Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Comment les habitants et les commerçants ont tenté de protéger une rue parisienne des émeutes

protestations

Ndërsa zjarrvëniet, grabitjet dhe shkatërrimet përfshinë rrugën “Beaurepaire”, disa banorë iu lutën autorëve të dhunës të ndalonin, ndërsa të tjerë u fshehën nga frika. Shumë prej tyre druhen se ngjarje të tilla mund të përsëriten.

Copëzat e xhamave të thyer, mbetjet e metaleve dhe ushqimet e hedhura përtokë, që kishin mbuluar rrugën “Beaurepaire”, tashmë janë pastruar. Tymi i zjarreve dhe ai i gazit lotsjellës kanë mbetur vetëm kujtime. Dritaret e thyera janë mbuluar me dërrasa druri.

Anita Lollchand, 68 vjeçe, iu deshën pesë ditë për të gjetur guximin që të dilte nga banesa e saj për të blerë ushqime. Në rrugën ku jeton prej 40 vjetësh, gjithçka ishte shndërruar në një zonë pa kontroll, ku kishte thyerje të dyqaneve, grabitje, vjedhje dhe zjarrvënie.

Në ndërtesën ku banon, disa të rinj të maskuar hynë me forcë në hollin e hyrjes, shkulën sistemin e interfonit dhe goditën me mjete të forta xhamin e derës së dytë. Xhami u ça, por nuk u thye plotësisht.

Ajo ende dridhet kur mendon se çfarë mund të kishte ndodhur nëse ata do të kishin arritur të hynin brenda.

“Kemi parë kaq shumë protesta këtu”, tha ajo, duke shpërthyer në lot. “Kjo nuk ishte protestë. Ishte revoltë”.

17 tetori shënoi një ditë të errët për Francën. Demonstratat e mëdha dhe paqësore në mbarë vendin u shndërruan në trazira, sulme ndaj ndërtesave qeveritare dhe grabitje. Qeveria pranoi se kishte pasur dështime në masat e sigurisë dhe në shërbimet e inteligjencës, por fajësoi si grupet e ekstremit të majtë, ashtu edhe personat që shfrytëzuan kaosin për të kryer vepra kriminale.

Dhoma Franceze e Tregtisë dhe Industrisë publikoi këtë javë një bilanc shqetësues të dëmeve. Rreth 2.500 biznese në të gjithë Francën u prekën nga trazirat, ndërsa 47 për qind e tyre pësuan dëme të rënda. Rreth 480 prej tyre ndodheshin në rajonin e Parisit.

Rruga e vogël dhe e lakuar “Beaurepaire”, që nis nga sheshi Place de la République – një nga vendet më të preferuara të qytetit për tubimet e së majtës – pësoi dëme të mëdha.

Në tri blloqet e saj të shkurtra pati dritare të thyera, tre zjarre në ndërtesa, si dhe hyrje me forcë e grabitje në të paktën tetë dyqane dhe dy ndërtesa banimi.

Ndërsa disa biznese i janë kthyer normalitetit, duke shërbyer kafe në mëngjes dhe gatime kamboxhiane për klientët e drekës, shumë banorë thonë se ende po përpiqen të kuptojnë se çfarë ndodhi në një rrugë që deri atëherë e konsideronin të gjallë dhe miqësore.

“Ky vend tashmë po shpërbëhet”, tha Rudy Zylbersztejn, 32 vjeç, nga pas banakut të lokalit Deni’s Bagels, të cilin e kishte hapur me të vëllanë vetëm gjashtë muaj më parë. Atë ditë, disa persona u përpoqën të thyenin xhamin e vitrinës së lokalit, por xhami i përforcuar vetëm u ça.

“Po e shkatërrojmë vetë vendin tonë”, shtoi Zylbersztejn.

Shenjat e para paralajmëruese

Rruga “Beaurepaire”, e ndërtuar në shekullin XIX, kishte qenë edhe më parë skenë e përleshjeve. Gjatë ditëve të fundit dhe të përgjakshme të Komunës së Parisit, një qeveri revolucionare jetëshkurtër që drejtoi qytetin në pranverën e vitit 1871, barrikadat në këtë rrugë mbroheshin nga adoleshentë.
Për shkak të afërsisë me sheshin Place de la République, banorët dhe pronarët e dyqaneve në rrugën “Beaurepaire” janë mësuar me protestat. Por, sipas tyre, asgjë e ngjashme me atë që ndodhi këtë herë nuk ishte parë më parë.

