Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Lifestyle

Le diabète de type 2 augmente de 53 % le risque de développer la maladie d'Alzheimer.

Diabète

Personat që vuajnë nga diabeti i tipit 2 kanë 53 për qind më shumë rrezik për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit, krahasuar me ata që nuk vuajnë nga kjo formë e diabetit. Ky është përfundimi i një studimi të gjerë shkencor të udhëhequr nga Universiteti Curtin, i cili hedh më shumë dritë mbi lidhjen mes këtyre dy sëmundjeve, shkruan ScienceDaily.

Studiuesit analizuan të dhënat nga 40 studime të ndryshme, duke shqyrtuar se sa shpesh personat me diabet të tipit 2 zhvillojnë Alzheimer dhe sa më i lartë është rreziku në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë.

Sipas rezultateve, për çdo 1.000 persona me diabet të tipit 2, rreth 4.7 prej tyre zhvillojnë Alzheimer brenda një viti.

Analiza ka treguar se personat me diabet të tipit 2 kanë një rrezik relativisht 53 për qind më të lartë për t’u prekur nga Alzheimeri, një nga format më të zakonshme të demencës, që ndikon në kujtesë, të menduar dhe aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme.

Sipas doktorit Emmanuel Adewuyi, studiues në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Curtin, ky kërkim ofron një kuptim më të qartë të lidhjes mes diabetit dhe Alzheimerit.

Ai ka shpjeguar se studimet e mëparshme shpesh i kishin trajtuar së bashku lloje të ndryshme të diabetit dhe demencës, ndërsa ky kërkim u përqendrua posaçërisht te diabeti i tipit 2 dhe sëmundja e Alzheimerit.

“Ndryshe nga shumë analiza të mëparshme, të cilat përfshinin forma të ndryshme të diabetit ose demencës, ky studim u përqendrua vetëm te diabeti i tipit 2 dhe Alzheimeri, duke vlerësuar edhe sa raste të reja shfaqen”, ka thënë Adewuyi.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme të kuptohet dallimi mes rrezikut relativ dhe numrit real të rasteve të reja.

“Rreziku relativ na tregon se si krahasohen dy grupe, ndërsa incidenca tregon sa raste të reja shfaqen. Kur i shqyrtojmë të dyja së bashku, kemi një pamje më të qartë të ndikimit të Alzheimerit te personat që jetojnë me diabet të tipit 2”, ka shpjeguar studiuesi.

Studimi me titull “Incidence and Risk of Alzheimer’s Disease in Individuals with Type 2 Diabetes” u publikua në revistën shkencore Alzheimer’s Research & Therapy.