Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Colonne

Les exilés sont allés

Çdo verë i fajësojmë mërgimtarët për tollovinë e trafikut, rrëmujën në restaurante, çmimet dhe sjelljen në shehër. Por na konvenon, kur ata sjellin konsum dhe jetë. Ndoshta e kemi shpikur narrativën e mërgimtarit për të mos folur për veten

Po e filloj me një shembull konkret.

SHEMBULL KONKRET.

Nuk e di a është një veçori imja e lindur si obsesiv-kompulsiv apo e mësuar në të rritur, por kam qejf të planifikoj dhe të parashoh detaje, sa të mos më befasojë fati. Do të nisesha në Kroaci dhe, meqë ishte uikend, më duhej të planifikoja kur të shmangeshin trafiku në pjesën Milot – Shëngjin, rrëmuja tjetër në pjesën Tivar – Budvë si dhe radha e madhe në kufirin e Kroacisë. Plani im ishte të nisesha aty nga mesdita, të flija pak në Kamenari dhe të nisesha në orën 4 të mëngjesit për në kufi, ku do të arrija për nja gjysmë ore. Alamet plani, mendova unë. Iu shmanga trafikut si car në Milot dhe si-o-ma-mirë tollovisë në Tivar – Budvë. Nuk ia dola të nisesha bash në katër nga Kamenari dhe arrita në 5 në kufi, por mbeta në një kolonë që ishte afër 2 kilometra. Hesapi më kishte dalë keq, se ndonëse kisha parashikuar mirë se ishte e diela e fundit e gushtit dhe mërgimtarët shqiptarë po ktheheshin në shtëpi nga Kosova, nuk kisha llogaritur se do të niseshin pasdarke.

„Kemi me pritë qitu nja tri orë të mira“, më tha njëri nga mërgimtarët që kishte dalë nga makina dhe po i shtriqte gjymtyrët e po tymoste cigare, derisa të vinte radha për të ecur një grimë në kufi. „Këta në Kroaci e zbatojnë rregullën me të nxjerrë jashtë e me të fotografu. Shembull konkret: ni kushë i jemi gjashtë orë e gjysë kish pritë dje, bre dreqi krytë atinaj“.

Nuk po e matja kohën. Po shfrytëzoja shembullin konkret të gjumit që i kapte disa nga mërgimtarët duke pritur në kolonë dhe i kaloja një nga një, kur ata në më të mirin gjumë nuk po lëviznin, derisa pjesa tjetër e kolonës ecte. Dikur çeli agmia. Nervat më janë kalitur nga guzhvat e trafikut në Prishtinë dhe vendosa të lexoja diçka, sa rri badihava, siç më ka mësuar, apo thonë se na ka mësuar kryetari i komunës. Sakaq u bë mëngjes tamam dhe pashë se kishte dalë kolumna ima të „Koha“. E lexova pak para se të më vinte radha për t’i dorëzuar dokumentet. Mërgimtari që më kishte folur në fillim, më buzëqeshi.

„Shumë heqim për këtë Kosovë. Shembull konkret: qe unë“.

Po vazhdoj me një shembull jokonkret.

SHEMBULL JOKONKRET.

Nja dyqind kilometra tutje në autostradë duhej të merrja benzinë. Mërgimtarin e kufirit e gjeta aty duke pirë kafe dhe duke llafosur plot pasion me një mërgimtar tjetër. Kur unë po nisesha për ta vazhduar rrugën, ata po çoheshin dhe nisën të shtyheshin cili do të paguante. Më nuk i pashë rrugës. Do të kenë mbetur aty sot e asaj dite, duke u shtyrë “jo, unë, jo, po unë” se cili do ta paguajë.

Boll me shembuj, hajde tash pak fakte.

FAKT I GJALLË.

Kudo në Kroaci gjen shqiptarë. Akulloret i shesin shqiptarët nga Maqedonia, furrat i kanë shqiptarët nga Hasi e argjendarët janë shqiptarë (kryesisht) nga Prizreni. Shumë nga restaurantet janë, po ashtu, prona të shqiptarëve. Unë zakonisht flas shqip posa hyj dhe ma kthejnë shqip menjëherë.

“Fakt është se e bleva valla”, më tha njëri nga pronarët e restauranteve në Zarë.

“Restaurantin, a?”

“Jo, krejt këtë ndërtesën, me krejt këto lokale”.

Një furrtar tjetër në Zarë më tregoi se i kishte blerë të gjitha lokalet në lagjen e tij.

"Pourquoi?"

“Se çohet dikush ma hap furrën këtu në komshilluk. Gujtë m’i then”.

Kudo kam udhëtuar, kam gjetur biznese të shqiptarëve, prej lokalit „Buka“ në qendër të Kopenhagës, deri në Shën Peterburg të Floridës, ku në pikë të rrafshit erdhi çifti dhe burri më pyeti, tek po ma ofronte një aparat: „Ken ju tejk ë pikçër oof mie“.

„A shiptarë jeni, a?“

„Ku e vërejte?“

Ndoshta prej shqiptimit shqiptarçe të anglishtes. Por, nuk ua thashë, se jam djalë i mirë.

Dalin deri edhe në vende ku më së paku i pret, si ditën e diel në Trpanj, kur i vetmi objekt i hapur është pikërisht një burektore që shet edhe akullore e që e ka pronarin shqiptar.

