“Bota serbe” nuk mbështetet vetëm në instrumente të reja politike, mediatike dhe kulturore, por edhe në një politikë të kujtesës. Në formulimin e Nevenka Trompit, rreziku është që Serbia, përmes kontrollit të narrativës pas konfliktit, të mbetet me një histori “më të pastër sesa e meriton”. Në këtë kontekst mund të shtrohet edhe pyetja nëse dhe në çfarë mase elemente të narrativave të prodhuara fillimisht në diskursin politik dhe propagandistik serb kanë depërtuar më vonë në mënyrën ndërkombëtare të interpretimit juridik të luftës së Kosovës, përfshirë proceset që çuan në krijimin e Dhomave të Specializuara. Problemi këtu nuk është ekzistenca e përgjegjësisë penale individuale, e cila duhet të përcaktohet vetëm mbi bazën e provave, por rreziku i një rrafshimi narrativ të dallimit historik ndërmjet dhunës së organizuar shtetërore serbe dhe rezistencës së armatosur të UÇK-së
Teza e pestë: Në Kosovë kalimi nga doktrina te politika ndodhi përpara shpërthimit të luftërave jugosllave
Heqja e autonomisë së Kosovës në vitet 1989–1990 shënoi kalimin nga narrativa ideologjike në ndryshimin institucional dhe kushtetues. Pasuan përjashtimi masiv i shqiptarëve nga administrata, arsimi, policia, mediat dhe ndërmarrjet publike, si dhe ndërtimi i një sistemi të represionit dhe segregacionit institucional. Jens Reuter e sheh pikërisht vitin 1987 si momentin kur kjo lidhje ndërmjet doktrinës dhe pushtetit bëhet e dukshme: Millosheviqi, duke u mbështetur në Memorandumin e Akademisë Serbe, popullarizoi tezën se Serbia kishte qenë sistematikisht e dëmtuar në Jugosllavinë e Titos dhe se “ndarja” e saj përmes autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës duhej korrigjuar përmes “ribashkimit” të Serbisë. Heqja e autonomisë së Kosovës më 1989 ishte kështu jo vetëm ndryshim kushtetues, por materializim institucional i një narrative paraprake të viktimizimit dhe të “korrigjimit” të padrejtësisë historike.
Prandaj, lufta e viteve 1998–1999 nuk mund të kuptohet e shkëputur nga kjo fazë paraprake. Ajo ishte kulmimi i një procesi në të cilin mohimi politik dhe juridik i Kosovës i parapriu përdorimit të dhunës së organizuar shtetërore.
Teza e gjashtë: Memorandumi nuk ishte shkaku i vetëm i luftërave, por ishte pjesë e infrastrukturës së tyre ideologjike
Nga pikëpamja akademike, do të ishte reduktuese të pretendohej se një dokument i vetëm i shkaktoi luftërat në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Shkaqet e shpërbërjes së Jugosllavisë ishin të shumëfishta. Në këtë kuptim, Memorandumi nuk duhet parë si një “urdhër për luftë”, por si një tekst që ndihmoi në krijimin e kushteve mendore dhe diskursive në të cilat lufta mund të paraqitej si përgjigje e arsyeshme ndaj një padrejtësie historike. Holm Sundhaussen vëren se resentimentet antishqiptare, të cilat kishin qarkulluar edhe më parë, fituan një lloj “dinjiteti akademik” pikërisht përmes Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave të vitit 1986. Kjo është një pikë thelbësore: kur frika, viktimizimi dhe stereotipet etnike marrin autoritetin e një institucioni shkencor, ato pushojnë së funksionuari vetëm si paragjykime shoqërore dhe mund të shndërrohen në kategori legjitime të veprimit politik. Në këtë pikë, koncepti i Radomir Konstantinoviqit për “Palankën” ofron një kornizë të dobishme për të kuptuar mentalitetin në të cilin një diskurs i tillë mund të bëhej politikisht produktiv. “Palanka” nuk nënkupton thjesht qytezën provinciale si hapësirë gjeografike, por metaforën e një bote të mbyllur, të frikësuar nga ndryshimi dhe nga gjithçka që vjen nga jashtë, ku uniteti shpallet vlerë supreme, ndërsa pluralizmi perceptohet si kërcënim. Duke iu referuar Konstantinoviqit, Sundhaussen e përshkruan Palankën si një botë të mbyllur, pothuajse jashtë kohës, të mbrojtur simbolikisht nga “palisada”, përtej së cilës shtrihet kaosi i “botës absolutisht të hapur”. Në këtë mënyrë, frika nga ndikimet e huaja, nga dallimi dhe nga ndryshimi shndërrohet në një nga parimet organizuese të kësaj shoqërie të mbyllur.
Megjithatë, Memorandumi ndihmoi në krijimin e një strukture interpretuese që e paraqiste bashkimin politik të serbëve dhe rishikimin e kufijve si kërkesa legjitime. Ai krijoi një lidhje ndërmjet viktimizimit historik, centralizimit të Serbisë dhe pretendimit se kufijtë ekzistues nuk garantonin interesat kombëtare serbe. Pikërisht këtu qëndron lidhja e tij me luftërat dhe projektet territoriale që pasuan. Memorandumi nuk e prodhoi nga hiçi nacionalizmin serb; ai sintetizoi dhe institucionalizoi një klimë ideologjike tashmë në formim. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij si frymëzues ideologjik: ankthin demografik, mitin historik, viktimizimin dhe tezën e dobësimit të Serbisë i bashkoi në një narrativë të vetme, së cilës autoriteti i Akademisë i dha legjitimitet intelektual, peshë publike dhe, përfundimisht, përdorshmëri politike.
Teza e shtatë: Nga Memorandumi te “bota serbe” kemi vazhdimësi të qëllimit, por përshtatje të instrumenteve
Pas humbjes së luftërave dhe ndryshimit të rrethanave ndërkombëtare, projekti serbomadh nuk mund të vazhdonte në të njëjtën formë ushtarake. Megjithatë, pjesë të logjikës së tij u përshtatën me një gjuhë të re: mbrojtja e serbëve kudo që jetojnë, uniteti kulturor dhe shpirtëror, ruajtja e kujtesës së përbashkët dhe relativizimi i kufijve shtetërorë. Në këtë pikë, lidhja ndërmjet Memorandumit, diskursit të Millosheviqit dhe “botës serbe” nuk është vetëm analogji retrospektive. Ajo gjen shprehje edhe në diskursin e aktorëve politikë bashkëkohorë. Aleksandar Vulin e ka paraqitur “botën serbe” si projekt për krijimin e një kombi të vetëm politik serb dhe, në formulimin më eksplicit, si “një hapësirë politike, një shtet”. Në një deklaratë tjetër ai argumentonte se Beogradi duhet t’i “mbledhë” serbët rreth vetes dhe se presidenti i Serbisë duhet të jetë president i të gjithë serbëve, pavarësisht se ku jetojnë. Këto formulime nuk janë identike me Memorandumin e vitit 1986, por ruajnë një strukturë të njohur të mendimit politik: tejkalimin e kufijve shtetërorë përmes unitetit kombëtar, paraqitjen e Serbisë si qendër politike të serbëve jashtë saj dhe legjitimimin e integrimit përmes diskursit të mbrojtjes dhe mbijetesës kombëtare. Në këtë kuptim, vazhdimësia nuk qëndron në përsëritjen mekanike të mjeteve, por në mbijetesën e logjikës së organizimit politik të hapësirës serbe.
Vazhdimësia shfaqet në diskursin e aktorëve politikë bashkëkohorë serbë. Më 4 shtator 2020, Aleksandar Vulin, atëherë ministër i Mbrojtjes i Serbisë, deklaroi në Banja Luka se serbët duhet të bëhen “një trup i bashkuar politik” dhe të krijojnë një “botë serbe”, përndryshe rrezikojnë, sipas tij, të pushojnë së ekzistuari si komb. Kjo formulë është domethënëse sepse bashkon në një fjali tri elemente që karakterizonin edhe diskursin e mëparshëm nacionalist: rrezikimin ekzistencial, domosdoshmërinë e unitetit politik dhe tejkalimin simbolik të kufijve ekzistues shtetërorë.
