Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Supplément culturel

De la musique pour me tenir éveillé la nuit

“Murmuration Mountain” e bën një gjë të çuditshme nëpërmjet tingullit: e shndërron të dëgjuarit në dëgjim

“Murmuration Mountain” e bën një gjë të çuditshme nëpërmjet tingullit: e shndërron të dëgjuarit në dëgjim

Anëshkrim mbi albumin e ansamblit të Liburn Jupollit, “Murmuration Mountain”

Labinot Kelmendi

“Ajo që jeton, pasi ka hyrë në vdekje — fjala e shqiptuar brenda së fundmes — ende mbetet e perceptueshme si tingull (Klang, ose ‘rezonancë’)” – F. W. J. Schelling, “Filozofia e Artit”

Gjithmonë ka diçka problematike në të shkruarit për muzikën, për tingullin. Për njëzetepesë shekujt e fundit, refleksioni dhe mendimi janë dominuar nga metaforat vizuale. Dëgjimi, muzika dhe tingulli duket se kanë qenë pjesë integrale e qenies vetëm në formën e spektralitetit: një fantazmë që na vë në gjah, herë e pranishme e herë e ndier si rezonancë në mungesën e saj. Pikërisht këtu qëndron paradoksi: si mund të shkruash një tekst filozofik mbi një objekt që, në thelb, i reziston fjalës? Fjala nuk mund të depërtojë plotësisht në thellësinë magjepsëse të tingullit, të klithmës, të muzikës e rrjedhimisht, të muzës. Ajo nuk e ka të njëjtën fuqi, as të njëjtin akses, për t’iu afruar muzës. Tingulli, përkundrazi, e përshkon fillimin dhe fundin, vibrimin dhe heshtjen e qenies. Në këtë kuptim, siç e thekson Adorno, muzika duket se e ka “atitudën e rebelit që e ka tradhtuar rebelimin”.

Ky nuk është teksti i parë që shkruaj për veprën dhe kompozimet e Liburn Jupollit. Madje, debutimin tim në këtë areal të kritikës e bëra duke shkruar për kompozimin e tij “Maya” në vitin 2010. Sot, po ta rilexoja atë tekst, do të më dukej naiv. Të them të drejtën, nuk më pëlqen më: ishte një interpretim i mbingarkuar nga lentet e ideologjemave dhe pikërisht për këtë arsye, nuk i bëri hakun asaj vepre maestrale. Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, atëherë student e tash profesor i estetikës e kam ende të njëjtin tundim: mos vallë fjala, refleksioni, nuk arrin ta kapë momentin, prekjen, magjepsjen që të jep dëgjimi i një vepre — në këtë rast, i një albumi? Prandaj, ky tekst nuk është verdikt final për “Murmuration Mountain”. Nuk mund të jetë. Fjala, kurrë nuk arrin t’u japë hakun muzikës, tingullit, shushurimës dhe rezonancës.

Ajo që bie në sy në këtë album është një lloj mjeshtërie që në regjistrin diskursiv të estetikës quhet kreativitet tokësor: një mënyrë për të na futur brenda vorbullës së tingujve, për të na bërë pjesë të saj, të prekemi nga improvizimet plot esprit de finesse, të zhytemi dhe dalëngadalë të trupëzohemi në atmosferën e muzikës. Por “Murmuration Mountain” nuk është udhëtim drejt ndonjë mali magjik të Thomas Mannit, por përkundrazi në zhurmhurin, shushurimën dhe rezonancën e malit të Liburnit dhe të ansamblit të tij. Kësodore, “Murmuration Mountain” e bën një gjë të çuditshme nëpërmjet tingullit: e shndërron të dëgjuarit në dëgjim. Çka nënkupton kjo zhvendosje nga të dëgjuarit në dëgjim? Nën diktumin e filozofit francez Jean-Luc Nancyt, dëgjimi nënkupton shtrirjen e veshit, në kuptimin se evokon një mobilitet singular të aparatit aureal. Thënë thjesht, dëgjimi nënkupton tensionin, intencionin, qëllimin dhe vëmendjen. Andaj, ky album na integron brenda sferës së dëgjimit, aty ku atmosfera e muzikës prek frymëmarrjet e secilit, duke na përfshirë përbrenda totalitetit të vet.

aussi Rome éternelle comme musée vivant Supplément culturel Rome éternelle comme musée vivant

Udhëtimi në botën molekulare të tingujve

Kompozitori neo-avantgardist Terry Riley, e kishte përshkruar diku muzikën e guru-së së muzikës eksperimentale La Monte Young si një “botë molekulare tingujsh”. Një përshkrim që i përshtatet në mënyrë të habitshme edhe “Murmuration Mountain” të Liburn Jupollit. Veçse, me një dallim thelbësor: te Jupolli, bota molekulare e tingujve nuk është statike. Ajo është udhëtim; rrjedhimisht, është transitore, thënë shkurt mobile. Në një përkthim alternativ në regjistrin e filozofisë së Gilles Deleuzeit, tingujt, meloditë, disonancat dhe vibrimet e këtij albumi mund të mendohen si krijime vetë-organizuese, madje autopoi(et)ike (vet-krijuese). Muzika nuk i nënshtrohet një qendre gravituese, por është një kaozmos (kaos dhe kozmos), një rend që vazhdimisht prodhohet nga çrregullimi i vet. Ky kaozmos sendimentohet përmes improvizimit, kompozimit dhe asaj që, për mungesë të një fjale më të saktë, mund ta quajmë bashkëbisedim. Por këtu nuk kemi të bëjmë me komunikimin nëpërmjet fjalëve. Dialogu zhvillohet përmes tingullit, rezonancës, notës, vibrimit. Fundi i gjithë këtij bashkëbisedimi është valle plotë dëlir, ekstazë dhe ekses.

