Mbi 50 letra, të shkëmbyera midis dy heronjve, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, bashkë me eksponate të tjera, rrumbullakojnë një histori pak të njohur të çiftit. Letrat nuk janë një komunikim i zakonshëm. Aty fjalët peshojnë rëndë e godasin si fishekë. Janë dy idealistë dhe një dashuri e përjetshme
“Gëzuar Vitin e Ri 1989! Të uron e të përqafon nga zemra përjetë vasha jote, Xheva!”, shkruhet në letrën ku shumë shkronja janë gravuar me dy ngjyra, të kuqen dhe të zezën. Janë dy nga fjalitë e letrës së 27 dhjetorit 1989, të shkruar nga Xhevë Krasniqi për të fejuarin e saj, Fehmi Lladrovci, i cili gjendej në burgun e Stara Gradishës në Kroaci si i burgosur politik. Xheva asokohe po qëndronte në shtëpinë e familjes Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit.
“I shtrenjti im Fehmi, të përshëndes nga zemra me shumë mall për ty...”, shkruhet në një tjetër letër të Xhevë Krasniqit, që mban datën 5 mars 1990. Në një kënd të veçantë të “Reporting House” në Prishtinë, prej së enjtes mbrëma kanë zënë vend mbi 50 letra, të shkëmbyera midis dy heronjve, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci. Bashkë me eksponate të tjera, intervistën e vitit 1998 të Fehmi Lladrovcit dhe pamjet e burgut ku qëndroi ai për pesë vjet, rrumbullakohet një histori pak e njohur e çiftit. Letrat nuk janë një komunikim i zakonshëm. Të gjitha së bashku mund të duken edhe si një tablo arti. Ato mbajnë lule të vizatuara, shkronja të qëndisura me ngjyra kuqezi, poezi e prozë. Në to reflektohet fort dashuria midis tyre, si dhe ajo për Kosovën. Xhevë Krasniqi-Lladrovci, me studimet e përfunduara për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe duke ndjekur studimet për drejtësi, dhe Fehmi Lladrovci, i cili ka studiuar në Fakultetin Teknik, Dega e Makinerisë, janë dyshja që, përmes komunikimit të tyre, shpërfaqin shumë. Mbi të gjitha, formimin e tyre intelektual dhe atdhetar, pa shmangur dashurinë për njëri-tjetrin.
Një leksion që shemb paragjykimet
“Reporting House”, në zemër të Prishtinës, mbledh shumë dëshmi lufte. Por deri më tani nuk e ka treguar shpirtin dhe formimin deri në detaje, të ndonjë ushtari apo ushtareje të UÇK-së. Nuk ka treguar për ndjenjat e tyre, idetë dhe njerëzoren brenda tyre. Komunikimi i dyshes, nën titullin “Një mur na ndan – Xheva”, plotëson një hendek të madh. Është një leksion që shemb edhe paragjykimet për ushtarët e UÇK-së si “disa njerëz të malit”. Këtë e nxjerrin në pah Fehmiu dhe Xheva.
E lindur më 1 qershor të vitit 1955 në Drenoc të Malishevës, Xhevë Krasniqi ishte fëmija i parë i familjes. E bija e mësuesit Avdyl Krasniqi, u bë vajza e parë e fshatit të saj dhe e vendbanimeve përreth që përfundoi studimet universitare. U bë pjesë e grupeve ilegale të kohës dhe për një vit punoi si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në atë që ishte qendra e arsimit të mesëm të orientuar “Luigj Gurakuqi” në Klinë, njësia punuese në Kijevë. Punoi nga 15 shtatori i vitit 1983 deri më 10 tetor 1984. Kur riaplikoi për të vazhduar punën, në vend të saj u pranua Bedri Morina, edhe pse Xheva kishte një vit përvojë pune. Ajo iu drejtua Pleqësisë së atij që sot është gjimnazi “Luigj Gurakuqi”, por kërkesa e saj u refuzua nga kryetari i Pleqësisë, Gani Doqi, dhe drejtori i institucionit, Abaz Bojaj. Madje, përgjigjja iu kthye me shpërfillje vetëm më 1 mars 1985. Krasniqi iu drejtua edhe Gjykatës Themelore të Punës së Bashkuar në Gjakovë, por mori përgjigje negative. Në padinë e Krasniqit nuk bëhet fjalë vetëm për arsye ligjore.
