Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Le règne de Netanyahu touche à sa fin, Eisenkot reçoit le mandat de former un gouvernement

Gadi Eizenkot

Kryeministri Benjamin Netanyahu është drejt fundit të pushtetit 19-vjeçar pasi rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re të Izraelit. Megjithatë, rruga drejt pushtetit mbetet e ndërlikuar.

Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite dhe udhëheqës i partisë së qendrës Yashar, e cila mori pjesë në zgjedhjet e 27 tetorit, do të ketë deri në gjashtë javë kohë për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare dhe për të krijuar një koalicion qeverisës. 

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, pritet t'ia dorëzojë zyrtarisht mandatin Eisenkotit të dielën. Vendimi erdhi pas konsultimeve dyditore me të gjitha partitë e zgjedhura në Knesset (Parlamentin izraelit). 

Eisenkot siguroi mbështetjen e 67 deputetëve të legjislaturës së re, përfshirë 19 nga dy partitë arabe. Ndërkaq, Netanyahu mori vetëm 46 rekomandime te presidenti. 

Blloku i Netanyahut u përça edhe më shumë gjatë konsultimeve me presidentin, pasi partia United Torah Judaism, një aleate tradicionale e kryeministrit, nuk pranoi ta rekomandonte atë për formimin e qeverisë.

Megjithatë, marrja e mandatit nuk nënkupton automatikisht largimin e Netanyahut nga pushteti. Eisenkot ka mbështetjen e një shumice parlamentare në letër, por ende nuk ka arritur të sigurojë një koalicion qeverisës. I duhen 61 vota kur Parlamenti e vendos në votim formimin e qeverisë së re.

Ai synon të formojë atë që e quan “qeveri të emergjencës kombëtare” dhe të bëjë betimin e një qeverie të pakicës sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo qeveri do të përbëhej nga katër parti opozitare hebraike, të cilat së bashku kanë 48 ulëse: Yashar e drejtuar nga Eisenkot, Together e ish-kryeministrave Naftali Bennett dhe Yair Lapid, Yisrael Beiteinu e Avigdor Libermanit dhe partia e majtë Demokratët, e udhëhequr nga Yair Golan.

Eisenkot ka përcaktuar edhe katër kushte për pjesëmarrjen në qeveri: njohjen e Izraelit si shtet hebraik, demokratik, liberal dhe egalitar; respektimin e vlerave të Deklaratës së Pavarësisë; shërbimin e detyrueshëm për të gjithë qytetarët, qoftë ushtarak, kombëtar apo civil; si dhe njohjen e Hamasit si organizatë terroriste.