapësirë dialogu. Jo domosdoshmërisht për të dhënë përgjigje politike, por për të krijuar mënyra të reja të të menduarit dhe të të parit të botës. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në një kohë kur diskursi publik po bëhet gjithnjë e më i ngushtë dhe më i mbyllur.

Unë vij nga një realitet ku arti ka qenë gjithmonë i lidhur drejtpërdrejt me jetën e njerëzve dhe me vuajtjet e popullit tim. Kam punuar gjithmonë me njerëzit, me lecka, me njerëz të thjeshtë, me natyrën dhe përmes tyre kam ndërtuar mënyrën time të të menduarit. Për mua, arti nuk është një distancim nga jeta, por një mënyrë për ta prekur atë duke e shndërruar përvojën në material, në formë, në gjuhë.

Kam lexuar se frymëzimi juaj ka qenë kryesisht populli, historia dhe arkitektura e Kosovës. A mund të flisni pak më shumë rreth asaj që nxit krijimtarinë tuaj dhe pse?

Xhafë: Frymëzimi im buron nga një territor ku arti dhe jeta nuk janë të ndara, është një shkrirje e vazhdueshme vendase dhe një gjuhë universale. Vij nga një vend ku njerëzit kanë jetuar mes vuajtjes, rezistencës dhe mbijetesës, kjo nuk është thjesht historia, por një gjendje që vazhdon të pulsojë në jetën e përditshme. Pikërisht kjo përvojë ka qenë një nga burimet më të thella të mendimit tim artistik.

Vuajtja, në këtë kuptim, nuk është vetëm dhimbje ajo është një formë dijeje. Ajo e zhvesh realitetin nga iluzionet dhe e vendos qenien njerëzore përballë thelbit të ekzistencës. Në këtë pikë, arti nuk mund të jetë më thjesht dekorim apo estetikë; ai bëhet një domosdoshmëri për të kuptuar, për të mbajtur gjallë atë që rrezikon të harrohet, për t'i dhënë formë asaj që nuk mund të thuhet drejtpërdrejt. Edhe format më të thjeshta të jetës, arkitektura e kullave, mënyra se si ndërtohet dhe mbrohet familja mbartin këtë tension midis mbijetesës dhe dinjitetit. Këto nuk janë vetëm struktura fizike, por forma mendimi, gjurmë të një filozofie të jetuar. Dhe pikërisht këtu, gjuha vendase fillon të bëhet universale. Për mua, arti është një akt rezistence jo vetëm ndaj kushteve politike, por edhe ndaj harresës. Është një përpjekje për të ruajtur kujtesën dhe për ta shndërruar përvojën në një gjuhë që mund t’i kapërcejë kufijtë. Një gjuhë që lind në një vend konkret, por që i flet një personi tjetër, diku tjetër, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Unë u nisa nga figura, nga realiteti i dukshëm, por me kalimin e kohës kuptova se arti nuk shërben vetëm për të pasqyruar botën, por për të menduar për të, për ta vënë në dyshim, për ta çmontuar dhe për ta rindërtuar atë.

Për mua, Arti është vendi ku takohen përvoja individuale dhe ajo kolektive. Ku vuajtja e një populli nuk mbetet e mbyllur brenda historisë së tij por shndërrohet në një pyetje që i drejtohet mbarë njerëzimit. Dhe ndoshta pikërisht aty, në këtë shndërrim, arti bëhet vërtet universal.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kultuD'ABORD

Intervistë e komisionuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës për katalogun e ekspozitës personale të artistit Xhevdet Xhafa. Botohet me leje të GKK-së