Dita nisi me hapjen e dyqaneve disa orë para marshimit të planifikuar nga studentët dhe sindikatat, të cilët protestonin kundër kushteve të këqija në shkollat e mesme dhe rritjes së kostos së jetesës.
Megjithatë, turma ishte ndryshe nga ajo që shfaqej zakonisht në protesta, tha Didier Mondragon, pronar i një dyqani të vogël ushqimor të rrjetit Franprix, në hyrje të rrugës “Beaurepaire”.
Sipas tij, pjesëmarrësit ishin më të rinj në moshë, të veshur me të zeza dhe të maskuar. Duke u bazuar në instinktin e tij, ai vendosi ta mbyllte dyqanin rreth orës 13:30. Ai uli rrjetat metalike të vitrinës, ndërsa bashkë me punonjësit hëngri drekë brenda dhe priti, me shpresën se do të mund ta rihapte më vonë.

Pak më shumë se një orë më vonë, kamera e sigurisë në pjesën e jashtme të dyqanit regjistroi një skenë të pazakontë. Një grup njerëzish, kryesisht të veshur me të zeza, u shfaqën papritur dhe filluan të kërcejnë njëkohësisht, sikur të ishin pjesë e një grupi të organizuar për një shfaqje të improvizuar.
Brenda dyqanit dëgjoheshin goditje të forta, ndërsa grupi shkelmonte dhe godiste rrjetat metalike. Mondragon dhe punonjësit e tij patën vetëm pak kohë për t'u strehuar në bodrum, para se të shpërthente kaosi.

Gjatë tri orëve në vijim, njerëz të shumtë hynë me forcë në dyqan. Ata thyen dyert e frigoriferëve, përmbysën raftet, hapën me forcë kasat dhe e mbuluan dyshemenë me kavanoza e paketime të hedhura përtokë.

Sipas vlerësimit të tij, ata vodhën mallra me vlerë deri në 200 mijë euro, si dhe rreth 45 mijë euro para të gatshme që morën nga kasaforta.

Njëra prej klienteve të tij, Sophia Costa, ndodhej në banesën e saj në katin e dytë, përballë rrugës. Ajo po i shikonte e tmerruar sulmet ndaj farmacisë, ngjitur me dyqanin ushqimor.

Sipas saj, sulmuesit nuk dukeshin sikur po grabisnin për përfitime personale. Ata merrnin produkte nga raftet dhe i hidhnin në rrugë, njësoj si punëtorët e panaireve që hedhin sende nëpër turmë.

Ajo pa njerëz që hidhnin shishe dhe thyenin një dritare në katin e dytë të ndërtesës përballë, ku ndodhej një klinikë fizioterapie. Disa prej mureve të klinikës ishin njollosur me jod, i cili dukej se ishte marrë nga farmacia dhe më pas ishte hedhur brenda klinikës.

E shqetësuar se mund të sulmonin edhe dritaret e banesës së saj, Costa mbylli grilat. Shumë shpejt, ajo ndjeu erën e tymit. Në katin poshtë saj, një zyrë që ofronte ndihmë juridike ishte thyer dhe më pas ishte përfshirë nga flakët.

Edhe farmacia përballë po digjej, ashtu si një lokal disa metra më tutje.

Në një moment, në rrugë mbërritën me shpejtësi katër makina zjarrfikëse.

Rreth orës 17:00, Costa dëgjoi njerëz që po ngjiteshin me vrap nëpër shkallët e ndërtesës së saj, duke bërtitur: “Dilni jashtë” dhe “Zjarr!”. Ata trokitën me forcë në derën e banesës së saj.

Kur hapi derën, ajo u gjend përballë disa prej personave që besonte se kishin shkaktuar zjarret, por që tani kishin hyrë në ndërtesë për t'i paralajmëruar banorët për rrezikun. Ishte vetëm një nga shumë ngjarjet kontradiktore të asaj dite.

“Kishte shumë kundërthënie”, tha Costa, 22 vjeçe, një piktore dekorative që ishte zhvendosur në Francë nga Italia.

Dy blloqe më tutje, Habib Saïdi qëndronte para dyqanit të veshjeve Agnès B., një zinxhir francez ku punon prej më shumë se dy dekadash.

Ai tha se grupe të rinjsh të veshur me të zeza afroheshin te dyqani, shtynin xhamat e vitrinës dhe provonin nëse dyert ishin të mbyllura mirë. Njëri prej tyre mbante një shufër hekuri, ndërsa një tjetër një palë pinca.

“Ata ishin të pajisur për këtë punë”, tha ai.

