Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Les chantiers de grande envergure exposent 300 000 personnes à des catastrophes dans l'Himalaya.

L'Himalaya

Rreziqet në të gjitha këto zona shkaktohen kryesisht nga ngrohja e rajonit të Himalajeve, e cila, sipas shkencëtarëve, po ndodh me një ritëm dy herë më të shpejtë se mesatarja globale. Kjo ka përshpejtuar shkrirjen e akullnajave, fushave të akullit, shtresave të dëborës dhe tokës që normalisht mbetet e ngrirë gjatë gjithë vitit

Të paktën 300.000 njerëz në disa pjesë të rajonit të Himalajeve mund të jetojnë tashmë në zona të rrezikuara nga fatkeqësitë e mundshme natyrore, sugjeron një studim i ri.

Studiuesit zbuluan se sipërfaqja e tokës së ndërtuar në zonat me rrezik të lartë në veri të Nepalit, në disa pjesë të Tibetit juglindor dhe në një cep të shtetit indian Uttarakhand është rritur me rreth 45% nga viti 2016 deri në vitin 2023.

Në zonat veçanërisht të rrezikuara nga përmbytjet e shkaktuara nga liqenet akullnajore, zhvillimi ishte edhe më i shpejtë, duke u rritur me pothuajse 78% gjatë së njëjtës periudhë, sipas studimit të rishikuar nga ekspertë të tjerë dhe të botuar në revistën Scientific Reports.

Ekipi i shkencëtarëve që kreu studimin tha se numri i vërtetë i njerëzve të rrezikuar mund të jetë shumë më i lartë, pasi ata analizuan vetëm një territor të caktuar dhe jo zonat fqinje që përballen me rreziqe të ngjashme.

Studimi u krye përpara përmbytjeve masive shkatërruese të gushtit, të cilat lanë më shumë se 1.400 të vdekur dhe mijëra të zhdukur në Nepal. Kohët e fundit janë regjistruar edhe disa incidente më të vogla, përfshirë përmbytjet përgjatë lumit Budhi Gandaki më 11 tetor, të cilat dëmtuan 200 shtëpi, morën me vete pesë ura dhe lanë pesë persona të zhdukur.

Nëntë studiues nga Britania e Madhe, Nepali dhe India analizuan zonat deri në 50 kilometra në rrjedhën e poshtme të lumenjve të Himalajeve, si dhe hapësirat përreth afro 1.360 liqeneve akullnajore.

Ata zbuluan zhvillim të konsiderueshëm në këto zona, përfshirë zgjerimin e objekteve turistike, ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme.

Kjo është veçanërisht e dukshme në Pokhara, një qendër e rëndësishme turistike në rrëzë të Himalajeve, e cila është zgjeruar ndjeshëm gjatë 30 vjetëve të fundit për t'iu përgjigjur rritjes së madhe të numrit të vizitorëve.

Kryetari i bashkisë, Dhana Raj Acharya, thotë se përballja me rrezikun që paraqet lumi Seti Gandaki është një sfidë e madhe. Lumi buron nga vargmali i Annapurnës dhe përshkon qytetin.

Sipas tij, shumë ndërtesa të vjetra ndodhen vetëm pesë metra larg brigjeve të lumit, pavarësisht rregullave të reja që kërkojnë që ato të ndërtohen më larg.

“Ku do t'i zhvendosim dhe si do ta bëjmë këtë, kjo është sfida e vërtetë”, shprehet ai.

Në veri ndodhet rajoni i famshëm botërisht i Annapurnës, i njohur për ecjet malore, ku gjithashtu është rritur ndjeshëm numri i vendbanimeve përgjatë brigjeve të lumenjve. Disa prej tyre u goditën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të kohëve të fundit.

Rënia e turizmit

Phurpa Chhiring Lama, i cili drejton një bujtinë familjare në këtë zonë, ndihet i pafuqishëm. Zakonisht, në këtë periudhë të vitit, që përkon me sezonin kulmor të ecjeve malore, të gjitha 20 dhomat e tij janë të zëna, por tani vetëm pesë prej tyre kanë mysafirë.

“E ushtrojmë këtë biznes prej më shumë se 40 vjetësh, por kurrë nuk kemi parë një fatkeqësi të tillë”, thotë ai.

