Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

L'opposition accuse l'Autorité de la concurrence de violations et demande l'intervention du Parquet spécial.

commission

Deputetët e opozitës kanë adresuar një sërë kritikash ndaj funksionimit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, duke pretenduar për parregullsi në udhëheqjen e këtij institucioni, pamundësim të ushtrimit të mandatit të dy anëtareve dhe mosmbajtje të mbledhjeve, pavarësisht kuorumit, raporton KosovaPress.

Këto shqetësime janë ngritur në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku ishte paraparë raportimi i anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës për gjendjen në këtë institucion. Por raportimi u pamundësua në mungesë të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje në mbledhje.

Kryetari i komisionit, Arben Mustafa nga PDK-ja, ka thënë se që nga maji i vitit 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Komisionit të Konkurrencës, ndonëse, sipas tij, ka pasur kuorum.

Ai ka kërkuar sqarime nga kryetarja e këtij komisioni, Binaku-Isufi, lidhur me bazën ligjore mbi të cilën dy anëtareve të emëruara nga Kuvendi u është pamundësuar ushtrimi i mandatit.

“Sipas dokumentacioneve që kemi pranuar, dy anëtareve të komisionit të emëruar nga Kuvendi i Kosovës u është pamundësuar ushtrimi i mandatit për një periudhë të gjatë kohore. Për më tepër, që nga maji i vitit 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Komisionit të Konkurrencës, pavarësisht që ka kuorum. Dhe ajo çka dëshirojmë të dimë nga kryetarja e komisionit, Binaku-Isufi, e cila është përgjegjëse, pyetja është: cila është baza ligjore mbi të cilën kryetarja ua ka pamundësuar ushtrimin e mandatit të dhënë nga Kuvendi i Kosovës dy anëtareve të komisionit? Po ashtu, një çështje tjetër është moszbatimi i vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, lidhur me drejtorin e përgjithshëm. Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës i ka dy aktakuza të ngritura, por vazhdon punën normalisht”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa anëtari tjetër në këtë komision nga Aleanca, Burim Ramadani, e ka cilësuar gjendjen në këtë institucion si alarmante, duke thënë se ekzistojnë pretendime të ndërsjella për shkelje ligjore mes anëtarëve dhe udhëheqjes së Autoritetit.

“Dy shpjegimet rreth gjendjes atje, por gjendja duket se është më shumë se alarmante. Edhe nëse veç njëra palë ka të drejtë, është alarmante. Pra, kemi njërën palë që pretendon për paligjshmëri për udhëheqjen dhe kemi udhëheqjen që pretendon për paligjshmëri për palën tjetër. Si e tillë, e vetmja formë publike, politike, institucionale është ballafaqimi i të dy pretenduesve. Ky ka qenë qëllimi edhe javën e kaluar dhe i sotëm... Këtë javë duket se loja me shtetin ka shkuar në një fazë tjetër, duke bërë që sot kemi bojkot të deputetëve të mazhorancës, Vetëvendosjes dhe deputetit nga minoritetet, çka tregon se është mazhoranca. Është e pakuptueshme nëse gjithë mazhoranca mungon... Vetëvendosja po ikën nga mbikëqyrja e institucioneve të cilat kanë përgjegjësi serioze... Kisha kërkuar prej Prokurorisë Speciale të ketë angazhim, të qartësohet secila situatë që është këtu”, tha Ramadani.

Edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka kritikuar mungesën e mazhorancës, duke pretenduar se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mbajtur mbledhje për 40 muaj dhe se nuk janë trajtuar qindra tenderë, përfshirë ata të KEK-ut.

“Është shumë vështirë në një moment kur mazhoranca i ka votat dhe mbivoton çdoherë vendimet. Zakonisht opozita mund të votojë dhe të largohet prej mbledhjeve të komisionit, besa edhe seancave, sepse ka formë dhe metodë për të treguar se arroganca e numrit nuk është detyrimisht edhe argument i fituar. Po flasim për një institucion shumë të rëndësishëm në Kosovë që për 40 muaj nuk ka mbajtur mbledhje, që ish dashtë mbi 500 deri në 800 tenderë vetëm në KEK t’i trajtojë. Rreth 200 milionë vetëm në KEK t’i trajtojnë për kontrolle në ndërmarrje dhe keqpërdorimet e parasë publike. Po shihet qartë se ka një fshehje edhe më të madhe në këtë drejtim”, tha Lushtaku.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka thënë se mosfunksionimi i këtij institucioni dhe veprimet që ajo i ka cilësuar si jolegjitime janë në dëm të interesave të konsumatorëve, përfshirë mbikëqyrjen e çmimeve të produkteve bazë dhe derivateve të naftës.

“Çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë mjaft aktive edhe në legjislaturën e kaluar. Më vjen mirë që sot i ka ardhur koha. Jam më së e lumtur që sot po shihet se pushteti, anëtarët e mazhorancës, po i ikin ballafaqimit. Kjo vlen për dy arsye: aktivitetet që janë bërë brenda Autoritetit të Konkurrencës, disa prej tyre janë jolegjitime, dhe, për më tepër, mungesa e anëtareve të Vetëvendosjes sot po amniston jolegjitimitetin dhe po amniston dhunën që është bërë në zyrat e Autoritetit të Konkurrencës. Pra, nëse flasim për dhunë, sot dhuna po tejkalohet në mungesë të prezencës në komision, dhuna në zyra, dhe nuk do të thotë se dhuna bëhet vetëm në baza gjinore. Po ashtu, po amnistohen aktivitetet jolegjitime dhe krejt kjo në dëm të konsumatorit. Shihet se LVV-ja ka bërë fushatë për konsumatorin, por punon me një plan që shkon në dëm të interesave të konsumatorëve, sot që nga produktet bazë e deri te nafta e të tjerat”, tha Ymeri.