Soutenez TIME. Préservez la vérité.
JOURNAL DU SOIR

Quinze ans plus tard, l'acte d'accusation initial pour le meurtre de Diana Kastrati est modifié ; un procès par contumace est demandé.

Diane Kastrati

Pas 15 vjetësh nga vrasja e Diana Kastratit, e tre vjet nga ngritja e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që gjykimi të mbahet në mungesë. Kjo, për shkak që institucionet nuk kanë arritur ta kapin Adnan Jasharin, që dyshohet se maj të vitit 2011, në mes të rrugës, e kishte qëlluar për vdekje ish-partneren e tij. Seanca fillestare për këtë rast pritet të mbahet këtë muaj.

15 vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, e tre vjet nga ngritja e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar ndryshimin e zhvillimit të gjykimit ndaj Adnan Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-partneres së tij.

Ndryshe nga aktakuza fillestare, në dokumentin për plotësimin e saj Prokuroria ka kërkuar gjykim në mungesë. Kjo, për shkak që institucionet nuk kanë arritur ta kapin Jasharin.

Në shtator të këtij viti, Gjykata i ka bërë ftesë të pandehurit Jashari, të paraqitet në seancën fillestare për këtë rast, e planifikuar të mbahet javën e ardhshme.

“Konform nenit 303 paragraf 8 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata i bën thirrje të akuzuarit Adnan Jashari të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet në prezencë të tij. Gjykata i bën thirrje çdo personi që ka informacion policisë, me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarit Adnan Jashari në këtë çështje penale”. 

Diana Kastrati u vra rreth një muaj pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata.

Pas zhvendosjes te shtëpia e prindërve të saj, më 26 prill të 2011-s, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, ajo iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente. Sipas ligjit, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve. Por, kërkesa nuk mori përgjigje. Pas 22 ditësh, Diana u vra.

Sipas aktakuzës, krimi është kryer nga Jashari në mes të rrugës duke e goditur me armë në qafë, në udhëkryqin e rrugëve “Haxhi Zeka” dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë.

“Ditën kritike i pandehuri pasi paraprakisht e kishte përcjellë tani të ndjerën Diana Kastrati, befasisht ia kishte zënë rrugën, e pastaj me përdorimin e dhunës ishte munduar ta marrë me vete, mirëpo e njëjta nuk ishte bindur dhe derisa tani e ndjera dëshironte të largohej nga i pandehuri, i pandehuri nga hakmarrja e paskrupullt dhe me dashje që ta privojë nga jeta, nga brezi ka nxjerrë revolen, ndërsa me një dorë e ka mbajtur për koke, tani të ndjerën Diana Kastrati, ka shtënë dy herë me revole në drejtim të saj dhe e ka qëlluar në qafë nga afërsia, e ka futur armën në brez dhe me hapa normalë ka vazhduar në drejtim të rrugës së Tregut”, thuhet në aktakuzë. 

Përveç veprës penale “Vrasje e rëndë”, Jashari akuzohet edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“E ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, armën e tipit të panjohur e kal.7.65mm, të cilën e ka përdorur në kohën, vendin dhe mënyrën e cekur si në aktakuzë”, thuhet në aktakuzë. 

Në prill të vitit 2012, prindërit e Diana Kastratit iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre. Në shkurt të vitit 2013, Kushtetuesja konstatoi shkelje të së drejtës së saj për jetë, për shkak të mosveprimit të gjykatës.

Më 10 shkurt 2023, Gjykata e Apelit vendosi që Këshilli Gjyqësor dhe Qeveria të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të së ndjerës, Diana Kastrati.