Tranzicioni drejt energjisë së pastër ka edhe sfida. Ai kërkon vendosmëri, lidership politik, ekspertizë teknologjike dhe burime financiare. Megjithatë, kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë sesa kostoja e veprimit
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar, i mbajtur në fund të muajit të shkuar, ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Ai mblodhi mbi 600 pjesëmarrës nga Kosova dhe Gjermania. Shumë prej tyre përfaqësonin kompani të interesuara të fillonin aktivitetin e tyre në Kosovë ose të zgjeronin angazhimin ekzistues. Kosova është e pozicionuar mirë për t’i thelluar më tej lidhjet e saj ekonomike me Gjermaninë. Fuqia punëtore e kualifikuar dhe dinamike, sistemi i favorshëm tatimor për bizneset, afërsia me tregjet e BE-së, përdorimi i euros dhe lidhjet e forta njerëzore e bëjnë Kosovën një partner tërheqës për investime dhe tregti. Më la mbresa veçanërisht fryma pozitive që ndjeva gjatë forumit.
Megjithatë, një çështje u rikthye vazhdimisht në prezantime, diskutime panelesh dhe biseda të shumta gjatë pushimeve të kafesë: siguria dhe përballueshmëria e furnizimit me energji në Kosovë.
Furnizimi me energji nuk është vetëm një shqetësim i komunitetit ekonomik. Ai përbën themelin e qëndrueshmërisë kombëtare, të shëndetit publik dhe të integrimit evropian të vendit. Kosova sot ndodhet në një pikë kthese, nga e cili mund të zgjedhë në mes të rrugëve të ndryshme për të ardhmen e saj energjetike.
Pak vendime do të ndikojnë aq thellësisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në fuqinë e ekonomisë sa mënyra se si vendi prodhon, siguron dhe konsumon energjinë. Për dekada me radhë, qytetarët dhe bizneset e Kosovës janë mbështetur te linjiti për prodhimin e energjisë elektrike. Edhe sot, rreth 90% e energjisë elektrike në vend prodhohet nga qymyri, kryesisht në dy termocentrale të vjetruara. Me fjalë të tjera: motori ekonomik i Kosovës vazhdon të funksionojë me një infrastrukturë energjetike të projektuar në vitet 1960 dhe 1980. Në kombinim me luhatjet e çmimeve në tregjet globale të energjisë dhe degradimin e mjedisit, kjo paraqet rreziqe të konsiderueshme për zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe shëndetin publik.
Ekziston një konsensus i gjerë se furnizimi i Kosovës me energji elektrike duhet të zgjerohet, modernizohet, diversifikohet dhe të bëhet më i pastër. Në të njëjtën kohë, ai duhet të mbetet i përballueshëm, të bëhet më i qëndrueshëm dhe më i integruar në nivel rajonal. Kosova i ka vendosur vetes objektiva ambicioze: Strategjia Kombëtare e Energjisë synon të rrisë pjesëmarrjen e energjisë së pastër në 35%, nga vetëm 6% që ishte në vitin 2021, ndërsa deri në vitin 2050 ekonomia synon të jetë plotësisht e dekarbonizuar.
Më lejoni të ndaj katër arsye pse besoj se kjo përpjekje ia vlen, pse rruga drejt energjisë së pastër dhe të qëndrueshme është zgjedhja e duhur për Kosovën dhe si Gjermania mund të bashkëpunojë në këtë proces tranzicioni.
Energjia e pastër është e përballueshme
Burimet moderne të energjisë së ripërtëritshme, si energjia diellore, ajo e erës dhe energjia gjeotermale, sot kushtojnë më pak gjatë ciklit të tyre jetësor sesa ndërtimi dhe operimi i kapaciteteve të reja me qymyr apo gaz. Kjo vlen edhe për Kosovën, ku rezervat e linjitit janë të mëdha dhe është një nga arsyet pse planet për ndërtimin e termocentralit të ri me bazë qymyri (“Kosova C”) nuk u realizuan kurrë.