“Kjo padi ka për simptomë edhe anën morale dhe atë ligjore, se sa Gjykata është e aftë dhe kompetente t’i ruajë dhe t’i mbrojë të drejtat ligjore të femrës në kuadër të emancipimit, shkollimit të saj, respektivisht punësimit e të tjera”, shkruan ndër të tjera, Xheva.
Në këto vite, si pjesë e aktiviteteve ilegale, ishte njohur me Fehmi Lladrovcin, i cili kishte studiuar për makineri në Universitetin e Zagrebit. Pas 45 ditësh nga fejesa e tyre, Fehmi Lladrovci do të dënohej me dhjetë vjet burgim politik. Dënimin e vuante në Stara Gradishë të Kroacisë. Fehmiu do t’i propozonte që të mbeteshin vetëm shokë të idealit, pasi një dekadë ishte kohë e gjatë për dy të fejuar që ishin në moshën tridhjetëvjeçare. Por Xheva nuk hoqi dorë. “E jotja gjer në varr”, do të thoshte ajo, siç e shkruante shpesh në letra. Dhe, në këtë rast, Fehmiu i kërkoi që ta priste në familjen e tij, në Gllanasellë të Drenasit. Me kostumin e kuq që është në ekspozitë, Xhevë Krasniqi u vendos në familjen e Fehmiut. Këtu fillon komunikimi përmes letrave që tashmë janë eksponate.
“Në letërsinë shqipe nuk i kemi dy personazhe që shkruajnë në mënyrë kaq të hapur, pa komplekse. Kaq intelektualë, që i kanë shkruar njëri-tjetrit në formë të barabartë. Një çift krejtësisht i barabartë me njëri-tjetrin, që vendosin të fillojnë një letërkëmbim më shumë për shkak të zorit”, thotë gazetarja Jeta Xharra, e cila ka hulumtuar letrat që janë vendosur në “Reporting House”, nën kurimin e Gazmend Ejupit.




“... qoftë edhe vetëm një fjalë”
“Me padurim të madh pres çdo lajm nga Ti, qoftë edhe vetëm një fjalë”, shkruhet në letrën e Fehmiut për Xhevën, së cilës i drejtohet me fjalët “Shpresa ime, Xhevë”. Letrës ia ka bashkuar një imazh luleje, ku njëri prej trëndafilave, pikërisht te shkronja “e”, kryqëzon emrat Xhevë dhe Fehmi. Xheva e vizitonte Fehmiun në burg. Në një rast, letrën e ka shkruar gjatë rrugës së kthimit.
“I dashur Fehmi! Vetëm pak orë na ndajnë nga takimi që patëm. Sikur ende të kam pranë. Me ty në zemër po udhëtoj drejt vendlindjes, duke u kacafytur me dallgë të tmerrshme që më largojnë nga ti. Po unë zemrën time ta dhashë dhe me ty mbetet gjithnjë”, shkruhet në njërën prej letrave që Fehmiu e pranonte në pavijonin e katërt të burgut, në dhomën 34. Vizatimet e Xhevës, të bëra me dorë të lirë në letra, janë art më vete. Përtej estetikës, ato janë edhe një formë komunikimi të koduar.
“Ajo i ka vizatuar lulet e para të pranverës në letra për t’ia dërguar Fehës në burg, me mesazhin se pranvera e madhe e lirisë do të vijë një ditë”, thotë kunata e Xhevës, Shemsije Istogu-Lladrovci, e cila ka ruajtur një pjesë të komunikimit të çiftit. Ajo kishte dëgjuar për Xhevën gjatë aktivitetit ilegal. Më pas, u bënë nuse të së njëjtës shtëpi.