„Ku e gjete bash këtë vend, pashë rrobtë?“ - e pyeta.

Ma tregoi historinë. Fakt është se nuk e mbaj mend se çfarë më pati thënë.

Fakt është, po ashtu, se akulloret janë të mira. Fakt është se akulloret më të mira janë te Donati në Zarë. Në vendin e dytë është Gelateria në Stradun në Dubrovnik. Në vendin e tretë „Nautika“ në Primoshten. Lista vazhdon deri në vendin e dhjetë.

„Osht fakt. Disa vjet rresht e kemi zënë vendin e parë në Kroaci për akullore“, thonë te Donati.

„Osht fakt i gjallë që e kemi akulloren e mirë“, më thonë te Nautika. „E kemi vendin e katërt në Kroaci. Qe ku e kemi diplomën. Fakt i gjallë“.

Ndër fakte ka edhe ndonjë çudi.

GJETT E ÇUDA.

Në Shibenik e parkova makinën në parkingun para plazhit dhe një burrë me targa të Austrisë u afrua para makinës sime, m’i shikoi targat dhe m’i fotografoi.

„Gjett e çuda“, tha shqip. Has. „Po i fotografoj me ia çu ni shoqit. Qy shipet po vijnë në Kroaci për pushime”.

Le të shesim edhe pak pallavra tash.

PALLAVRA.

Kur na shkojnë mërgimtarët kemi qejf t’i bëjmë dy muhabete kryesore. Së pari, kemi qejf t’i ngucim e t’i tallim, siç bëra unë tash. (Pak, sall një grimë, një picërr). I quajmë shaci, gërrnaçë e “të jashtit”. I tallim për përplasjen midis kulturave – ku janë rritur dhe ku jetojnë tani, për narrativën e atdhedashurisë që e shprehin e që del nga mërzia që kanë për familjen dhe për nevojën për të tundur paratë e që është pasojë e varfërisë nga e cila kanë ikur. Së dyti, kemi qejf të bëjmë hesap sa pare i kemi fituar si Kosovë prej tyre. Hesapet, varësisht nga metodologjitë, kryesisht jo aq të përshtatshme, flasin për qindra milionë euro brenda korrikut e gushtit e që shkojnë në 5 – 7 për qind të buxhetit të Kosovës. Ajo për çka nuk flasim është se këta nuk janë mërgimtarë abstraktë: janë vëllai e motra. Nipat e mbesat. Xhaxhallarët, dajallarët, hallat e tezet. Vajzat e djemtë e xhaxhait e të dajës, e të hallës e të tezes. Shoqet e ngushta e shokët e ngushtë dhe fëmijët e tyre. Janë njerëzit që i duam më së shumti në botë e pa kushte e pa interes. I duam qyshdo që janë, se janë tanët.

Kanë shkuar jo se kanë pasur qejf, por se njëherë ishte Serbia e Milosheviqit e pastaj ishte shpërfillja politike jona që e bëri Kosovën ekonomi aq të brishtë, sa shansi kryesor i të rinjve dhe i të rejave është të gjejnë prehje diku jashtë. E ata vijnë verës, e vijnë në festa e ëndërrojnë të mos kishin shkuar asnjëherë. E ne vazhdojmë t’i shpërfillim, t’i përqeshim e të ankohemi se nuk po na dërgojnë boll pare.

E indiferenca jonë është e frikshme.

SHEMBULL I FRIKSHËM.

Në qershor, në Stuttgart të Gjermanisë, mora pjesë në një diskutim të mësueseve dhe të mësuesve të shqipes. Problemi kryesor ishte numri i vogël i nxënëseve dhe i nxënësve. Njëra nga mësueset, ish-studentja ime, tregonte se kishte nja 8 nxënëse dhe nxënës, ndërsa hoxha kishte mbi 100.

Problemi që dukej disi i rëndomtë, në thelb nuk është. Pohimi i mësueses tregon se përderisa ne nuk merremi me mërgimtarët e mërgimtaret tona, ndonjë hoxhë do të merret në mënyrë të organizuar e sistematike.

E shpërfillim dukshëm diasporën historike në Itali, Greqi, Ukrainë, Bullgari, Kroaci, siç i shpërfillim mërgimtarët e mërgimtaret që ende nuk kanë krijuar ngulime e që janë të shpërndarë gjithandej. Nëse ne nuk merremi me ta, ka kush merret.

Nejse. Ku ke parë muhabet për shqiptarë e shqiptare e pa thashethëme.

THASHETHËM.

Po flitet, më mirë të them po pëshpëritet që zyrtarët e zyrtaret në Kosovë janë duke provuar të bëjnë diçka për çështjen e mërgimtarëve/mërgimtareve. Ndoshta të subvencionojnë fluturimet që atyre t’u bjerë më lirë të vijnë në Kosovë edhe gjatë muajve të tjerë, ndoshta për të rregulluar dhëmbët, për të bërë grim e manikyr. Ndoshta do të subvencionojnë bizneset, me kushtin që lëndën e parë ta marrin nga Kosova.

Po flitet, më mirë të them po pëshpëritet, se ne po harxhojmë shumë tru, duke menduar për mërgimtarët dhe mërgimtaret tona.

Fakt, ne nuk lodhemi as për vete, se po të lodheshim për vete, do ta dinim se mërgimtarët e mërgimtaret janë Ne.

Me fjalë të tjera: Hajdeni apet!