Soutenez TIME. Préservez la vérité.
basketball

La Super League réunit des Américains naturalisés

basket-ball

Te Kosova e kishin të pamundur të bashkohen. Por Superliga po i bënë bashkë shumicën e basketbollistëve amerikanë të natyralizuar nga Kosova.

Peja të enjten njoftoi për transferimin e Dominic Artisit. Ai është basketbollisti i fundit amerikan i natyralizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Artis ka luajtur për Kosovën dhe tani do të luajë edhe në Superligë për Pejën. Ai u bashkohet në Superligë amerikanëve të tjerë që u pajisën me pasaporta të Kosovës në mënyrë që ta kenë të drejtën të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës. 

Përfaqësueset evropiane kanë të drejtë që në përbërje ta kenë një amerikan të natyralizuar. Në shumicën e ndeshjeve të deritashme, Kosova e kishte një amerikan në formacion. I pari ishte Justin Doellman. Ishte edhe lojtari i nivelit më të lartë. Pas tij pasaportën e Kosovës e morën Scott Bamforth, Shawn Jones, Malcolm Armstead, Divine Myles e Dominic Artis. 

Kur luajti për Kosovën, në gusht e shtator 2016, Doellman ishte pjesë e Barcelonës. Ai kishte karrierë të suksesshme në basketbollin evropian. Por te Kosova qëndroi shkurt. Për dallim nga të natyralizuarit e tjerë, Doellman nuk luajti në Superligën e Kosovës. 

Scott Bamforth luajti në pjesën e dytë të edicionit të kaluar për Golden Eagle Yllin dhe pritet të kthehet sërish në janar. Shawn Jones po luan me plot sukses për Trepçën, për edicionin e dytë rresht. Malcolm Armstead është kohë të gjatë në basketbollin kosovar. Aktualisht është te Prishtina, ndërsa luajti edhe për Pejën e Yllin. Për të tri skuadrat ka luajtur nga më shumë se një herë. Divine Myles po luan për Bashkimin. Dhe tani Artis do të luajë për Pejën.

Ka disa arsye pse amerikanët e natyralizuar janë tashmë pjesë e Superligës. Pagat në basketbollin kosovar vazhdojnë të jenë shumë të larta, falë mundësive që krijon ligji për sponsorizime. Dhe ato janë joshëse për këta lojtarë. Po ashtu gjithë amerikano-kosovarët janë në fazë të vonshme të karrierës. Pra e kanë kaluar kulmin. Dhe paratë që i marrin në Kosovë vështirë se do t’i merrnin në vende të tjera.

Jones ka luajtur gjatë në liga e skuadra cilësore evropiane. Në moshën 34-vjeçare ai po luan për Trepçën. Armstead është 37-vjeçar dhe me të kaluar në nivel solid evropian. 37-vjeçari Bamforth po ashtu luajti me sukses në nivelin e lartë evropian. Tani po luan në Meksikë e Kosovë. Pra jo në nivelin ku e kaloi shumicën e karrierës. 30-vjeçari Myles nuk kishte karrierë të gjatë në basketbollin evropian, por ditët më të mira si basketbollist i ka lënë prapa.

33-vjeçari Artis luajti po ashtu në skuadra serioze evropiane. Së fundi ishte në Liban e tani do të luajë për Pejën.

“Me përvojën, cilësitë dhe vizionin në lojë, Artis vjen për t’i dhënë një dimension të ri skuadrës sonë. Që nga ndeshja e radhës ai ka të drejtë të luajë si lojtar vendor", ka shkruar Peja në prezantimin e Artisit.

Skuadrat kosovare kanë të drejtë të angazhojnë nga një basketbollist të natyralizuar. Dhe i kanë joshur të gjithë ata që janë në dispozicion, nëse Bamforth kthehet tek Ylli.

Paratë e majme nuk janë e mira e vetme e Kosovës për këta lojtarë. Me pasaportën e Kosovës ata kanë pasur opsione shumë më tepër në karrierë. Dhe kjo në fakt është arsyeja kryesore pse ata kanë pranuar të luajnë për Kosovën. Shumë liga e kanë të kufizuar numrin e amerikanëve. Por ka dukshëm më pak kufizime për basketbollistët që kanë pasaportë të një vendi evropian. Edhe të Kosovës. 

Amerikano-kosovarët janë shumë të vlefshëm për skuadrat e tyre. Janë prej liderëve në skuadrat kosovare dhe fakti që llogariten vendorë u lejon skuadrave që të angazhojnë edhe nga një amerikan shtesë. Ky vlerësohet goxha favor kur bëhet fjalë për garën për trofe.