Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Supplément culturel

Le héros du métro quotidien : Dostoïevski et notre siècle

Le héros du métro quotidien : Dostoïevski et notre siècle

Një mesazh mund ta shkruajmë e ta fshijmë, një përgjigje mund ta vonojmë qëllimisht, një person mund ta lëmë në “seen”, mund ta shohim kur dikush është online dhe ta interpretojmë qysh të duam heshtjen e tij... (Në foto: “To See and Be Seen” Lawrence Weiner, 1972)

Nga “nëndhesa” e Dostojevskit e deri te hapësirat virtuale të ditëve të sotme është një distancë gati dyshekullore, e megjithatë, frika nga cenueshmëria, dëshira për t’u vetëmbrojtur dhe nevoja për kontroll vazhdojnë t’i formësojnë marrëdhëniet e njeriut modern

Mbase një nga gjërat më të çuditshme të kohës sonë është se sa shumë kemi mësuar të mos na interesojë. “Mos u lidh shumë”, “Mos i shkruaj i pari”, “Mos kallëzo shumë interes”, “Mos ia kthe menjëherë”, “Mos e lër tjetrin ta kuptojë se sa shumë i pëlqen”, “Mbaje njëfarë distance”, “Ruaje veten”, si dhe “Mos ia jep askujt mundësinë të të lëndojë”, janë vetëm disa nga fjalitë e shumëpërdorura që në parim mund të tingëllojnë si këshilla për vetërespekt.

Ndonjëherë edhe janë të atilla. Mirëpo, çka ndodh kur gjendemi mes vetëmbrojtjes e frikës nga të tjerët dhe fillojmë të mos e lejojmë askënd të na afrohet? E krejt kjo nuk është një dukuri aq e re sa mund të mendojmë.

Në vitin 1864, shkrimtari rus, Fjodor Dostojevski, e kishte botuar veprën “Shënime nga nëndhesa”, e cila, ndonëse i përket një periudhe dhe një bote shoqërore krejt tjetër, është çuditërisht shumë e afërt me mënyrën se si njeriu modern mendon për veten dhe për marrëdhëniet me të tjerët. Aty, Heroi i Nëndhesës është një njeri që mendon hollë, analizon çdo veprim, dyshon te motivet e veta dhe të të tjerëve e mbi të gjitha, ka një lidhje të trashë me cenueshmërinë.

Jo vetëm që është i vetmuar, por ai edhe është i vetëdijshëm për vetminë e tij dhe ky është vrojtimi thelbësor. Ai e di se dëshiron të afrohet me njerëz, por në të njëjtën kohë dëshiron të ruhet prej tyre. Dëshiron të jetë i dashur, por kur dashuria i vjen pranë, nuk di çfarë të bëjë me të. Dëshiron të mos fyhet, por pikërisht frika nga fyerja e shtyn të sillet në mënyra që e izolojnë edhe më tepër.

Në marrëdhënien e tij me Lizën, kjo dyjësi arrin kulmin e dhimbshëm. Kur ajo vërtet i afrohet, ky nuk përballet me idenë abstrakte për afërsinë, por me një grua reale, e cila mund ta shohë, ta pranojë, e si rrjedhojë, edhe ta lëndojë. Ka dy zgjedhje, o t’i dorëzohet vullnetit, o të mbrohet. Dhe zgjedh pikërisht mbrojtjen, edhe pse ajo e bën më të mjerueshëm.

Nëndhesa e shekullit XXI

Te kjo zgjedhje nis e bëhet interesante lidhja me kohën tonë. Nuk ka nevojë të jetojmë në një dhomë të errët të shekullit XIX për të krijuar një “nëndhesë”. Atë mund ta ndërtojmë edhe në telefonin tonë celular.

Mund të kemi dhjetëra njerëz në Instagram, qindra kontakte, biseda të paskajshme e mundësi të panumërta për ta njohur dikë, e në të njëjtën kohë të jemi emocionalisht të izoluar. Madje mjaft paradoksalisht, mjetet që supozohet të na afrojnë, mund të na mësojnë të mbajmë distancë.

Një mesazh mund ta shkruajmë e ta fshijmë, një përgjigje mund ta vonojmë qëllimisht, një person mund ta lëmë në “seen”, mund ta shohim kur dikush është online dhe ta interpretojmë qysh të duam heshtjen e tij. Mund ta analizojmë një pikë, një emoji, një “haha”, kohën e përgjigjes e numrin e ditëve që kanë kaluar. E kemi zhvilluar një gramatikë të tërë të pasigurisë emocionale. Ndodh edhe ta quajmë “lojë”. Sigurisht! Sepse e kemi më të lehtë sesa ta pranojmë se kemi frikë.

Kultura bashkëkohore e marrëdhënieve shpesh na mëson ta ruajmë kontrollin, të mos japim më shumë seç marrim, të mos investojmë emocionalisht para se të jemi të sigurt, të mos dukemi të dëshpëruar para dikujt, e ta gjejmë gjithmonë një arsye për t’u ikur diskutimeve. Në disa raste, kjo është e shëndetshme. Kufijtë janë të nevojshëm. Vetërespekti është shumë i nevojshëm. Sidoqoftë, ekziston një vijë e padukshme ku kufijtë shndërrohen në mure dhe madje muri mund të duket shumë elegant.

