Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

Le festival allemand, qui fête ses 75 ans, récompense le talent de Pinea Matoshi avec « Dua ».

Pinea Matoshi dans le rôle de Dua dans le film "Dua" de Blerta Bashollit

Pinea Matoshi dans le rôle de Dua dans le film "Dua" de Blerta Bashollit

Në njërën prej ngjarjeve filmike më me traditë në Gjermani –  Festivalin Ndërkombëtar i Filmit – Mannheim-Heidelberg – talenti i Pinea Matoshit nuk ka kaluar pahetueshëm dhe me Çmimin për aktoren më të mirë të re, ia ka vulosur interpretimin në filmin “Dua” të Blerta Bashollit. E ka konfirmuar vlerësimin që ia kishte bërë qysh se e ka nominuar, duke e cilësuar si aktore që “mishëron në mënyrë autentike një vajzë të re me qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, e cila di të përballet me vështirësitë, pavarësisht ashpërsisë dhe pasigurisë së kushteve në të cilat jeton, madje edhe përkundër përvojave traumatike që ka kaluar”

Pinea Matoshi me rolin e saj në filmin “Dua” në të cilin debuton si aktore, ka goditur edhe në Gjermani. Ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë të re, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit – Mannheim-Heidelberg, i cili renditet si njëri prej festivaleve gjermane më me traditë, fill pas “Berlinales” së famshme. Shquhet veçmas për zbulimin e talenteve të reja. Sivjet shënon edicionin e 75-të, vetëm një më pak se sa ai i Berlinit. Prej tij kanë dalë emra të shquar të kinematografisë botërore, e emri i Pinea Matoshit është dëgjuar të enjten mbrëma në Sallën e Madhe në Heidelberg. Ajo ka qenë e pranishme në ceremoni. Për “Young Actors Award 2026” ka qenë e nominuar tok me Sim Su-bin nga Koreja e Jugut për rolin e saj në “The World Before” në regji të Yoon Dan-bi dhe aktorin francez, Colas Quignard për rolin e tij në filmin “La Gradiva” të regjisores Marine Atlan. 

Trofeu për Matoshin, është vulosje e përshkrimit që ia ka bërë Festivali qysh se e ka nominuar. 

“Roli i saj si Dua në filmin me të njëjtin titull, nën regji të Blerta Bashollit, shënon debutimin e saj si aktore. Për këtë adoleshente, aktrimi përfaqëson një mundësi për të eksploruar histori, emocione dhe këndvështrime të ndryshme. Në të vërtetë, nëpërmjet rolit të saj, ajo arrin të përshkojë në mënyrë mbresëlënëse një gamë të gjerë të botës së brendshme njerëzore: nga pikëllimi dhe melankolia, te çiltërsia, gjallëria rinore dhe zemërimi. Ajo shfaqet e brishtë dhe e lënduar, por njëkohësisht e fortë dhe e vendosur”, shkruhet në përshkrim. Interpretimi i saj është vlerësuar edhe në festivale të tjera botërore ku është shfaqur “Dua”. Nuk iku pa çmim as prej edicionit të 14-të të “Waterloo Historical Film Festival” në Belgjikë muajin e kaluar. 

“Pinea e mishëron në mënyrë autentike një vajzë të re me qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, e cila di të përballet me vështirësitë, pavarësisht ashpërsisë dhe pasigurisë së kushteve në të cilat jeton, madje edhe përkundër përvojave traumatike që ka kaluar. Pinea dëshiron të vazhdojë rrugëtimin e saj në botën e aktrimit”, ka shkruar Festivali Ndërkombëtar i Filmit – Mannheim-Heidelberg. Bashkë me çmimin asaj i takon edhe shpërblimi prej 10 mijë eurosh. 