Koncepti bashkëkohor i “botës serbe” nuk është kopje mekanike e Memorandumit. Vazhdimësia mund të përfytyrohet përmes metaforës së trenit: lokomotiva vazhdon të lëvizë mbi të njëjtën linjë ideologjike, ndërsa drejtuesit, mjetet dhe shpejtësia ndryshojnë sipas rrethanave historike. Millosheviqi ishte një nga drejtuesit e kësaj lokomotive, jo krijuesi i shinave mbi të cilat ajo lëvizte. Në këtë kuptim, nga formulimet e elitave nacionaliste, te Millosheviqi dhe më pas te diskursi i “botës serbe”, nuk kemi identitet mekanik të politikave, por vazhdimësi të disa synimeve dhe strukturave narrative, të shoqëruar me përshtatjen e instrumenteve. Në këtë vazhdimësi, një rol të veçantë ka Kisha Ortodokse Serbe. Jens Reuter e konsideron atë ruajtësen kryesore historike të mitit të Kosovës: përmes kujtesës së Betejës së Kosovës, kultit të Lazarit dhe lidhjes së territorit me traditën kishtare mesjetare, Kisha ndihmoi në shndërrimin e Kosovës nga një territor konkret në një kategori sakrale të identitetit kombëtar. Kjo shpjegon pse, edhe në diskursin bashkëkohor, çështja e Kosovës mund të artikulohet jo vetëm si problem politik apo territorial, por si çështje e mbijetesës historike dhe shpirtërore të kombit serb.
Një dëshmi e kësaj vazhdimësie diskursive është rikthimi, në rrethana krejtësisht të ndryshme historike, i gjuhës së rrezikimit ekzistencial të serbëve në Kosovë. Aidan Hehir argumenton se pretendimet e sotme të Beogradit për “spastrimin etnik” të serbëve të Kosovës duhet të lexohen si manifestim bashkëkohor i një sistemi simbolik nacionalist shumë më të vjetër, të riaktivizuar nga Millosheviqi në vitet 1980. Struktura narrative mbetet e ngjashme: Serbia paraqitet si viktimë e fuqive të jashtme dhe e “tradhtarëve” të brendshëm, serbët e Kosovës si komunitet nën kërcënim ekzistencial, ndërsa uniteti kombëtar rreth udhëheqjes politike paraqitet si përgjigjja e domosdoshme.
Një dimension tjetër i kësaj vazhdimësie është përpjekja për kontrollin e kujtesës së luftërave të viteve 1990. Nevenka Tromp argumenton se elitat shtetërore serbe, edhe pas rënies së Millosheviqit, investuan përpjekje të konsiderueshme për të kufizuar qasjen në dokumente që mund ta lidhnin drejtpërdrejt shtetin serb me krimet e luftës dhe me përgjegjësinë për to. Sipas saj, kjo nuk ishte vetëm çështje juridike, por edhe betejë për narrativën historike: shmangia e përgjegjësisë juridike i krijonte hapësirë shtetit që të ndërtonte një kundërnarrativë, të relativizonte përgjegjësinë dhe, në raste të caktuara, ta zhvendoste fajin drejt vetë viktimave. Tromp paralajmëron se, nëse këto narrativa mbeten të pakundërshtuara, Serbia rrezikon të dalë nga konfliktet e viteve 1990 me një histori “më të pastër sesa e meriton”, ndërsa elitat pasluftës ruajnë mundësinë për të ndjekur objektiva të papërfunduara të së njëjtës ideologji politike. Në këtë kuptim, “bota serbe” nuk mbështetet vetëm në instrumente të reja politike, mediatike dhe kulturore, por edhe në një politikë të kujtesës që synon të relativizojë përgjegjësinë e shtetit serb për luftërat e viteve 1990. Pra, pas humbjes së luftërave, beteja u zhvendos edhe te historia: jo më vetëm kush kontrollon territorin, por kush kontrollon kujtesën, dokumentet dhe interpretimin e së kaluarës. Në formulimin e Nevenka Trompit, rreziku është që Serbia, përmes kontrollit të narrativës pas konfliktit, të mbetet me një histori “më të pastër sesa e meriton”. Në këtë kontekst mund të shtrohet edhe pyetja nëse dhe në çfarë mase elemente të narrativave të prodhuara fillimisht në diskursin politik dhe propagandistik serb kanë depërtuar më vonë në mënyrën ndërkombëtare të interpretimit juridik të luftës së Kosovës, përfshirë proceset që çuan në krijimin e Dhomave të Specializuara. Problemi këtu nuk është ekzistenca e përgjegjësisë penale individuale, e cila duhet të përcaktohet vetëm mbi bazën e provave, por rreziku i një rrafshimi narrativ të dallimit historik ndërmjet dhunës së organizuar shtetërore serbe dhe rezistencës së armatosur të UÇK-së.