Pa pasur asnjë mjet për t'u mbrojtur, Saïdi përsëriste të njëjtën thirrje: “Ky është dyqani im”.
Kjo duket se pati efekt, pasi dyqani shpëtoi nga grabitjet. Ashtu si shumë banorë dhe pronarë të tjerë biznesesh në rrugën Beaurepaire, edhe ai tha se kishte njoftuar policinë. Por asnjë efektiv nuk mbërriti në vendngjarje.

“Na lanë krejtësisht të vetëm, të detyruar të mbroheshim vetë, ndërsa policia na braktisi”, tha Saïdi, i cili është përgjegjës për sigurinë në këtë kompani.

Policia e Parisit nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Ndërkohë, të paktën dy persona u dënuan për vjedhjen e mallrave nga dyqani Franprix.

Por atë ditë nuk pati vetëm trazira dhe grabitje. U kryen edhe vjedhje të organizuara.

Kur Lollchand, banorja e vjetër e rrugës, doli me të birin rreth orës 23:00, pa disa burra që po prisnin me sharrë qepenat metalikë të dyqanit Boxing Shop. Më pas, ata po nxitonin t'i ngarkonin pakot në një furgon që i priste aty pranë.

Edhe Costa, e cila doli jashtë më vonë, takoi dy vajza që u përpoqën t'i shisnin doreza boksi të vjedhura nga dyqani.

Ajo që kishte parë ishte e mjaftueshme për ta mbajtur Lollchand të mbyllur në banesë për disa ditë.

Një valë e dytë dhune

Kaosi vazhdoi edhe të nesërmen.

Emmanuelle Leonardi, përgjegjëse për menaxhimin e markës së kompanisë së veshjeve Petite Mendigote, mësoi nga një transmetim i drejtpërdrejtë i lajmeve se vitrina e dyqanit të kompanisë në rrugën Beaurepaire ishte thyer dhe se aty po kryheshin grabitje.

Ajo tha se dhjetëra persona të veshur me të zeza kishin marrë me vete veshje dhe çanta me vlerë mijëra euro.

Sipas saj, dëmet do të kishin qenë edhe më të mëdha nëse një banore e zonës, Sofía Serna Ángel, nuk do të ishte përballur me grupin e grabitësve para vitrinës së thyer të dyqanit.

“Fillova t'i ndaloja njerëzit që po dilnin me sende të vjedhura dhe u thosha: ‘Kjo është vërtet frikacakëri, nuk është e drejtë. Po ua shkatërroni jetën njerëzve’”, tha Ángel, e cila është rreth të tridhjetave.

Sipas saj, shumica e grabitësve dukeshin të ishin vetëm 12 vjeç. Shumë prej tyre, shtoi ajo, silleshin me mirësjellje.

Ajo vuri në dukje se trazirat nuk kishin dëmtuar vetëm dyqanet, por kishin njollosur padrejtësisht edhe qëllimin e protestave.

Banorë të tjerë të lagjes iu bashkuan asaj dhe qëndruan për orë të tëra para vitrinës së thyer, duke ruajtur dyqanin dhe duke u siguruar që grabitësit të mos ktheheshin.

“Kjo tregon se, në fund të fundit, ekziston ende një ndërgjegje kolektive”, tha Leonardi. “Prandaj ende kam shpresë.”

Të nesërmen në mëngjes, shumë banorë u mblodhën për të ndihmuar në pastrimin e rrugës, tha Leonardi. Të tjerë nisën fushata për mbledhjen e fondeve, me qëllim që t'i ndihmonin pronarët e dyqaneve të rindërtonin bizneset e tyre.

Costa tha se gjatë largimit nga ndërtesa e përfshirë nga flakët kishte takuar për herë të parë shumë prej fqinjëve të saj. Që atëherë, ata janë takuar sërish, këtë herë për të pirë diçka së bashku.

“Pas stuhisë, shfaqet pak dritë”, tha Mondragon, pronari i dyqanit Franprix, i cili shpreson ta rindërtojë dhe ta rihapë biznesin brenda disa muajsh, pasi të marrë dëmshpërblimin nga siguracioni.

Shumë banorë të rrugës po përgatiten për protesta të tjera që pritet të mbahen të shtunën dhe në ditët në vijim.

“Si do të jenë ato protesta?”, pyeti Mondragon. “Edhe pas një muaji apo një viti, do të vazhdojmë të jetojmë me këtë frikë, duke pyetur veten se çfarë mund të ndodhë.”

Ai shtoi: “Ishte ferr”.