Ndërsa investimet në kapacitete të reja me qymyr ose gaz financohen shpesh nga shteti, energjia e ripërtëritshme krijon mundësi atraktive investimi për sektorin privat, nëse ekziston korniza e duhur rregullative.
Këtë e shoh si një mundësi të jashtëzakonshme ekonomike, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë. Ankandet e para konkurruese për energjinë diellore dhe të erës përbëjnë gurë miliarë të rëndësishëm. Ato dëshmuan se investitorët vendas dhe ndërkombëtarë janë të gatshëm të investojnë kapital kur rregullat janë të qarta, transparente dhe zbatohen në mënyrë konsekuente. Investime të tilla mbajnë energjinë elektrike të përballueshme dhe krijojnë vende pune.
Një sasi e konsiderueshme energjie vazhdon të humbet për shkak të izolimit të dobët të ndërtesave në Kosovë. Prandaj, investimet në efiçiencën e energjisë zakonisht shpërblehen shpejt, si për ekonomitë familjare, ashtu edhe për bizneset.
Nuk është e nevojshme kriza aktuale globale e çmimeve të naftës për të kuptuar se tendenca është e qartë kristal: përparimet e mëtejshme në teknologjitë diellore, të erës, gjeotermale dhe të baterive do t’i bëjnë burimet e ripërtëritshme gjithnjë e më të përballueshme. Energjia e ripërtëritshme, në kombinim me përmirësimin e efiçiencës energjetike, do t’u ofrojnë kompanive dhe qytetarëve të Kosovës një rrugë drejt energjisë më të përballueshme.
Energjia e pastër është e qëndrueshme dhe e sigurt
Siguria e vërtetë energjetike nënkupton furnizim të pandërprerë dhe të përballueshëm me energji elektrike për çdo familje dhe biznes. Edhe para agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, ishte e qartë se rrjetet energjetike, tubacionet dhe sistemet kritike të ujit mund të shndërroheshin në objektiva të sulmeve hibride. Mbrojtja e infrastrukturës kritike është sot një çështje e sigurisë kombëtare.
Një sistem energjetik i decentralizuar, i diversifikuar dhe i ndërlidhur në rajon është gjithashtu më i qëndrueshëm. Zëvendësimi i termocentraleve të centralizuara dhe të cenueshme me parqe të energjisë diellore dhe të erës, energji gjeotermale, sisteme të ruajtjes së energjisë në bateri, hidrocentrale (me akumulim pompues) dhe me linja transmetimi të modernizuara e të zgjeruara do ta bëjë sistemin energjetik të Kosovës më të qëndrueshëm dhe më pak të cenueshëm nga ndërprerjet. Gjatë tranzicionit drejt një sistemi energjetik të dekarbonizuar, kapacitetet bazë nga burimet jo të ripërtëritshme mund të reduktohen gradualisht.
Energjia e pastër përmirëson shëndetin publik
Për dekada të tëra, ndotja e ajrit nga qymyri dhe sistemet joefikase të ngrohjes kanë shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Ajo ka shkaktuar nivele të larta të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të zemrës, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit. Çdo vit, qindra njerëz humbin jetën si pasojë e ndotjes së ajrit të shkaktuar nga termocentralet me qymyr në Kosovë. Mjafton të mendojmë për smogun e rëndë dimëror në Prishtinë dhe për pasojat që këto emetime kanë për fëmijët që vuajnë nga astma. Largimi gradual nga lëndët djegëse fosile shpëton jetë. Njëkohësisht, ai ul kostot e kujdesit shëndetësor, e ditëve të humbura të punës dhe, në fund të fundit, kontribuon në një jetë më cilësore dhe më të shëndetshme për njerëzit e Kosovës.