Pse duhet muzika e këtij albumi të quhet “botë molekulare tingujsh”? Përgjigjja është relativisht e thjeshtë: sepse kjo metaforë shënjon vetë procesin kreativ. Logjika molekulare na ndihmon ta kapim jo vetëm tërësinë e shprehjes muzikore, por edhe mënyrën se si ajo tërësi manifestohet. Ky plurivers — ky univers plural — që e karakterizon albumin nuk është një pastiche (sipas kritikut Hal Foster pastiche e ravijëzon “kanibalizimin e stilit”), por përkundrazi është shprehje kreative si transgresion i zhanrit në vetvete.

Track-u hyrës, “Sulfurie Thoughts”, ia dikton atmosferën gjithë albumit: zhvillimin, tensionin dhe atë shpërthim që funksionon si një lloj apeksi i vorteksit të mëvetësisë së tingujve. Dëgjimi i “Sulfurie Thoughts” të teleporton diku drejt reve, lehtësisë dhe më në fund, nostalgjisë — asaj ndjesie të çuditshme se dikur, diku, diçka e kemi përjetuar ndryshe; të çliruar, qoftë edhe për një çast, nga rëndesa e ekzistencës. Këtu fshihet edhe vula idiosinkratike e Liburnit: pneuma si frymë kundër kohëve të asfiksisë kolektive. Brenda kësaj fryme ekziston edhe një fascinim për muzikën metall, një lidhje që nuk është e rastësishme, duke pasur parasysh përvojën e tij me dy bende të rëndësishme të kësaj subkulture, “Madgod” dhe “Clockwork”. Por pse të quhet kjo një “fshehtësi”? Sepse burokratët dhe specialistët e fushës prej nga vjen Liburni e kanë parë shpesh këtë zhanër me përbuzje, madje për disa prej tyre metall-i nuk është i denjë as të marrë statusin e muzikës. Pikërisht këtu, me një elegancë që mund ta përfytyrosh të veshur me frak, del asi nga mënga e Liburnit: “The Destructive Imperative”. Riff-at e një tradite tashmë tridhjetëvjeçare të post-metalit, alla Neurosis, kombinohen me britmën e rafinuar të sopranos Arta Jashari. Muzika klasike transponohet në botën e pamëshirshme të metallit dhe për fatin e keq të fanatikëve të pastërtisë së zhanrit, hibridi është në sintoni të plotë. Dëgjimi i track-ut, ta jep ndjesinë se ndodhesh në sekondat e lëshimit të bombës atomike, në çastin kur bota pushon dhe bëhet pluhur. Ose, më mirë akoma, sikur ky tingull të ishte soundtrack-u i një romani të Stanisław Lemit: kozmik, paranojak dhe post-human. Gjithë ky shpim që vjen nga tonika e track-ut mund të përmblidhej në një formulë: disonancë ku strehohet dhembja e qenies.

Do të ndalem edhe në dy track-a të tjerë, para se fjala, përmes hubris-it të saj, ta dominojë dëgjimin e albumit. Track-u “Prishtthtina” e ndryshon lojën. Ajo e vendos albumin nën tingujt e një varianti eksperimental të jazz-it, diku mes frymës së “Desert Sessions” të Keith Jarrett dhe një hijeje të albumit të parë të Dead Can Dance. Por kjo ndodh gjithmonë në një lidhje organike me Prishtinën që në vetvete, është krejtësisht jo-organike. Ka momente disonance në këtë track, të cilat janë të shtrira mjeshtërisht mbi një grumbull melodish harmonike të kontrolluar. Melodia duket se e luan këtu rolin e unitetit në divergjencë. Meloditë dhe tingujt që vijnë nga seksioni i frymorëve na dërgojnë diku në skutat e parkut të “Ulpianës”, nën “Kurriz” në “Dardani”, aty ku fshihet një lloj naiviteti foshnjarak—një kreativitet që ende nuk i është nënshtruar asnjë fuqie dinamike dominuese, asaj që vjen bashkë me procesin e maturimit.

“80’s and 90’s and 90’s and 90” të vendos, me jazz-in e saj, në lobin e hotel “Božurit”, ose në atë që pas luftës u quajt “Iliria”. Për kuriozitet, Liburnin për herë të parë duke luajtur jazz e kam parë pikërisht në hotel “Iliria”, në ekip me Visar Kuçin dhe Dukagjin Muhaxherin. Duket se ato përvoja me jazz-in janë rafinuar këtu, por ndjesia mbetet e njëjtë: një aksent i hollë nostalgjie. Nostalgjia, në këtë rast, nuk vjen më jehonën e saj, përkundrazi ajo manifestohet nëpërmjet disa notave që të përvidhen me ekstravagancë. Dhe këtë ekstravagancë mund ta japë vetëm jazz-i: aftësinë për të qenë njëkohësisht i saktë dhe i rrëshqitshëm. Ky track është, lirisht, sharmi diskret i Prishtinës— jouissance par-excellence.

aussi Le cri de douleur du jour de l'indépendance évoque des souvenirs Supplément culturel Le cri de douleur du jour de l'indépendance évoque des souvenirs

Coda: ...

“Kur fjalët pushojnë, mbyllni dritat.”

Le ta braktisim, pra, kalanë ezoterike të fjalës.

Arrêter.

Boll me fjalë.

aussi Rencontre avec Gil Scott-Heron, le géant de la conscience Supplément culturel Rencontre avec Gil Scott-Heron, le géant de la conscience

Tash në natje (pa-eklips) le të ju qëndrojë si vello magjepsja që ua jep vetëm dëgjimi i këtij albumi.

Vjegëza e albumit: Murmuration Mountain | Liburn Jupolli Ensemble | Park West Records