Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

« Boule d'or » pour Kane, le joueur que tout le monde n'a pas apprécié.

Harry Kane

Harry Kane është bërë lojtari i parë anglez që fiton “Topin e Artë” pas Michael Owenit në vitin 2001. Ai u shpall futbollisti më i mirë në botë në ceremoninë e mbajtur të hënën mbrëma në Londër.

Sulmuesi 33-vjeçar i Bayernit është anglezi i pestë që e fiton çmimin prestigjioz, pas Stanley Matthews në vitin 1956, Bobby Charlton në vitin 1966 dhe Kevin  Keegan në vitet 1978 e 1979.

Kylian Mbappe u rendit i dyti, ndërsa Lamine Yamal i treti.

“Pak njerëz do ta kishin menduar këtë dhe ndoshta as unë vetë nuk e kisha imagjinuar se do të arrija deri këtu”, ka thënë Kane.

“Më është dashur të kaloja shumë ulje e ngritje, veçanërisht në fillim të karrierës sime. Nuk kam qenë kurrë lojtari për të cilin njerëzit do të mendonin se do të bëhej superyll, siç ndodh me disa nga djemtë e sotëm. Më është dashur të pres momentin e duhur dhe të punoja shumë. Shpeshherë ishte betejë me mendjen time, të cilën duhej ta kaloja. Më duhej të tregoja besim te vetja dhe vendosmëri”, ka theksuar kapiteni anglez.

Kjo qasje e ka mbajtur Kanen me këmbë në tokë edhe pasi ka arritur në nivelet e larta. E ka nxitur të vazhdojë të përmirësohet dhe të bëhet gjithnjë e më i mirë.

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, u shpreh shumë i lumtur që Kane fitoi çmimin, duke e cilësuar suksesin e sulmuesit si një “nder i madh”.

Princi William e përshkroi ish-lojtarin e Tottenhamit si “kapiten të shkëlqyer dhe lojtar të jashtëzakonshëm”.

Edicionin e kaluar Kane i shënoi 61 gola në 51 ndeshje për Bayernin. Nëse llogariten edhe ndeshjet me Anglinë ai i kishte plot 73 gola e tetë asistime në 65 ndeshje.

Por Kane fitoi çmimin ndonëse nuk arriti asnjë trofe të madh të futbollit ndërkombëtar. U eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe Ligës së Kampionëve.

Është mbresëlënëse që kapiteni i Anglisë u bë lojtari i parë i Bayernit që fitoi “Topin e Artë” që kur këtë e arriti Karl-Heinz Rummenigge në vitin 1981.

Edicioni i rekordeve

Kane fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë. Më herët e kishte vetëm edhe titullin e Gjermanisë nga një vit më parë.

Por, sa i takon paraqitjeve individuale, edicioni i kaluar ishte i pakrahasueshëm për anglezin. Ai më herët ishte vetëm i dhjeti në garën për “Topin e Artë”.

Me 61 gola për Bayernin në të gjitha garat, kishte 19 më shumë se çdo lojtar tjetër në top-ligat evropiane. Është shifra më e lartë e golave që kur Cristiano Ronaldo i shënoi 61 për Madridin, 11 vjet më parë.

Kane i kishte 36 gola në Bundesligë, 14 në Ligën e Kampionëve dhe dhjetë në Kupën e Gjermanisë. E kishte edhe një në ndeshjen për Superkupë të Gjermanisë.

Rekordi i Lionel Messit prej 82 golash me Barcelonën dhe Argjentinën në edicionin 2011/2012 megjithatë mbetet në fuqi.

“Topi i Artë” pa trofe të madh, nuk ndodh shpesh

Që nga krijimi i çmimit “Ballon d’Or” në vitin 1956, e deri në vitin 1995, ai ishte në dispozicion vetëm për lojtarët evropianë. Më pas u hap për të gjithë. Që nga ajo kohë, në katër prej shtatë vjetëve kur është zhvilluar Kupa e Botës, “Topi i Artë” i është dhënë një kampioni të botës. Por Messi, Ronaldo dhe Luka Modriq e kishin fituar çmimin edhe pse nuk e kishin fituar Kupën e Botës.

Është vetëm hera e pestë në 20 vjetët e fundit që “Ballon d’Or” nuk i ndahet një lojtari që ka fituar Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve, Kampionatin Evropian apo “Copa America”. Kane i bashkohet Messit (tri herë) dhe Ronaldos.

Tashmë ka të tillë që pyesin nëse Harry Kane mund ta fitojë “Topin e Artë” dy herë rresht. Ai ka dhjetë gola në 12 paraqitet e para me Bayernin. Ka edhe gjashtë gola në katër ndeshje të Ligës së Kombeve me Anglinë. Bayerni është i pamposhtur në Bundesligë dhe në Ligën e Kampionëve. Nëse Bayerni fiton tripletën dhe Kane vazhdon me gola, do të jetë vështirë të mos merret parasysh, sidomos në një edicion ku nuk zhvillohet Kupa e Botës, Kampionati Evropian apo “Copa America”.

Pos Messit e Ronaldos, lojtari i fundit që e fitoi dy herë rresht çmimin ishte Marco van Basten, në vitet 1988 e 1989.

Megjithatë, Mbappe dhe Yamali pritet të jenë sërish pretendentë. Të dy kanë ndier se e meritojnë “Topin e Artë” që iu nda anglezit. Dhe tani do ta synojnë vitin e ardhshëm.