Nga fundi i këtij muaji e deri në fund të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian do të përballet me një varg të jashtëzakonshëm zgjedhjesh. Votuesit në katër nga pesë shtetet më të mëdha anëtare të bllokut, për nga popullsia dhe ekonomia, do t’u drejtohen kutive të votimit. Zgjedhje parlamentare priten gjithashtu në Estoni, Finlandë, Greqi dhe Sllovaki, si dhe zgjedhje rajonale në Gjermani
Në fund të vitit 1998, Tony Blair ishte kryeministër i Britanisë, Lionel Jospin kryeministër i Francës, ndërsa Gerhard Schröder sapo ishte zgjedhur kancelar i Gjermanisë. Bashkimi Evropian (BE) kishte 15 shtete anëtare dhe partitë proevropiane të qendrës së majtë ishin në pushtet, të vetme ose në koalicione, në të gjitha përveç dy prej tyre.
Rritja e shpejtë ekonomike po përmirësonte standardin e jetesës. Procesi i zgjerimit drejt lindjes kishte nisur. Në Washington, Bill Clinton po ndiqte të njëjtën linjë politike të qendrës, të njohur si “rruga e tretë”, duke synuar një alternativë të ndërmjetme mes kapitalizmit të tregut të lirë dhe socializmit tradicional. Bashkimi Evropian kishte ndjesinë se historia ishte në anën e tij.
Gati tri dekada më vonë, politika në kontinent duket se po anon sërish në një drejtim të vetëm, por këtë herë vrulli i përket së djathtës ekstreme nacionaliste dhe rezultati mund të jetë zhbërja e konsiderueshme e konsensusit evropian të pasluftës së Dytë Botërore, mbi të cilin u ndërtua BE-ja.
Nga fundi i këtij muaji e deri në fund të vitit të ardhshëm, blloku do të përballet me një varg të jashtëzakonshëm zgjedhjesh. Votuesit në katër nga pesë shtetet më të mëdha anëtare të BE-së, për nga popullsia dhe ekonomia, do t’u drejtohen kutive të votimit. Zgjedhje parlamentare priten gjithashtu në Estoni, Finlandë, Greqi dhe Sllovaki, si dhe zgjedhje rajonale në Gjermani.
Spanja do ta hapë këtë cikël me zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 29 nëntor, ku koalicioni socialist i kryeministrit Pedro Sanchez do të përballet me humbje të mundshme përballë partive të djathta, Partisë Popullore konservatore (PP) dhe partisë së ekstremit të djathtë Vox, të cilat tashmë qeverisin së bashku në disa rajone të Spanjës.
Më pas, në pranverë, do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Francë. Favoritja e qartë në garën presidenciale është Marine Le Pen e “Tubimit Kombëtar” (RN) të ekstremit të djathtë, e cila qëndron dukshëm përpara liderit të së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, dhe një opozite thellësisht të përçarë.
Kur Polonia të votojë vitin e ardhshëm, partitë nacionaliste, të cilat së bashku sigurojnë gati gjysmën e votave në vend, mund ta rrëzojnë koalicionin liberal të kryeministrit Donald Tusk, pavarësisht përçarjeve të fundit mes tyre.
Ndërkohë, në Itali, Giorgia Meloni, partia e së cilës, “Vëllezërit e Italisë”, ka rrënjë në të djathtën ekstreme, shpreson të sigurojë një mandat të dytë në zgjedhjet që pritet të mbahen para fundit të vitit 2027. Megjithatë, ajo po përballet me presion nga krahu i saj i djathtë, për shkak të partisë së re “E Ardhmja Kombëtare”.
Në mënyrë pradoksale, kjo rritje e nacionalizmit po ndodh në një kohë kur mbështetja publike për BE-në është e fortë. Të tronditur nga kaosi i Brexitit dhe në kërkim të sigurisë në një botë gjithnjë e më të shqetësuar, një rekord prej 74 për qind të evropianëve thonë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në BE, ndërsa shumë pak parti euroskeptike kërkojnë largimin e plotë nga blloku.