Çmimi për Aktorët e Rinj do të ndahej për herë të parë në vitin 2024 me synimin për të vlerësuar interpretimin e jashtëzakonshëm në aktrim nga një aktor i ri, në ngritje.  “Në këtë mënyrë, çmimi vazhdon traditën e pasur të IFFMH-së për promovimin e kineastëve të rinj, duke pasur një qasje të orientuar drejt së ardhmes”, shkruhet në ueb-faqen e Festivalit. “Imagine Futures!” (Imagjino të ardhmen!), është motoja e sivjetme e Festivalit dhe “synon të nxisë reflektimin mbi të ardhmen, perspektivat e reja dhe zërat e rinj të kinematografisë botërore”. 

“Dua” një rrëfim intim e njëkohësisht universal i luftës që e koncentron ngjarjen në Prishtinë në fund të viteve ’90, ka kohë që ka ndezur ekranet në festivale gjithandej. Ky i fundit është i 14-ti ku merr pjesë. Rrugëtimin e nisi në majin e sivjetmë në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes. Në “Semaine de la Critique”, ku u përzgjodh në garën e filmave të gjatë fitoi “SACD”, që është çmimi për skenar me të cilin janë vlerësuar Blerta Basholli dhe Nicole Borgea. 

Dua (Pinea Matoshi) ka barrën kryesore të shpalosjes së rrëfimit. Luan adoleshenten 13-vjeçare të gjeneratës që mësimin e mban në shtëpi-shkolla, pasi pushteti i Serbisë ka ndaluar përdorimin e ndërtesave publike nga shumica shqiptare në Kosovë. Të dy prindërit e saj janë të papunë. I ati (Kushtrim Hoxha) rropatet me litra nafte për të nxjerrë ndonjë markë gjermane – valuta e asaj kohe – kurse e ëma (Yllka Gashi) qep në makinë për të fituar sadopak. Prindërve u është përmbysur bota mbi kokë. Kurse të rinjtë si Dua janë në një realitet që s’e kapin menjëherë. Megjithatë, ajo dhe mocanikët e saj janë rioshët që s’lejojnë t’u humbet dinjiteti dhe kjo, në film vjen edhe nëpërmjet një klithjeje kur Dua dhe motra e saj në film e në realitet, Kaona Matoshi, “çajnë” muret e dhomës tek këndojnë “Brazen” të “Skunk Anansie”, një himn edhe në këto anë në vitin 1996. Pas Cannes vazhdoi edhe në Sarajevo Film Festival, prej të cilit festival në shtator u kthye në gjenezë në Prishtinë, ku vazhdon të shfaqet në kinema. Deri tash e ka parë edhe Zvicra, Islanda, Brazili, Belgjika, Italia, Franca e Kroacia. Këto ditë e pret edhe Sllovenia ku do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Lubjanë. 

Festivali Ndërkombëtar i Filmit – Mannheim-Heidelberg ia ka dhënë tri shfaqje: dy në Heidelberg të premten dhe një në Mannheim. S’e ka futur në garën kryesore, “On The Rise”, me 16 filma konkurrentë. 

Ani pse nuk kategorizohet si festival i kategorisë A, bota e filmit e njeh Festivalin Ndërkombëtar të Filmit – Mannheim-Heidelberg si një ngjarje me peshë prej të cilit kanë dalë emra të shquar të kinematografisë botërore. François Truffaut, Rainer Werner Fassbinder, Wim Wenders, Jim Jarmusch Krzysztof Kieślowski, janë vetëm disa prej tyre. Për edicionin jubilar ka sjellë 80 filma nga 50 vende të botës, rrugëtimin e nisi në ditën e pestë të nëntorit për ta përmbyllur zyrtarisht të dielën e 15 nëntorit. 

Por për filmin “Dua” kapitujt janë të hapur. Bashkë me “Shame and Money” të Visar Morinës, muajin e kaluar janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës. Nominimet për këtë çmim që njihet si “Oscar” i Evropës dalin të shtunën. Po ashtu, të dy filmat synojnë edhe “Oscarin” e madh. I pari është kandidati zyrtar i vendit për këtë çmim, ndërsa i dyti ka siguruar rrugën drejt garës falë suksesit në Festivalin e Filmit Sundance dhe ndryshimeve në rregulloren e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit.