Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Colonne

Leçons tirées de la libération d'un parc

Pas më shumë se një dekade të pushtetit të Vuçiqit, Serbia është një shoqëri me traumë të rëndë politike. Ajo do të ketë nevojë për një periudhë të gjatë të shërimit politik dhe social. Ky shërim ka filluar me aktet, siç janë “çlirimi” i Parkut të Pionierëve dhe INFORMER-it, por ky është vetëm fillimi – tani duhet “çliruar” e gjithë Serbia

Fizikanti austriak, Wolfgang Pauli, ka lënë trashëgimi një nga sarkazmat më të bukura që ka thënë dikush ndonjëherë. Pas leximit të një hulumtimi të dobët shkencor, Wolfgang e komentoi atë duke thënë se “Ky fatkeqësisht nuk është as gabim”. Wolfgangu përmblodhi bukur se në shkencë ti mund të jesh i saktë apo i gabuar, të dyja këto të dobishme, por njëkohësisht mund të jesh edhe diçka e tretë – mund të jesh jorelevant dhe i padobishëm.

Që nga fitorja e Listës Studentore në Serbi, qëndrimet e tyre për politikën e jashtme janë vënë nën llupë. Kësisoj, ata janë kritikuar për refuzimin e vendosjes së sanksioneve Rusisë, gjuhën anemike ndaj BE-së, mospranimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Të gjitha këto kritika në fjalorin e  Wolfgangut “nuk janë as gabim”. Ato mund të jenë të drejta, por janë të parëndësishme për qytetarin e rëndomtë serb. Kjo është edhe arsyeja përse temat sikur këto nuk kanë zënë fare hapësirë gjatë fushatës zgjedhore. Dy akte që kanë ndodhur brenda njëzet e katër orëve të para pas zgjedhjeve në Serbi, na ofrojnë një pikturë se çfarë është me rëndësi për qytetarin e rëndomtë serb.

Parku i Pionierëve në Beograd është një lloj sheshi si Nëna Terezë në Prishtinë. Imagjinoni një ditë të zgjoheni dhe i tërë sheshi të jetë i bllokuar për qytetarët nga njerëz të panjohur dhe me maska. Më tutje, imagjinoni Policinë, e cila është vënë në mbrojtje të tyre. Kjo është çfarë ka ndodhur në Beograd. Për dy vjet, Vuçiqi ka organizuar okupimin e parkut dhe sheshit kryesor të Beogradit. Ai dhe propaganda e tij e shpallën atë “simbol të lirisë”. Sidoqoftë, në realitet parku ishte neksus i politikës, krimit dhe propagandës. Okupimi i Parkut të Pionierëve ishte simbol dhe vizualizimi më i mirë se si një parti e kishte kthyer Serbinë në pronë private përmes mjeteve kriminale. Ekzistenca e tij ishte rikujtim ditor i qytetarëve serbë për degradimin e shtetit të tyre. Kjo është edhe arsyeja përse gjëja e parë që qytetarët serbë bënë pas kuptimit të rezultatit zgjedhor natën e 25 tetorit, ishte çlirimi i Parkut të Pionierëve. Kur dielli lindi ditën e nesërme, okupimi i parkut kishte përfunduar. Qytetarët kishin dalë masivisht që të mbledhin mbeturinat, të mbjellin lulet dhe të pastronin lodrat e fëmijëve. Pamjet e çlirimit të Parkut të Pionierëve u bënë simbol i çlirimit të gjithë Serbisë vetëm njëzet e katër orë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Nëse Parku i Pionierëve ka qenë simbol i okupimit fizik të Serbisë, televizioni dhe tabloidi INFORMER ishin simbol i okupimit psikik të Serbisë. Për vite, INFORMER ka udhëhequr propagandë më të egër në mbështetje të regjimit të Vuçiqit. Për këtë qëllim, INFORMER nuk ka zgjedhur mjete: publikimi i përgjimeve, i materialeve intime seksuale, të dhënat nga jeta private dhe afariste e kundërshtarëve të Vuçiqit – çdo gjë ka qenë e lejuar. Ishte e qartë që të gjitha materialet i servoheshin INFORMER-it nga shërbimi sekret serb. Vitin e kaluar, studentët organizuan një aksion të “dekontaminimit mediatik” para ndërtesës së mediumit INFORMER, duke e rrethuar atë me shenja të kontaminimit dhe duke veshur teshat kundër rrezatimit. Kryeredaktori i INFORMER-it, Dragan J. Vuçiqeviq, u bë personi më polarizues në skenën publike të Serbisë. Thënë ndryshe, INFORMER në Serbi nuk ishte thjesht një media propagandistike – nën udhëheqjen e Dragan J. Vuçiqeviq, ata kishin shkuar një hap përtej duke u shndërruar në një organ represioni psikik, të cilët çdo ditë abuzonin qytetarët serbë me gjërat më të patolerueshme. Kjo është edhe arsyeja përse gjëja e dytë që qytetarët serbë bënë pas kuptimit të rezultatit zgjedhor ishte hyrja me forcë në objektin e mediumit INFORMER dhe çlirimi simbolik nga represioni psikik që orkestroi Dragan J. Vuçiqeviq për vite me radhë.

Këto dy akte që ndodhën në orët e para pas mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, na ndihmojnë të kuptojmë se kush janë prioritetet e qytetarëve serbë. “Çlirimi” i Parkut të Pionierëve dhe INFORMER-it ishin reagim organik dhe refleks natyror i qytetarëve serbë, të cilët kishin nevojë të shembnin këto simbole të dhunës fizike dhe psikike. Ajo çfarë po mundohem të them është se sot Serbia pas më shumë se një dekade të pushtetit të Vuçiqit, është një shoqëri në një traumë të rëndë politike. Ajo do të këtë nevojë për një periudhë të gjatë të shërimit politik dhe social. Ky shërim ka filluar me aktet imediate, siç janë “çlirimi” i Parkut të Pionierëve dhe INFORMER-it, por ky është vetëm fillimi – tani duhet “çliruar” e gjithë Serbia.

Në Telegramin e Gjatë, George Kennan kishte insistuar se suksesi i politikës së jashtme amerikane është drejtpërdrejt i kushtëzuar nga shëndeti i shoqërisë amerikane. Ai kishte thënë “Çdo gjë varet nga shëndeti dhe vitaliteti i shoqërisë sonë... Kjo është pika ku punët e brendshme dhe të jashtme takohen. Çdo veprim apo politikë e guximshme, e cila përmirëson shoqërinë tonë nga brenda – na bënë më të moralshëm, më të disiplinuar dhe më të bashkuar – është fitore diplomatike kundër Moskës, shumë më e vlefshme se njëmijë akte diplomatike”.

Këto fjalë të urta vlejnë sot edhe për Serbinë. Koha do të vijë për diskutimin e pozicionit karshi Rusisë, BE-së, Srebrenicë dhe Kosovës, por kjo kohë nuk është tani. Të kërkosh nga Serbia të merret sot me këto çështje është sikur të kërkosh nga njeriu i sëmurë të vrapojë. Para se të vrapojë, Serbia duhet të shërohet dhe këtu askush nga ne nuk mund t’i ndihmojmë asaj. Ajo duhet ta bëjë këtë vetë. Ne thjesht duhet të kemi durim dhe t’i japim kohë.