Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Lifestyle

Les trajets quotidiens pour aller au travail peuvent endommager votre cœur.

Voyager en voiture

Voyager en voiture

Kalimi i shumë orëve në veturë gjatë rrugës për në punë dhe kthimit në shtëpi mund të ketë pasoja për shëndetin e zemrës. Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Houstonit, stresi dhe përqendrimi i vazhdueshëm gjatë drejtimit të automjetit e mbajnë zemrën në një gjendje më të ngarkuar, edhe pse trupi qëndron ulur, ka shkruar The Independent.

Studiuesit zbuluan se ankthi gjatë drejtimit të veturës mund të shkaktojë rritje të rrahjeve të zemrës, madje edhe një rrahje shtesë në minutë te personat që kalojnë deri në tetë orë në ditë pas timonit.

“Drejtimi i veturës kërkon vëmendje të vazhdueshme, marrje vendimesh dhe gatishmëri për të reaguar. Trupi mund të jetë ulur, por mendja është vazhdimisht në punë dhe zemra e pasqyron këtë ngarkesë”, ka shpjeguar Ioannis Pavlidis, një nga autorët kryesorë të studimit.

Pse mund të jetë problematike rritja e rrahjeve të zemrës?

Rrahjet shtesë të zemrës, të cilat ndonjëherë ndihen si dridhje ose rrahje të forta në kraharor, zakonisht nuk përbëjnë problem te personat me zemër të shëndetshme. Ato mund të shfaqen edhe gjatë periudhave të stresit.

Megjithatë, kur ndodhin shpesh, kërkojnë vlerësim mjekësor. Në disa raste, një ritëm i vazhdueshëm tepër i lartë i zemrës mund të kontribuojë në zhvillimin e kardiomiopatisë, një gjendje që dobëson muskulin e zemrës.

Kjo sëmundje mund të çojë në komplikime serioze, përfshirë mpiksjen e gjakut dhe, në raste të rënda, arrestin kardiak.

Ekspertët bëjnë dallimin mes rritjes së rrahjeve të zemrës gjatë aktivitetit fizik dhe asaj që ndodh gjatë drejtimit të makinës. Gjatë ushtrimeve fizike, zemra punon më shumë për të furnizuar muskujt me gjak dhe oksigjen, duke sjellë përfitime për shëndetin.

Ndërsa gjatë qëndrimit të gjatë pas timonit, zemra mund të përjetojë ngarkesë të shtuar pa përfitimet që sjell aktiviteti fizik.

“Kur zemra punon më shumë ndërkohë që ne jemi ulur pas timonit, nuk përfitojmë asgjë nga efektet pozitive të ushtrimeve fizike. Kur kjo ndodh për periudha të gjata, çdo ditë, duhet të mendojmë për pasojat e mundshme në shëndetin afatgjatë”, paralajmëron Pavlidis.

Studimi analizoi rreth 180 mijë matje

Për të kuptuar ndikimin e drejtimit të veturës, studiuesit përdorën orë inteligjente dhe smartphone (telefona të mençur) për të monitoruar rrahjet e zemrës së 57 të rriturve në qytete të mëdha të Teksasit, përfshirë Houstonin, Dallasin dhe San Antonion.

Gjatë një jave, ata mblodhën rreth 180 mijë matje të rrahjeve të zemrës dhe i krahasuan ato me të dhënat për motin dhe trafikun.

Rezultatet treguan se gjatë 94 për qind të kohës së kaluar në drejtimin e veturës, rrahjet e zemrës ishin mbi nivelin normal të pushimit.

Për krahasim, gjatë kohës së kaluar ulur në shtëpi, kjo ndodhte në 81 për qind të kohës.

Nevojiten studime të mëtejshme

Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime më të gjera për të kuptuar plotësisht ndikimin e drejtimit të veturës në shëndetin kardiovaskular.

Në fazën tjetër, ekipi planifikon të përfshijë më shumë pjesëmarrës, për periudha më të gjata, sidomos persona që udhëtojnë distanca të mëdha për në punë dhe ata që e kanë drejtimin e automjetit profesion.

Një tjetër aspekt që do të studiohet është nëse automjetet autonome, ku shoferi bëhet pasagjer dhe makina drejton vetë, mund të ulin ngarkesën mbi zemrën.

Sipas ekspertëve, stresi i përditshëm në trafik nuk duhet nënvlerësuar. Përveç kujdesit gjatë drejtimit të automjetit, pushimet gjatë udhëtimeve të gjata dhe aktiviteti i rregullt fizik mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës.

Studimi është kryer me vetëm 57 pjesëmarrës dhe tregon një lidhje mes drejtimit të veturës dhe rritjes së ritmit të zemrës, jo se udhëtimi me veturëshkakton drejtpërdrejt sëmundje të zemrës.