Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale, duke thënë se në praktikë shumë projekte kanë mbetur të papërfunduara.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se gjatë gjashtë viteve të fundit realizimi i investimeve kapitale ka qenë tejet i ulët, ndërsa ka kritikuar ekzekutivin për mungesë të përgjegjësisë para Kuvendit dhe qytetarëve lidhur me mosrealizimin e projekteve.
Ai ka përmendur disa projekte infrastrukturore të trashëguara nga qeveritë paraprake, të cilat, sipas tij, kanë mbetur të parealizuara. Në mesin e tyre janë autostrada e Gjilanit, rrugët për Pejë, Mitrovicë dhe Podujevë, rruga Dollc-Gjakovë dhe ajo Prizren-Gjakovë.
“As projektet e premtuar nga kjo qeveri nuk janë realizuar, përfshirë këtu: rrugën dhe tunelin Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës, aeroportin e Gjakovës, çerdhet për fëmijë, banesat sociale, digat për akumulime dhe projekte të tjera”, ka shtuar ai.
Sipas tij, përvoja e viteve të fundit ka bërë që të mos ketë më besim në shifrat e larta të investimeve kapitale të parapara në buxhetin e vitit 2027.
Deputeti i LDK-së ka ngritur pikëpyetje edhe për procedurat e prokurimit publik, duke theksuar se realizimi i ulët i investimeve ka vazhduar pavarësisht përdorimit të procedurave të negocimit dhe kontratave njëburimore.
“Pasojat ekonomike dhe sociale nga mos-realizimi i projekteve kapitale po i bartim të gjithë. Kolonat e gjata nëpër rrugë në ndërtim e sipër tash e gjashtë vite po i kushtojnë secilit kohë dhe shpenzime. Mos-realizimi i investimeve kapitale e kanë lënë ekonominë e Kosovës pa qindra miliona euro në qarkullim, mjete që do të krijonin efekte zinxhirore pozitive në ekonomi”, ka shtuar ai.