Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Gjini – Kurtit : De "Lumezi s'en va, Elezi vient", est venu Bylmezi

Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar pushtetin e Albin Kurtit duke thënë se nuk e ka sjellë ndryshimin e premtuar e se është zhgënjim për qytetarët.

Duke e kujtuar shprehjen e famshme të Kurtit “shkon Lumezi, vjen Elezi”, Gjini ka thënë se nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra.

“Është shprehje e poshtër dhe i ka disa poshtërsi shtesë... por është tepër zhgënjyese me e marrë vesh se ka ndodhur diçka tepër interesant. A e dini çka ka ndodhur? As nuk ka shkuar Lumezi, as nuk ka ardhë Elezi. E në pushtet ka ardhur bylmezi. Ju e dini çka është bylmezi...”, ka thënë ai në tubim me qytetarë në Prizren.

Gjini ka akuzuar Kurtin dhe pushtetin e Vetëvendosjes se kanë ndërtuar narracion mbi ndarjen e shoqërisë dhe vendosjen e njerëzve kundër njëri-tjetrit.

“Nuk mundet me pas pushtet i cili do me e ndreqë Kosovën, po kundër bizneseve. Që do me e rregullu sundimin e ligjit, po kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Që do me i ndreqë marrëdhëniet ndërkombëtare, po kundër Amerikës. Që do me e rregullu demokracinë, po kundër mediave. Që do me e luftu korrupsionin, po kundër opozitës, jo kundër hajnave të vet”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka thënë se problemi kryesor qëndron në faktin se motivimi politik dhe narracioni publik janë ndërtuar mbi kundërshtimin e dikujt, e jo mbi një vizion dhe qëllim të përbashkët për vendin.

Gjini ka paralajmëruar edhe për pasojat e ndarjeve të tilla në shoqëri, duke përmendur përçarjen mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë, mes qytetit dhe fshatit, si dhe mes njerëzve të së njëjtës shoqëri.

“Nuk guxojmë me i dhënë këto mesazhe si start. Pushteti nuk mundet me qenë veç kundër diçkaje ose kundër dikujt. Duhet me qenë për diçka”, ka përfunduar Gjini.

Deklarata e Kurtit pati bërë bujë vite më parë. Ajo lidhej me qëndrimet e Kurtit për ndryshime në sistemin e drejtësisë dhe prokurorisë. Kurti premtonte sistem të drejtësisë pa prokurorë të ndikuar politikisht e me prokurorë të pavarur. Në këtë rast i referohej ish-kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe prokurorit Elez Blakaj që qe larguar nga Kosova atë kohë. Blakaj njihet për hetimin e listave të veteranëve.

Bylmez është term që përdoret për njerëz të paaftë e që nuk marrin vesh.