“Kur për herë të parë m’i ka dhënë Xheva disa letra për t’i lexuar, më është dukur sikur është ndezur dhoma kur lexoja për atë dashuri midis tyre”, kujton Istogu-Lladrovci, teksa rrëqethet dhe ndalet pak nga emocioni. Përballë ka historinë e letrave të personazheve me të cilët jetoi disa vjet. Në letra, Fehmiu dhe Xheva komunikojnë edhe për dasmën e tyre të ardhshme. Pyesin njëri-tjetrin se si e paramendojnë atë.
“...U nisa nga terri, thuhet si nuse, me rroba ngjyrë dheu – dhe nga i cili mbinë vetëm lulëkuqe. Fehmi – ardhmëria ime! Dasma – dita e martesës është një ditë e shënuar në jetën e vajzës. Edhe unë kam ëndërruar atë si një ditë të shenjtë – vellon e bardhë të nusërisë, çarçafin e bardhë, kurorën e luleve... krijimin e familjes së re. Por besa e tradita ndër ne flasin për ditë të bardha nën qiellin pa re, e një dasmë të madhe do të bëjmë në vatrën e ardhmërisë sonë, ashtu si na do zemra...”, shkruante Xhevë Krasniqi. Dhe dasmën e bënë.
“Po ku ndahen zemrat që rrahin si një zemër”
Më 1990, Fehmi Lladrovci përfitoi nga një amnisti e përgjithshme për të burgosurit politikë dhe, në vend të dhjetë vjetëve, u lirua pasi kishte mbajtur pesë vjet burg. Më 1990 u bë dasma, edhe pse Xheva kishte pesë vjet që jetonte në familjen e tij. Në atë dasmë u bë edhe fejesa midis Shemsije Istogut dhe vëllait të Fehmiut, Ramiz Lladrovci.
“Fehmiu kërkoi që të jem aty bashkë me motrën e Xhevës, Serveten. Unë hezitova pak të shkoja, pasi në atë kohë rrethanat ishin të tjera. Nuk ishte zakon të shkohej në familjen e burrit të ardhshëm para martesës, por fjala e Fehmiut ishte fjalë. Unë dhe Ramizi kemi shkrepur armë kur Feha ka hyrë dhëndër”, kujton Shemsije Istogu-Lladrovci.
Një pjesë e madhe e letrave është ruajtur nga vëllai i Xhevës, Selim Krasniqi. Raporti i tij me të motrën shkon përtej marrëdhënies motër-vëlla. Ai ishte 15 vjet më i ri dhe, për shkak se nëna u kishte vdekur, Xheva për Selimin shihej edhe si nënë.
“Pas martesës, ata shkuan në Kroaci dhe më pas, kur u larguan nga Kroacia, unë nga Tirana shkova në Gjermani për t’i parë. Pastaj Fehmiu më ndali atje. Jam tepër i lumtur që kam jetuar ato vjet atje me ta. Jam më i lumturi në botë për ato vjet që kam kaluar me ta. Gjithmonë jam i përmalluar për ata të dy... Kanë qenë diçka që sot nuk e sheh”, thotë ai. I mban letrat origjinale me krenari të madhe. Vajzën, që tashmë është studente e mjekësisë, e ka pagëzuar me emrin Xhevë.
“Nganjëherë i lexojmë letrat bashkë me fëmijët. Emri i Xhevës, që e mban vajza, është motiv i madh për të...”, thotë Selim Krasniqi.
Për të dyja familjet, letrat janë një pasuri e madhe. Nga komunikimi i dyshes kuptohet se Fehmiu ua lexonte letrat edhe të burgosurve të tjerë, përfshirë Adem Demaçin. Aty merret vesh se Xheva e kishte mësuar edhe nënën e Fehmiut të shkruante, në mënyrë që të komunikonte me të birin në burg. Përveç Fehmiut, ajo, nëpërmjet letrave, informonte edhe kolegët e tjerë të burgosur, të cilëve u dërgonte revista dhe gazeta. Fehmiu i uronte asaj që të punësohej sa më shpejt dhe të ishte “sa më e lirë”. Në një rast, Xhevën nuk e kishin lejuar të hynte në sallën e takimeve në burg.
“Në ato çaste, zemra kishte një rrahje jo të rëndomtë, ritmin e kishte shumë të shpejtuar. Për një moment, para meje u gjend vëllai! Ende pa u përshëndetur, e pyeta: ‘Vetëm je?’”, i shkruante më pas Fehmiu Xhevës.
“Unë pres këtu në sallë, sepse nuk më lejojnë të hyj brenda. Emrin tim e kishin shlyer nga kartoni, sepse nuk paskam të drejtë ta shoh shokun tim të jetës. Tani, në këtë moment, jemi shumë afër. Fehmiu në një kënd të sallës së takimit, unë në këndin afër tij, në sallën e pritjes. Një mur na ndan në mes. Po ku ndahen zemrat që rrahin si një zemër”, i shkruante më pas ajo. Nga kjo letër ka lindur edhe titulli i ekspozitës, “Një mur na ndan”.
« La liberté est plus précieuse que la vie elle-même »
Një mur i ndan edhe letrat e ekspozuara nga hapësira ku shfaqet intervista e Fehmi Lladrovcit për BBC-në, më 1998. Imazhi i Lladrovcit në publik është ndërtuar kryesisht nga ajo intervistë. “Më e shtrenjtë është liria se vetë jeta”, thotë, ndër të tjera, në ato pamje burri i gjatë me mjekër. Është pamja e një luftëtari me moral të lartë. Paraqitet me njëfarë vrazhdësie prej guerili, si dikush që e ka parë se nuk ka rrugë tjetër përveç luftës. E krejt afër, në letra, shfaqet Fehmiu i dashuruar. Intelektuali me ideale të forta, i cili në vitet ’80 respektonte fort të drejtat e grave, i shpreh ndjenjat e tij pa rezerva dhe i drejtohet të fejuarës me epitete të larta.
Jeta Xharra, e cila tashmë është prapa “Reporting House”, thotë se i ka bërë shumë përshtypje, gjatë leximit, fakti se sa frymëzuese janë këto letra.
“Ka qenë njëfarë borxhi që një gazetare si unë ia ka pasur Xhevës. E kam njohur atë në maj të vitit 1998, bashkë me Fehmiun. Fokusi ka qenë te Fehmiu dhe jam pishman që nuk e kam intervistuar edhe Xhevën. Ajo barrë e fajit më ka shtyrë të mendoj shumë gjatë për këto artefakte, se si është mënyra më e mirë ta sjellim të gjallë shpirtin e Xhevës”, thotë ajo, duke treguar se atë që kanë dashur të ekspozojnë është një dashuri shumë moderne.
“Ata janë çift modern edhe për ditën e sotme. E tregojmë një çift gueril jo nëpërmjet kallashnikovëve, por me letra, poezi e prozë shumë optimiste. Me mënyrën si e kanë parë lirinë dhe si kanë punuar për të. Fehmiu i shkruan se kjo është shtylla e familjes. Ajo ishte më e shkolluara te Krasniqët dhe Lladrovcët”, thotë Xharra. Xhevën e përshkruan si personazh të gjithanshëm, progresiv, intelektual dhe të rrallë në historinë shqiptare.
“Ajo kurrë nuk ka folur për vete, ka qenë modeste dhe ia ka dedikuar jetën shoqërisë. Koha është që ne t’i dedikojmë një kënd në muze asaj”, thotë Xharra.
Aty afër është edhe lista e vajzave të fshatrave të Drenasit, familjet e të cilave ngurronin t’i lejonin të vazhdonin shkollën e mesme. Xheva i identifikonte ato, mblidhte të dhëna dhe bënte vizita familjare për t’ua ndryshuar mendjen prindërve. Dyshja u vra në luftim e sipër me forcat serbe, më 22 shtator të vitit 1998, pasi ishte kthyer nga Gjermania për të luftuar për vendin e vet. Vdiqën së bashku, bash ashtu siç i shkruante Xheva teksa kthehej nga një vizitë në burg: “Me Ty në rrugë për në shtëpi e deri në përjetësi! E jotja gjithmonë, Xheva”.