Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

Yamali et Mbappé s'affrontent dans le "classique", la veille du "Ballon d'Or".

Lamine Yamal & Kylian Mbappe

Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe shpresojnë ta fitojnë “Topin e Artë” të hënën mbrëma. 

Të dy pritet të jenë të pranishëm në mbrëmjen gala në Londër, ku ndahet çmimi më prestigjioz individual në futboll. 

Vetëm një ditë më herët, dy yjet synojnë të shkëlqejnë në përballjen në Barcelonë. 

Real Madridi i Mbappes e viziton Barcelonën e Yamalit, kampionen e dy edicioneve të fundit, që ka gjashtë pikë më shumë pas nëntë xhirove në La Liga. 

Kështu, presioni është mbi Madridin e vendit të tretë, në mënyrë që të mos mbetet edhe më prapa. 

Barcelona – Real Madrid luhet të dielën nga ora 21:00 dhe i takon xhiros së 10-të të La Ligas. 

Edhe pse votimi për “Topin e Artë” përfundoi në shtator, tifozët janë jashtëzakonisht të interesuar për të mësuar fituesin e çmimit kryesor. Kjo e bën “klasiken” skenë ideale për Yamalin dhe Mbappen për t’i paraqitur argumentet përfundimtare para opinionit publik. 

Prej kandidatëve të tjerë të fortë përfshihen edhe fituesi i vitit të kaluar, Ousmane Dembele, Harry Kane dhe 39-vjeçari Lionel Messi. 

Yamali e ka nisur edicionin në mënyrë të shkëlqyer, pasi e ndihmoi Spanjën ta fitojë Kupën e Botës në korrik, duke e mposhtur në gjysmëfinale Francën e Kylian Mbappes dhe Argjentinën e Messit në finale. 

19-vjeçari tashmë i ka 10 gola e 10 asistime në La Liga dhe Ligë të Kampionëve, si dhe katër gola tjerë për Spanjën. 

Mbappe është i pamëshirshëm para portës po ashtu. Sulmuesi i ka 12 gola në po aq ndeshje të luajtura, dhe bashkë me portierin Thibaut Courtois po e mbajnë Madridin në garë.

Mourinho kthehet në “Camp Nou” 

Urrejtje është fjalë e rëndë, edhe në futboll. Por nëse dikush është i papëlqyer nga tifozët e Barcelonës, është Jose Mourinho, i cili është kthyer në Madrid në periudhën e dytë. 

Në periudhën e parë me madrilenët, portugezi e ngriti rivalitetin mes dy klubeve në nivelin më të lartë, falë taktikave të tij dhe gjuhës që e përdori ndaj homologut të asaj kohe, Pep Guardiola. 

Mourinho pati edhe përplasje fizike, kur e preku syrin e asistentit Tito Vilanova gjatë një tollovie mes dy skuadrave. 

Kjo do të thotë se duhet pritur edhe më shumë vërshëllima se zakonisht, kur Real Madridi të hyjë në fushë të dielën. 

Barcelona vjen pas humbjes së vetme të sezonit 

Barcelona i kishte fituar të gjitha 11 ndeshjet në këtë kampanjë, para ballafaqimit me Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve, të martën mbrëma. Dy gola të vonshëm nga kampioni evropian ia shkaktuan Barcelonës disfatën 4:2. Edhe në këtë ndeshje, Yamali realizoi supergol. 

Nga skuadra e udhëhequr nga Hansi Flick pati një sërë paraqitjesh të jashtëzakonshme. 

Raphinha ka 14 gola në rolin e tij të ri si sulmues, ndërsa e gjithë skuadra ka realizuar 50 gola dhe prin në Evropë. Pesë apo më shumë gola, Barcelona ka shënuar në gjashtë ndeshje. 

Duke parë se Mourinho pëlqen të sulmojë duke gjetur momentin me shpejtësinë e Mbappes, Barcelona pritet të dominojë në posedim të topit dhe të bëj presion herët dhe shpesh gjatë ndeshjes. 

Rodri kthehet në 11-shen startuese 

Vendimi më i rëndësishëm para sezonit në Spanjë ishte që Rodri e zgjodhi Barcelonën para Real Madridit. 

Ish-mesfushori i Manchester Cityt u kërkua nga shumë klube, por ai zgjodhi të luante me lojtarët që i kishte bashkëlojtarë te Spanja. 

Rodri ka qenë titullar në tetë ndeshje rresht, para se Flick të vendoste ta linte në bankën rezervë në Paris, deri gjysmë ore para fundit. 

Fituesi i “Topit të Artë” pritet të jetë titullar kundër Madridit bashkë me Pedrin, dhe me shumë gjasë me Fermin Lopezin, pas lëndimit të Dani Olmos. 

Diomande e mbulon krahun 

Sulmi i Madridit nuk do ta ketë Vinicius Juniorin, për të cilin do të jetë ndeshja e dytë nga katër sa i ka suspendim në La Liga, pasi e kapi për flokësh një kundërshtar. 

Por, duke qenë se Viniciusi e ka vështirë ta gjejë ritmin, kjo mund të mos jetë goditje e madhe për planet e Mourinhos. 

19-vjeçari Yan Diomande është në formë të mirë dhe ka shënuar në tri nga katër ndeshjet e fundit të Madridit. Ai ka shfaqur shpejtësi të ngjashme me Viniciusin, nëse jo të njëjtat aftësi dribluese në krahun e majtë të sulmit. Shpresat e Madridit do të mbështeten edhe te momentet e Arda Gulerit si organizator, ndaj mesfushës së talentuar të Barcelonës.