Edhe Krishna Gauchan, hoteli i të cilit ndodhet pranë lumit Modi, që ushqehet nga akullnajat, është i shqetësuar.

“Ky lumë mund të dalë nga shtrati nëse shembet akullnaja ose nëse shpërthen liqeni akullnajor, dhe ne jetojmë në frikë të vazhdueshme”, shton.

Investitorët në sektorin e turizmit i promovojnë disa prej këtyre vendeve si destinacione turistike, pa marrë parasysh rreziqet, thotë Khagendra Poudel, gjeograf në një kampus lokal të Universitetit Tribhuvan. Sipas tij, një situatë e ngjashme po ndodh edhe në disa pjesë të luginave të Himalajeve në veri të Indisë, ku zhvillohen pelegrinazhe të mëdha fetare.

Kreu i Shoqatës së Hoteleve të Pokharës pranon se bizneset turistike në rajon janë zgjeruar “pa asnjë planifikim të mirëfilltë” dhe janë promovuar “në mënyrë kaotike”.

“Kur godasin fatkeqësitë, është tepër vonë”, thotë Laxman Subedi. “Si organizatë profesionale, po përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin e sipërmarrësve dhe investitorëve në sektorin e turizmit”, shton. 

Por problemi nuk kufizohet vetëm te turizmi. Rajonet përreth lumenjve Bhotekoshi dhe Trishuli kanë përjetuar një rritje të konsiderueshme të ndërtimit të hidrocentraleve.

“Ndërsa luginat e lumenjve popullohen gjithnjë e më shumë, vendimet për zhvillimin që po merren sot do të përcaktojnë nivelin e rrezikut nga fatkeqësitë për dekada të tëra”, paralajmëron autori kryesor i studimit, C Scott Watson, glaciolog në Universitetin e Leedsit.

Për më tepër, numri i ndërtesave të rrezikuara mund të jetë edhe më i madh se ai i identifikuar nga studiuesit.

Studimi i klasifikoi si ndërtesa në rrezik të gjitha ato që ndodheshin brenda një distance vertikale prej 50 metrash nga sipërfaqja e një lumi ose liqeni akullnajor.

Por gjatë përmbytjeve katastrofike të 26 gushtit, banorët e distriktit Rasuwa thanë se në disa vende niveli i lumit ishte ngritur me 70 metra. Për këtë arsye, u goditën dhe u mbuluan nga mbeturinat dhe llumi edhe ndërtesa që ndodheshin relativisht larg brigjeve të lumit.

Dy muaj pas përmbytjeve shkatërruese të gushtit, këto ndërtesa në Trishuli Bazar vazhdojnë të jenë të shkatërruara.

Rreziqet në të gjitha këto zona shkaktohen kryesisht nga ngrohja e rajonit të Himalajeve, e cila, sipas shkencëtarëve, po ndodh me një ritëm dy herë më të shpejtë se mesatarja globale. Kjo ka përshpejtuar shkrirjen e akullnajave, fushave të akullit, shtresave të dëborës dhe tokës që normalisht mbetet e ngrirë gjatë gjithë vitit.

Kjo, nga ana tjetër, mund të destabilizojë shpatet malore, të cilat gjithashtu tronditen shpesh nga tërmetet, duke shkaktuar fatkeqësi shkatërruese në zonat e poshtme të rrjedhës së lumenjve.
Shkrirja e shpejtë po mbush dhe zgjeron gjithashtu liqenet akullnajore, derisa ato shpërthejnë dhe shkaktojnë përmbytje vdekjeprurëse. Vetëm në Nepal janë dokumentuar rreth 30 ngjarje të tilla që nga viti 1940.

Një problem tjetër është se rritja e temperaturave bën që reshjet e shiut të arrijnë në lartësi të mëdha, ku më parë binte vetëm borë. Kjo shkakton shembjen e shpateve, rënien e shkëmbinjve dhe akullit, si dhe fatkeqësi të tjera.

Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, ngriti çështjen e rreziqeve nga ndryshimet klimatike gjatë fjalimit të tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku tha se vendi i tij po paguante një “çmim kolosal” për një krizë që nuk e kishte shkaktuar vetë.

“Çdo fatkeqësi e madhe rrezikon të fshijë vite të tëra zhvillimi. Ajo e detyron një vend të varfër të marrë hua për të riparuar dëmet që nuk i ka shkaktuar vetë”, deklaroi Shah.

