Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Gecaj : Il n’y a plus de correction possible, le mal est fait suite aux procès intentés aux anciens dirigeants de l’UCK.

Hysen Gécaj

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hysen Gecaj, ka thënë se dëmi i shkaktuar nga proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë është i madh dhe se, sipas tij, nuk mund të korrigjohet më plotësisht. 

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Gecaj ka shprehur shpresën që akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së të demantohen, në mënyrë që të mos krijohet përshtypja se Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë mbështetur një kauzë të lidhur me krimin.

“Nuk ka më korrigjim, nuk mund të korrigjohet kjo, dëmi është bërë në një masë të madhe. Është me rëndësi që të vijmë në një moment ku këto akuza të demantohen dhe të mos fitohet përshtypja që vetë shteti i Kosovës, por edhe bashkësia ndërkombëtare që na ndihmoi ta çlirojmë vendin, kanë mbështetur një kauzë dhe një grup të organizuar kriminal”, ka deklaruar Gecaj.

Ai e ka cilësuar si përpjekje për të shpëtuar atë që ende mund të shpëtohet edhe nismën për ndryshime ligjore lidhur me Gjykatën Speciale.

“Kjo tentativa e fundit që po ndodh me ligjin e veçantë për gjykatat e specializuara është një tentativë të shpëtohet ajo çka është e mundur të shpëtohet”, ka thënë ai.

Gecaj ka shprehur pakënaqësi edhe me transparencën e Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se opinioni nuk ka marrë shpjegime të mjaftueshme për akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Sipas tij, gjatë luftës dhe në periudhën e veprimtarisë ilegale para saj, pjesëtarët e UÇK-së e kishin parasysh rrezikun për jetën, por nuk e kishin menduar se pas luftës do të përballeshin me procese të tilla gjyqësore.

“Gjatë luftës, por edhe para luftës në ilegalitet, ne kemi pritur se edhe mund të vritemi, mirëpo disa gjëra që po ndodhin në paqe nuk i kemi pritur, nuk i kemi menduar. Aq më pak që pjesëtarët e një ushtrie që ka qenë vetëm çlirimtare dhe e cila buron prej vetë popullit, nuk është pritur që sot mund të gjykohen para një gjykate që i fajëson ata për disa krime”, është shprehur Gecaj.

Gecaj ka folur edhe për një prej momenteve të para të paraqitjes publike të UÇK-së, më 28 nëntor, gjatë varrimit të mësuesit Halit Geci.

Ai ka treguar se atë ditë ishte marrë vendimi që, krahas varrimit, të bëhej edhe dalja e parë publike e forcave të UÇK-së, për t'i treguar qytetarëve të mbledhur se ekzistonte një forcë e gatshme për t'i mbrojtur.

Sipas rrëfimit të tij, Adem Jashari, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, ishte pozicionuar në një perimetër sigurie për mbrojtjen e qytetarëve të pranishëm në varrim.

Gecaj ka thënë se ky moment u prit me entuziazëm nga qytetarët dhe ndikoi në ngritjen e moralit të popullit, duke e kthyer dhimbjen për humbjen e mësuesit Halit në një moment krenarie dhe shprese.

“Ky moment u prit jashtëzakonisht mirë prej qytetarëve. Prej një momenti që ishte i dhimbshëm për shkak të humbjes së mësuesit Halit, u shndërrua në një entuziazëm dhe në njëfarë krenarie e ngritje të moralit të popullit”, ka deklaruar ai.

Sipas Gecajt, pas këtij momenti pati një rritje të interesimit të të rinjve për t'iu bashkuar UÇK-së dhe për të marrë pjesë në luftë.