Soutenez TIME. Préservez la vérité.
JOURNAL DU SOIR

Un mois de détention pour l'ex-mari d'Arlinda Zekaj, assassinée.

Vies Sylaj

Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar një muaj paraburgim Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, që është vrarë të dielën. Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se Sylaj e ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”. E në kërkesë, Prokuroria ka bërë të ditur se Sylaj e ka kërcënuar viktimën pak orë para se ajo të vritej. I dyshuar për vrasjen është ish-kunati

Ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, ka dalë para gjykatës në Pejë të martën. 

Me kërcënime ndaj tani së ndjerës, ai dyshohet se e ka shkelur urdhrin e Gjykatës.

Jeton Sylaj, sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, dyshohet se në natën kur është vrarë Arlinda Zekaj, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, ndonëse në fuqi ishte urdhri që të mos i afrohej.

Andaj, për Sylajn, Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e paraburgimit edhe për një muaj, e këtë e ka pranuar gjykata pak orë më pas.

“I njëjti pasi që është shoqëruar në stacionin policor bashkë me viktimën e ndjerë është intervistuar dhe është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Shkodran Nikqi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Sipas kërkesës të cilën e ka siguruar KOHA, pas kërcënimeve, i pandehuri dyshohet se ia ka marrë rrobat bashkëshortes dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.

“I njëjti nuk i bindet urdhrit të lartcekur dhe përsëri ushtron dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes, të ndjerës Arlinda Sylaj, duke ju drejtuar me fjalët kërcënuese, siç janë "unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon kështu me vepru, kush je ti", e pastaj nga rrobalarësja, në të cilën viktima kishte vendosur rrobat për t’i larë, i pandehuri i heq të njëjtat duke i hedhur në oborrin e shtëpisë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për paraburgim.

Sipas Prokurorisë, caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm për shkak të rrezikut të arratisjes.

Në kërkesë është potencuar se ai ka pasaportë edhe të SHBA-së, por si arsye për paraburgim është përmendur edhe mundësia e dënimit të lartë, meqë ka disa vepra penale që rëndojnë mbi të.

“Po ashtu, duke marrë për bazë se sipas databazës së policisë të siguruar për të pandehurin, konstatohet ndër të tjera se i njëjti ka gjashtë (6) raste të hapura penale, ku prej tyre katër (4) raste penale datojnë në vitin 2026 dhe atë rastet sipas numrit policor 2016-DC-13, 2016-DC-14, 2026-DA-853, 2026-DA-1197, 2026-DA-1274, si dhe 2026-DA-1402, dhe duke qenë se për këto raste penale, të njëjtit mund t’i shqiptohet një dënim i lartë përkitazi me peshën dhe numrin e veprave penale, atëherë me lënien e tij në liri ka rrezik real se i njëjti lehtë mund të arratiset, dhe me këtë rast t’i shmanget procedurës penale, në mënyrë që i njëjti të ikë nga përgjegjësia penale”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Gjykata Themelore në Pejë ka pranuar kërkesën dhe në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Jeton Sylaj e ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

E pak para se të niste seanca për caktimin e masës së sigurisë, të martën, një grup nxënësish të shkollave të Pejës, kanë protestuar para Gjykatës dhe para Stacionit policor në Pejë.

Ata kanë kërkuar drejtësi për rastin e Arlinda Zekajt.

“Drejtësi për të gjitha gratë e vrara. Se kemi pritë mirë se të gjitha jemi nëna. Gjithë kemi nga një vajzë me ia dhënë dikujt”, ka thënë një mësuese që po shoqëronte nxënësit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka thënë se fëmija i së ndjerës Arlinda Zekaj, është marrë nën përkujdesje te shtetit.

“Unë mendoj se për këtë çështje duhet t’i drejtoheni Qendrës për Punë Sociale, e cila është kompetencë e saj, mund të konfirmoj se fëmija gjendet në njërën nga strehimoret e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, nga Qendra për Punë Sociale nuk kanë pranuar të flasin për rastin, me arsyetimin se janë të zënë me trajtimin e tij”, ka thënë ai.

Arlinda Zekaj është qëlluar për vdekje me sëpatë, mbrëmjen e së dielës, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar është ish-kunati i saj, që sipas autoriteteve gjendet ende në arrati. 

Tri ditë para se të vritej, nëpërmjet një letre drejtuar Prokurorisë në Pejë ajo kishte njoftuar institucionin për rrezikun.
E ceremonia e varrimit të saj është mbajtur të martën në fshatin Radac të Pejës.