Megjithatë, euroskeptikët dhe nacionalistët vazhdojnë ta shohin BE-në si një projekt të imponuar nga lart, i cili cenon sovranitetin kombëtar. Ata synojnë ta shndërrojnë atë në një bashkim shumë më të lirshëm shtetesh sovrane.

“Ndryshimi rrënjësor i fytyrës”
Sipas politologes italiane Natalie Tocci, kjo do të thotë se cikli i ardhshëm zgjedhor mund “t’ia ndryshojë rrënjësisht fytyrën Evropës”, duke shkaktuar jo thjesht “një gërryerje graduale të projektit evropian, por zbrazjen e tij nga brenda, nëse jo edhe shpërbërjen e plotë”.
Të gjitha zgjedhjet janë të ndryshme dhe rrethanat e brendshme të secilit vend kanë rëndësi të madhe. Megjithatë, analistët pajtohen se faktorët themelorë që po ndikojnë në këtë zhvillim janë të ndërlidhur: rritja e ngadaltë ekonomike, plakja e popullsisë, financat publike nën presion dhe rritja e pandalshme e kostos së jetesës, kanë dobësuar mbështetjen për partitë tradicionale gjithëpërfshirëse të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë në Evropë. Vala e protestave të udhëhequra nga të rinjtë që po përfshin kontinentin, është shenja më e dukshme e pakënaqësisë së thellë të votuesve.
Ndërkohë, partitë nacionaliste janë bërë gjithnjë e më të afta të krijojnë dhe shfrytëzojnë një listë gjithnjë në ndryshim të kërcënimeve dhe krizave të pretenduara, nga migracioni dhe vaksinat te tranzicioni i gjelbër, mbështetja për Ukrainën, globalizimi, elitat ndërkombëtare dhe institucionet mbikombëtare. Këto narrativa përforcohen nga dezinformimi rus dhe mbështetja e hapur e Shtëpisë së Bardhë të Donald Trumpit për partitë “patriotike”.
Si rezultat, politika është fragmentuar dhe polarizuar. Gati një në katër votues tashmë mbështet partitë e ekstremit të djathtë, një përqindje që është rritur pothuajse pesëfish që nga mesi i viteve ‘90.
Kjo rritje nuk ka qenë e njëtrajtshme. Gjatë vitit të fundit, ndërsa partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) e ekstremit të djathtë shënoi një fitore historike në zgjedhjet rajonale në lindje të Gjermanisë, në Holandë “Partia e Lirisë” e Geert Wilders humbi gati një të tretën e vendeve në parlament. Partia “Fidesz” e Viktor Orbnit pësoi një humbje të thellë në Hungari, ndërsa “Demokratët e Suedisë” të ekstremit të djathtë humbën mbështetje për herë të parë në 16 vjet.
Megjithatë, prirja e përgjithshme në rritje duket e qartë. Sipas politologëve, ajo nxitet mbi të gjitha nga normalizimi dhe përhapja e ideve të së djathtës ekstreme në diskursin kryesor politik, veçanërisht sa i përket emigracionit.
Partitë e qendrës së djathtë po i heqin gradualisht barrierat politike që dikur përjashtonin bashkëpunimin me të djathtën radikale. Në nivel evropian, “Partia Popullore Evropiane” (EPP) e qendrës së djathtë është mbështetur gjithnjë e më shumë te grupet edhe më djathtiste për të zhbërë disa pjesë të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe për të ashpërsuar rregullat e migracionit.
Ndikimi në Këshillin Evropian
Për BE-në, ndikimi më i madh i këtij cikli zgjedhor mund të ndihet në Këshillin Evropian, ku mblidhen liderët e vendeve anëtare. Aktualisht, vetëm tre nga 27 krerët e qeverive i përkasin qendrës së majtë.