Rregulloret nuk zbatohen në terren 

Alton Byers, gjeograf malor në Universitetin e Kolorados, i cili nuk ishte përfshirë në studim, thotë se ai duhet të shërbejë si një “pikënisje” për krijimin e sistemeve më efektive të paralajmërimit të hershëm dhe marrjen e masave të tjera parandaluese.

Por realizimi i kësaj do të jetë sfidues. Aktivistët thonë se rregulloret e ndërtimit nuk zbatohen në terren dhe se, gjatë viteve, zhvillimi në shumë vende është bërë pa planifikim të duhur.

Rrugët, projektet e hidrocentraleve, hotelet dhe qytezat tregtare janë zgjeruar në tokat e ulëta dhe të sheshta përgjatë lumenjve, të cilat janë lehtësisht të arritshme dhe të përshtatshme për ndërtim, thotë profesori Surya Raj Acharya, ekspert i planifikimit urban dhe sekretar i përgjithshëm në Universitetin e Nepalit.

Ai shton se autoritetet përgjegjëse shpesh kanë shpërfillur masat mbrojtëse, përfshirë ndalimin e ndërtimeve pranë brigjeve të lumenjve.

“Një ekosistem i brishtë si Himalajet kërkon rregulla më të rrepta të planifikimit dhe ndërtimit sesa zonat e tjera, por këto rregulla kanë qenë të dobëta dhe janë zbatuar keq”, thotë ai.

Autoritetet në Nepal thonë se po punojnë për t'i trajtuar këto probleme. Sipas agjencisë kombëtare të fatkeqësive, së shpejti do të ndalohen vendbanimet brenda 15 metrave nga brigjet e lumenjve përgjatë korridorit Rasuëa-Bhotekoshi, i cili u shkatërrua së fundmi. Rregulla të ngjashme pritet të vendosen së shpejti edhe përgjatë korridoreve të tjera lumore.

“Është një detyrë sfiduese, sepse në shumë vende njerëzit kanë lidhje emocionale me tokën dhe pronën e tyre, por nuk mund t'i shpërfillim rreziqet në rritje”, thotë drejtori ekzekutiv, Dharam Raj Uprety.

Një situatë e ngjashme është zhvilluar në anën perëndimore të kufirit të Nepalit, në shtetin indian Uttarakhand, ku kufizimet për numrin e turistëve dhe rregullat mjedisore janë anashkaluar në emër të rritjes ekonomike, pretendon aktivisti Anoop Nautiyal.

Në letër ekzistojnë rregulla të zonimit që ndalojnë ndërtimin e shtëpive dhe infrastrukturës shumë pranë brigjeve të lumenjve, “por në terren nuk shohim zbatimin e këtyre rregullave”.

“Ndërtime të shfrenuara mund të shihni kudo”, deklaron ai.

Më 12 tetor, qeveria e Uttarakhandit miratoi rregulla të reja për zonimin e fushave të përmbytjes, me qëllim rregullimin e përdorimit të tokës dhe zhvillimit. 

“Objektivi është të mbrohen jetët, pronat dhe infrastruktura e rëndësishme nga dëmet e mundshme të përmbytjeve, duke ruajtur njëkohësisht rrjedhën natyrore të ujërave të përmbytjes”, thuhej në vendimin e kabinetit të shtetit.

Megjithatë, Basanta Raj Adhikari, drejtor i Qendrës për Studimet e Fatkeqësive në Universitetin Tribhuvan, mendon se nuk do të jetë e mundur të eliminohen plotësisht këto rreziqe.

Ai sugjeron se vlerësimet e sigurisë mund të jenë një tjetër mënyrë për t’i nxitur njerëzit të ndërtojnë në zona me rrezik më të ulët.

Nëse autoritetet do t’i klasifikonin zonat si me rrezik të lartë, mesatar dhe të ulët, ai beson se mbulimi nga sigurimet do të përshtatej “në përputhje me këtë klasifikim”, duke u siguruar njerëzve që ndërtojnë shtëpi në zona më të sigurta, mbrojtje më të mirë.

Por, për momentin, ritmi i ndërtimeve në të gjithë rajonin nuk tregon shenja ngadalësimi.