Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Les Albanais des Balkans – loin de l’égalité

Les Albanais des Balkans – loin de l’égalité

Shqiptarët në Ballkan, ndonëse me pozitë më të avancuar, përballen me realitete të ndryshme politike, institucionale dhe socio-ekonomike. Në shtetet ku shqiptarët nuk përbëjnë shumicën, shqetësimet lidhen me përfaqësimin politik dhe respektimin e të drejtave bazë

Shqiptarët përballen me jo pak sfida, edhe në Kosovë e Shqipëri, e veçmas në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginë të Preshevës. Diku sfidat lidhen me zhvillime politike e institucionale, e diku me të drejtat, përfaqësimin dhe ruajtjen e identitetit.

Prej muajsh në Shqipëri është duke u protestuar me kërkesën për rrëzimin e pushtetit qeverisës.

Analisti politik, Endri Tafani, ka thënë se mungesa e reflektimit nënkupton se Qeveria po i shpërfill kërkesat e qytetarëve.

“Duke qenë se për gjashtë muaj rresht është duke, po themi, vazhduar si protestë, nënkuptohet se gjërat nuk janë duke ecur ashtu siç duhet në Shqipëri sepse përndryshe ajo protestë do të kishte arritur ndonjë rezultat dhe po themi që nuk do të kishte vazhduar më”, ka deklaruar Tafani.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk largohet pa e anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian, pritje që synon të përmbushet më së largu në 2030-n.

Tafani ka thënë se anëtarësimi, që mund të konfirmohet vitin e ardhshëm, jodomosdoshmërisht është meritë e lidershipit në Tiranë.

“Ky vendim politik i BE-së për të futur Shqipërinë (plani është për 2027-n) në njëfarë mënyre i ndihmon teorikisht shqiptarët që të kenë pozita më të mira. Është një plus për të gjithë çështjen e Shqiptarisë. Por, fatkeqësisht kjo është një fitore jo e arritur me fuqitë tona”, ka thënë ai.

Ndryshe prej Shqipërisë, Kosovës nuk i janë hapur negociatat nga BE-ja, kryesisht shkaku që pesë vende anëtare ende nuk e kanë njohur shtetësinë.

Profesori Mazllum Baraliu ka thënë se situata ekonomike vazhdon të jetë e rënduar dhe brengën më të madhe e shpreh për numrin e të rinjve që migrojnë.

“Kemi një gjendje të tillë të vështirë papunësie, varfërie të skajshme dhe vazhdimit të procesit të shpopullimit pra, largimit të rinisë nga vendi dhe ky është indikator i mjaftueshëm për të argumentuar se gjendja sociale dhe ekonomike në Kosovë është e vështirë dhe po vështirësohet”, ka thënë Baraliu.

Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh dhe kanë përfaqësim në institucionet shtetërore, por vazhdojnë debatet për zbatimin e të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e drejtë. Këtë vit, në Shkup u organizuan edhe protesta, shkaku i refuzimit të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për të aplikuar detyrimet ligjore në raport me shqipen. Gazetari Seladin Xhezairi ka fajësuar edhe institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë për këtë.

“Jemi këtu ku jemi me një takat të cunguar të pjesës shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë dhe këtë për pasojë e vuan edhe popullsia shqiptare... për këtë e ka një pjesë të fajit edhe Prishtina zyrtare edhe Tirana zyrtare. Sidomos Qeveria e Kosovës e cila që nga fillimi, para krijimit të Qeverisë doli në mbështetje të hapur të grupimit politik VLEN”, ka thënë Xhezairi.

E, në Luginë të Preshevës shqiptarët vazhdojnë të ankohen për fushatën e spastrimit etnik, nëpërmjet pasivizimit të adresave. Ata përballen me pengesa në përfaqësimin institucional e punësimin në sektorin publik. Analisti politik, Gani Rashiti, ka thënë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për shqiptarët që jetojnë në Serbi, pasi përpjekjet e Kosovës po bllokohen.

“Gjendja socio-ekonomike është në gjendje mos të themi katastrofale, por në një gjendje të rendë për vetë faktin se shteti i Serbisë nuk po hap mundësi për vende të reja të punës dhe nuk po i hap shqiptarëve në përgjithësi mundësinë për punësimin në institucioneve shtetërore”, është shprehur Rashiti.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi, partitë shqiptare garuan në një listë të vetme duke siguruar dy ulëse në Parlament.

Gazetarë e analistë bëjnë thirrje për më shumë presion në mënyrë që të merren për bazë kërkesat për më shumë të drejta, përfaqësim dhe zhvillim.