“Standard” e quajmë. Edhe “indiferencë”, “nuk dua drama” e “ia di vlerën vetes”. Ndonjëherë mund të jetë thjesht frikë. Frikë nga refuzimi, nga varësia emocionale, nga humbja e kontrollit, e sidomos frikë nga “ghosting”; frikë nga përndjekja, nga mundësia që dikush na sheh të dobët.

Dostojevski këtu bëhet sërish i bezdisshëm, sepse nuk na lejon të kënaqemi me shpjegime të thjeshta. Njeriu i Nëndhesës nuk mund të quhet “njeri i keq”. Është i plagosur, por plagët e tij nuk e bëjnë të pafajshëm. Ai është i vetëdijshëm për sjelljen e vet, por nuk mjafton vetëdija për t’iu shmangur pasojave. Ky është ndoshta një nga mësimet më të pakëndshme të librit. Se nuk është e njëjtë aftësia për ta kuptuar veten me aftësinë për ta ndryshuar atë. Se mund ta dimë pse sillemi në një mënyrë të caktuar dhe prapë të vazhdojmë të sillemi ashtu.

Plagët që flasin për ne

Një plagë mund të shndërrohet në mekanizëm mbrojtës. Ky mekanizëm mund të na ketë ndihmuar për një kohë, mirëpo ngec brenda nesh edhe kur nuk ekziston më rreziku për t’u plagosur. Me këtë, një person i ri që futet në jetën tonë mund ta paguajë çmimin e diçkaje që nuk e ka bërë kurrë. “Hurt people hurt people”, thonë sikur të jetë arsye e asgjë më shumë dhe kjo është një prej formave më të heshtura të padrejtësisë emocionale. Të sillemi ndaj dikujt në bazë të asaj që na ka bërë dikush tjetër. E nuk është gjithmonë e lehtë ta dallojmë.

Kur dikush na afrohet, a largohemi sepse vërtet nuk na bën mirë, apo na frikëson fakti që po shprehim pëlqim? Kur themi “nuk më intereson”, a është e vërtetë apo thjesht ashtu duam ta bindim veten? Kur zgjedhim të mos shkruajmë të parët, a nuk dëshirojmë të shkruajmë apo nuk duam të jemi ata që refuzohen?

Sigurisht se përgjigje të qarta nuk ka dhe ky është edhe thelbi. Edhe vetë Dostojevski e vendos njeriun në këtë territor të paqartë. Në pjesën e parë të “Nëndhesës”, ai e vendos arsyen përballë vullnetit njerëzor. “Dy herë dy bëjnë katër” bëhet pothuajse prijës i një bote ku gjithçka duhet të jetë e parashikueshme dhe e arsyeshme. Njerëzit nuk janë të këtillë, sepse ndonjëherë zgjedhin kundër interesit të vet, vetëm për t’u përpjekur të duken të lirë.

“Dy herë dy bëjnë katër” ka marrë forma të tjera në shekullin tonë. “Mos u lidh”, “mos u ekspozo”, e “mos e humb kontrollin” janë kthyer në formula, të cilat e burgosin njeriun po aq sa e çlirojnë. Nuk është “nëndhesë” vetëm izolimi, është edhe qilimi psikologjik ku ulemi me të nisur një marrëdhënie me botën. Me analizë, frikë e vetëmbrojtje ndihemi më të sigurt, sepse aty askush nuk mund të na prekë plotësisht. Por as të na arrijë plotësisht nuk mundet.

“Shënime nga nëndhesa” nuk na mëson thjesht të mos jemi si Njeriu i Nëndhesës, se kjo shumë e lehtë do të ishte. Është si paralajmërim për t’i dalluar mekanizmat e tij brenda vetes. Mund të mos jemi mizorë si ai, mund të mos i poshtërojmë njerëzit që na afrohen dhe mund të mos jetojmë të izoluar, e gjithsesi, mund t’i kemi format më të buta të së njëjtës frikë. Mund të largohemi para se tjetri të largohet, të sillemi ftohtë më shpejt se tjetri, të mendojmë më shumë e të tregojmë më pak. Të bëjmë sikur nuk na intereson, kur në fakt askush nuk e vëren.

Kjo mbase është arsyeja pse libri na shqetëson edhe pas më shumë se një shekulli e gjysmë. Dostojevski nuk e ka parashikuar Instagramin, “dating apps” e as kulturën moderne të marrëdhënieve, por ka kuptuar diçka më të vjetër se teknologjia: njeriun që sa ka ëndje të afrohet, aq ka edhe frikë. Kjo frikë mund të mos zhduket kurrë. Mirëpo, të dalim prej nëndhesës nuk do të thotë ta heqim frikën, por ndoshta të mos ia lëmë frikës vendimin e fundit.