Energjia e pastër hap rrugën drejt integrimit evropian
Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon harmonizimin e legjislacionit të sektorit energjetik me acquis-in e BE-së. Kosova është palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe është zotuar të përafrojë politikat klimatike me ato të Bashkimit Evropian, përfshirë objektivin e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Kosova tashmë ka miratuar objektiva klimatike të ngjashme me Marrëveshjen e Parisit dhe është pjesë e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Këtë vit hyri në fuqi për Kosovën Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), instrumenti i Bashkimit Evropian që lidh objektivat klimatike me politikën tregtare. Kosova tashmë paguan kosto shtesë për eksportin e energjisë fosile dhe të produkteve me intensitet të lartë energjetik drejt tregut të BE-së. Për më tepër, nëse, për shembull, Shqipëria do t’i bashkohej Bashkimit Evropian para Kosovës, tregtimi i energjisë elektrike me Shqipërinë do të bëhej dukshëm më i kushtueshëm për Kosovën për shkak të gjurmës së lartë të karbonit të prodhimit aktual të energjisë në vend. Prandaj, sa më shpejt të realizohet dekarbonizimi në Kosovë, aq më të ulëta do të jenë kostot për bizneset dhe taksapaguesit, si dhe aq më i lehtë do të bëhet qasja për Kosovën në investimet evropiane në sektorin energjetik.
Nëse Kosova e lidh rrjetin e saj relativisht të vogël elektrik me rrjetin më të gjerë rajonal dhe evropian, ajo do të ketë më shumë mundësi tregtare dhe një furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike. Diku në Evropë era fryn gjithmonë dhe dielli shkëlqen. Një rrjet i ndërlidhur do ta sjellë energjinë nga këto burime në Kosovë me një kosto të përballueshme.
Kosova dhe Gjermania: Një partneritet i fortë për energjinë e pastër
Tranzicioni drejt energjisë së pastër ka edhe sfida. Ai kërkon vendosmëri, lidership politik, ekspertizë teknologjike dhe burime financiare. Megjithatë, kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë sesa kostoja e veprimit.
Kosova disponon burime të konsiderueshme të energjisë së pastër: erë, diell, ujë dhe ngrohje gjeotermale. Vendi ka gjithashtu frymën sipërmarrëse të nevojshme për të çuar përpara tranzicionin e gjelbër dhe ka vendosur objektiva ambicioze politike. Të gjitha këto e pozicionojnë Kosovën mirë për të përshpejtuar rrugëtimin e saj drejt një sistemi energjetik të sigurt, të përballueshëm dhe të pastër.
Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këtë përpjekje, si partnere për zhvillim të qëndrueshëm, si investitore dhe si fqinj evropian.
Për më shumë se dy dekada, Gjermania ka mbështetur zhvillimin dhe integrimin evropian të sektorit energjetik të Kosovës. Aktualisht, Qeveria Federale Gjermane financon nëntë projekte dypalëshe bashkëpunimi në mbështetje të tranzicionit energjetik të Kosovës, në fusha si politika klimatike dhe energjetike, modernizimi i rrjetit energjetik, energjia fotovoltaike, ngrohja qendrore diellore-termike dhe efiçienca e energjisë. Përmes KfW-së dhe GIZ-it, Gjermania po siguron mbi 250 milionë euro për realizimin e këtyre projekteve së bashku me partnerët kosovarë.
Këto projekte përbëjnë shtyllat themelore të Partneritetit Klimatik me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, të nisur në vitin 2023. Ky partneritet kombinon dialogun politik, mbështetjen për politika efektive dhe forcimin e institucioneve me investime të qëndrueshme që sjellin rezultate konkrete, siç janë parku solar prej 100 MW që do të ndërtohet mbi deponitë e hirit të Termocentralit Kosova A apo sistemi i ngrohjes qendrore diellore-termike për qytetarët e Prishtinës.
Përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër është një mundësi që Kosova nuk guxon ta humbasë. Ai përbën një investim në njerëzit e saj, në bizneset e saj dhe në të ardhmen e saj.
(L'auteur est l'ambassadeur de la République fédérale d'Allemagne au Kosovo)