Nëse liderët euroskeptikë në Francë, Spanjë dhe Poloni u bashkohen atyre të Çekisë, Italisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë deri në fund të vitit 2027, ata nuk do të kenë numrat e nevojshëm për të ndryshuar ligjet e BE-së, por do të përbënin një pakicë bllokuese me ndikim të madh.
Negociatat për buxhetin e BE-së, zgjerimi i ardhshëm i bllokut, ndihma për Ukrainën dhe integrimi më i thellë në fusha thelbësore si mbrojtja, energjia, financat dhe teknologjia mund të përballen me paralizë, paralajmërojnë analistët.
Sipas Toccit, fuqia që vjen nga numrat mund të ndryshojë sjelljen e liderëve aktualë në Këshillin Evropian. Përmbajtja relative e Melonit është diktuar pjesërisht nga izolimi i saj përballë homologëve të qendrës, si Tusk, Sanchez dhe presidenti francez Emmanuel Macron, si dhe nga varësia e Romës prej 200 miliardë eurove nga fondet e rimëkëmbjes së BE-së.
Nëse ajo do të ulej në tryezë me figura si Le Pen, liderin e së djathtës ekstreme të Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, dhe një qeveri spanjolle të mbështetur nga Vox, ndërsa në vend përballet me presionin e Roberto Vannacci, përfaqësuesit radikal të partisë “E Ardhmja Kombëtare”, dhe fondet e BE-së po pakësohen, mund të kishte më pak arsye për të bashkëpunuar me Brukselin.
Megjithatë, analistët pajtohen se beteja vendimtare do të zhvillohet në Francë. Programi zgjedhor i Le Pen e vendos atë në kurs përplasjeje me Brukselin. Ajo synon të ulë me 11 miliardë euro kontributin e Francës në buxhetin e BE-së, të mbajë një referendum kushtetues për të shpallur epërsinë e ligjit francez ndaj atij evropian dhe të shkelë disa rregulla të tregut të përbashkët.
“Franca ka një ndikim shumë të madh në BE”, tha Mujtaba Rahman nga kompania konsulente Eurasia Group. Krahasuar me Orbanin, ai vlerëson se një presidente si Le Pen do të kishte “shumë më tepër ndikim për të zbatuar strategjinë e së djathtës ekstreme për të përmbysur arkitekturën mbikombëtare të BE-së, të bazuar në sundimin e ligjit”.
Deri më tani, Brukseli ka arritur t’i përmbajë figurat penguese si Orbani, kryesisht sepse në tryezën e diskutimeve rrallëherë ka pasur më shumë se dy ose tre të tillë. Një bllok euroskeptik i bashkuar do ta linte BE-në të paaftë për të zbatuar standardet e sundimit të ligjit, për të thelluar integrimin e politikave ekonomike dhe të sigurisë apo, në të vërtetë, për të arritur marrëveshje për pothuajse çdo çështje.
Viktima e parë mund të bëhet Ukraina, pasi me Le Penin në krye të një grupimi, do të bllokohej ndihma e mëtejshme për Kievin.
Tri dekada pas vitit 1998, zgjedhjet e ardhshme në Evropë mund të shndërrohen në “test kyç për qëndrueshmërinë e BE-së”, përfundoi Stefan Lehne nga instituti kërkimor “Carnegie Europe”. Sipas tij, kërcënimi ndaj bllokut mund të mos jetë i menjëhershëm apo ekzistencial, por rreziqet në periudhën afatmesme janë të konsiderueshme.
“Një rol më i fuqishëm i së djathtës radikale mund të mos jetë i mjaftueshëm për ta shpërbërë BE-në në formën që ka sot”, tha Lehne, por mund “ta pengojë atë të bëhet ajo që duhet të jetë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes”.
Dhe dështimi i zgjatur për të vepruar kolektivisht, gradualisht dhe në mënyrë të pashmangshme, do të çonte në humbjen e rëndësisë së saj.