Teza përmbyllëse
Dyzet vjet pas publikimit të Memorandumit, rëndësia e analizimit të tij nuk qëndron vetëm në përcaktimin e përgjegjësisë historike. Ajo që është më e rëndësishme është identifikimi i mekanizmit përmes të cilit një interpretim akademik dhe nacionalist mund të kalojë nga ideja te institucioni, nga institucioni te politika dhe nga politika te dhuna.
Memorandumi i SANU-së, duke e paraqitur Serbinë si viktimë, centralizimin si drejtësi dhe riorganizimin territorial si domosdoshmëri, kontribuoi në krijimin e një prej bazave ideologjike të projektit politik që më pas u shndërrua në politika shtetërore, luftëra, dëbime dhe krime masive. Për Kosovën, ky proces filloi me mohimin e subjektivitetit të saj politik, vazhdoi me suprimimin e autonomisë dhe kulmoi me represionin shtetëror dhe spastrimin etnik.
Por trashëgimia e Memorandumit nuk qëndron vetëm në atë që prodhoi në vitet 1980 dhe 1990. Ajo që e bën atë ende aktual është aftësia e narrativave për të mbijetuar edhe pasi regjimet që i instrumentalizuan ato janë rrëzuar. Studimet mbi mitet kombëtare tregojnë se narrativat e rrënjosura në kujtesë, simbole dhe përfytyrime kolektive mund të transmetohen brez pas brezi dhe të vazhdojnë të strukturojnë mënyrën se si shoqëritë e interpretojnë të tashmen.
Pikërisht për këtë arsye, ballafaqimi me Memorandumin nuk është vetëm debat mbi të kaluarën. Është edhe çështje e së tashmes dhe e së ardhmes. Nëse mitet e viktimizimit, kërcënimit dhe të drejtës historike mbi territorin vazhdojnë të riprodhohen, ato mund të përshtaten me kontekste të reja politike dhe të legjitimojnë forma të reja presioni, ndikimi dhe ndërhyrjeje. Narrativat kombëtare nuk janë statike; ato ndryshojnë, përshtaten dhe riformulohen sipas nevojave të reja politike.
Prandaj, “bota serbe” nuk duhet trajtuar si doktrinë plotësisht homogjene ose si program i vetëm zyrtar shtetëror. Ajo funksionon si një koncept elastik, brenda të cilit bashkëjetojnë variante kulturore, shpirtërore, kombëtare dhe gjeopolitike. Pikërisht ky elasticitet e bën politikisht funksionale: diskursi kulturor e bën konceptin më të pranueshëm publikisht, ndërsa formulime si ato të Vulinit zbulojnë potencialin e tij për t’u artikuluar edhe si projekt i unitetit politik dhe territorial.
Communication présentée lors de la conférence scientifique « Le Mémorandum de l'Université nationale autonome du Kosovo et le projet de Grande Serbie : doctrine idéologique, guerres destructrices et question du Kosovo », organisée le 4 septembre à la Bibliothèque nationale du Kosovo par l'Institut des crimes de guerre au Kosovo (IKKL) et l'Institut d'histoire « Ali Hadri ».