Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, kërkohet njohja e Kosovës nga ky shtet. Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Paris, ai ka shprehur pritjen që këtë ta bëjë qeveria e re në Beograd, që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 tetorit
Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të nisë me dorëzimin e Milan Radoiçiqit, ka thënë të martën, kryeministri Albin Kurti në një diskutim me studentë të Shkollës së Parisit për Çështje Ndërkombëtare.
Gjatë vizitës në Francë, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, Kurti ka thënë se qeveria e re e Serbisë, e dalë pas zgjedhjeve të 25 tetorit, duhet ta njohë Kosovën si shtet.
“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete. Dhe Serbia duhet ta braktisë fushatën e saj agresive kundër njohjes sonë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
E gjatë pjesëmarrjes në një tjetër panel, Kurti është pyetur nëse ndihma e shtetit për apelimin e vendimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së përbën ndërhyrje të politikës në drejtësi.
Ai ka thënë se mbështetja e ekipeve mbrojtëse nuk bie ndesh me parimin e ligjit mbi politikën.
“Nëse nuk jeni të kënaqur me verdiktin, bëji të gjitha punët e nevojshme për apelim dhe kurrë mos u ndal të besosh në të vërtetën dhe të punosh për drejtësinë”, ka thënë ai. Paneli i titulluar “Krijimi i paqes që qëndron dhe rindërtimi i shoqërive pas luftës”, është moderuar nga Tatiana Carayanis, këshilltare për çështje globale dhe teknologji në Institutin për Studime të Avancuara.
Krahas Kurtit, në panel ka marrë pjesë edhe Carlo Monticelli, guvernator në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës.
aussi
Kurti à Special : Si vous n’êtes pas satisfait de la décision, effectuez toutes les démarches nécessaires pour faire appel.
Kurti në këtë diskutim ka dhënë këshilla edhe për Sirinë e Ukrainën. Ai ka theksuar se gjatë procesit të rindërtimit pas luftës, shtetet nuk duhet ta shkëmbejnë demokracinë për zhvillimin, por duhet t’i mbajnë të dyja.
Po ashtu ka folur edhe për rëndësinë e arsimit dhe shëndetësisë, si parakushte që investimet në infrastrukturë të përkthehen në zhvillim.
“Infrastruktura nuk është zhvillim në vetvete. Infrastruktura e bart zhvillimin - është diçka që shërben si platformë për zhvillim, por ashtu si rrugët, spitalet dhe shkollat nuk përfaqësojnë zhvillim të vërtetë, nevojitet arsim cilësor, nevojiten shërbime gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor publik, nevojiten vende pune, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë. Vetëm atëherë infrastruktura që keni ndërtuar bëhet zhvillim dhe progres”, ka thënë ai. Por, në Kosovë, këto fusha vazhdojnë të përballen me sfida.
Gjatë qeverisjes 6-vjeçare të Kurtit, nxënësit kosovarë kanë shënuar rezultate të dobëta në testin PISA dhe nuk është shënuar progres nga viti në vit. Në shëndetësi, ndonëse është rritur buxheti, pacientët përballen me mungesë të medikamenteve të listës së barnave esenciale, e Raporti i Progresit për vitin 2026 ka evidentuar se 40% të shpenzimeve shëndetësore paguhen nga vetë pacientët.
E sa u përket investimeve kapitale, kategori që përfshin infrastrukturën, nga të dhënat e Ministrisë së Financave rezulton se nga janari 2026 deri në shtator, Qeveria ka shpenzuar vetëm 30% të buxhetit për këtë kategori të shpenzimeve.