Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Les subventions et aides pour les récoltes agricoles endommagées devraient être disponibles avant la fin de l'année.

Demet bujqesi

Mbi katër milion euro janë dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore shkaktuara nga vërshimet dhe breshëri vetëm në Komunën e Istogut dhe Pejës. Por para fundit të vitit këto dhe komunat të tjera pritet të subvencionohen nga ekzekutivi ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Armend Muja

Subvencionimi dhe grantet për dëmet në kulturat bujqësore të shkaktuara nga vërshimet dhe breshëri gjatë muajve korrik e gusht të këtij viti pritet të hapet para fundit të vitit. Ka njoftuar ministri i Bujqësisë, Armend Muja.

Sipas tij tashmë komunat e kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe ia kanë dorëzuar ato, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

“Komunat, përfshirë edhe Istogun, i kanë bërë vlerësimet e dëmeve dhe i kanë dërguar ato në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Roli ynë tani është te pjesa e rigjenerimit të prodhimit përmes subvencioneve dhe granteve për kulturat e dëmtuara. Këto do të hapen para fundit të vitit, pikërisht për t’u dalë në ndihmë fermerëve në nevojë”, tha Muja.

Gjatë muajve të verës, korrik e gusht, vërshimet dhe breshëri goditën disa komuna të Kosovës, përfshirë Istogun, Pejën, Suharekën e të tjera, duke shkaktuar dëme në kulturat bujqësore të shumë fermerëve.

Njëra ndër komunat më të prekura ishte Istogu, ku si pasojë e reshjeve të shumta atmosferike u dëmtuan disa nga kulturat kryesore bujqësore, si shalqiri, specat, misri dhe perime të tjera.

Drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Artan Gegaj, ka bërë të ditur se vlera e dëmeve arrin në rreth 3 milionë euro.

“Në Komunën e Istogut janë rreth 3 milionë euro dëme, dhe vlerësimi ka zgjatur rreth një muaj”, tha Gegaj.

Me fatkeqësi natyrore u përball edhe Komuna e Pejës. Zëdhënësi i kësaj komune, Valmir Deçani, ka njoftuar se vlera totale e dëmeve është 1 milion e 160 mijë e 903 euro.

Nga breshëri gjatë muajve të verës janë prekur edhe komunat e Klinës dhe Deçanit.

KOHA ka kontaktuar edhe komunat e tjera të prekura, por gjatë së dielës ato nuk kanë qenë të qasshme për të dhënë informata.

Vlerësimi i dëmeve në komunat e prekura kishte nisur rreth një javë pas fatkeqësive natyrore. Asokohe, fermerët ishin ankuar për mungesën e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga vërshimet paraprake.

Edhe në fillim të vitit 2026 pati vërshime si pasojë e motit të ligë. Komunat i kanë kryer vlerësimet e dëmeve, por kompensimi ende nuk është realizuar.