Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Les économistes contestent les réalisations présentées par Kurti

Albin Kurti

Photo de : Driton Pacharada

Reagime e kritika të shumta janë bërë pasi kryeministri Albin Kurti publikoi një dokument me të arriturat që, sipas tij, kanë ndodhur gjatë kohës prej që e udhëheq qeverinë. Ekonomisti Fidan Qerimi thotë se shifrat e ofruara nuk përkojnë me realitetin. E në Institutin GAP theksojnë se njëra nga mangësitë fillestare të dokumentit është që flet në terma nominalë dhe jo në ata realë pasi të jetë larguar ndikimi i inflacionit

Si jo reale janë vlerësuar nga ekonomistë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të dhënat që ka ofruar kryeministri Albin Kurti në një dokument për të arriturat që, sipas tij, kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij.

Në dokument përmenden suksese si rritja ekonomike, rritja e pagave dhe ulja e pabarazisë së tyre, investimeve kapitale dhe rënia e papunësisë.

Blend Hasaj, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se njëra nga mangësitë fillestare të dokumentit është që flet në terma nominalë dhe jo në ata realë pasi të jetë larguar ndikimi i inflacionit.

Sipas raportit të Kurtit, nga viti 2021 në krahasim me tani, pagat në sektorin privat janë rritur në 75 për qind.

Por, Hasaj thotë se ndonëse pagat janë rritur, as këto shifra nuk janë reale.

“Nëse bëjmë krahasimin për periudhën 2021-2025, në terma realë na del se pagat në sektorin privat janë rritur rreth 28 për qind, ndërsa në të gjithë ekonominë, rreth 20 për qind, që sido kudo mendoj që është një rritje evidente. Njëjtë edhe te pjesa e zgjerimit të ekonomisë vërehet se ka një rritje në terma realë apo zgjerim të prodhimit rreth 2 miliardë euro dhe vlerës së shtuar”, ka thënë ai.

Megjithatë, Hasaj thekson se e dhënë jo e saktë në raportin e Kurtit është dyfishimi i eksporteve për periudhën që ai i referohet. Vlerësim të ngjashëm ka edhe për pjesën ku flitet për buxhetin për komunat.

“Nuk ka ndodhur dyfishim i eksporteve në periudhën 2021-2025, ndonëse është në mesatare një përmirësim në raportin import dhe eksport. Po ashtu, edhe kur flitet te pjesa e buxhetit të komunave, nuk pasqyrohet tërësisht situata në mënyrë të drejtë, pasi që e dimë se çfarë problemesh i janë shkaktuar nivelit lokal, sidomos me obligimet me kontratat kolektive dhe pastaj me uljen e buxhetit për arsim, e të tjera”, ka thënë Hasaj.

Ndërkaq, ekonomisti Fidan Qerimi është shprehur më kritik ndaj të dhënave që ka ofruar Kurti.

Ai thotë se ndonëse ka rritje ekonomike, shifrat e ofruara nga kryeministri nuk përkojnë me realitetin.

“Pa dyshim. Këtë mund ta konstatoj pa asnjë fije dyshimi sepse këto vlera të paraqitura në raport janë të fryra në pjesën e rritjes ekonomike e po ashtu edhe në pjesë të tjera, qoftë në rritjen e qarkullimit për biznese apo vlera të tjera. Kemi vlera të tjera nominale, nuk kemi vlera reale. Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi një rritje të qarkullimit, por kjo rritje e qarkullimit është bërë si rezultat i rritjes së çmimeve. Ne nuk kemi produkte më tepër të prodhuara ose të konsumuara, por vetëm vlera për shkak të rritjes së çmimeve është fryrë si vlerë”, ka insistuar ai.

Edhe fuqia blerëse, sipas Qerimit, është më e vogël krahasuar me atë të prezantuar në raport.

“Kontributi në rritjen e pagës është pjesë e sektorit privat si rezultat i migrimit, mungesës së punëtorëve. Bizneset janë detyruar që t’i rrisin pagat dhe kjo është një rritje e pagës mesatare. Kurse, në aspektin, në pjesën e pagave të sektorit publik, pagat nuk është se janë rritur. Kemi pasur një rritje për 0.5 deri 1 koeficient, por jo nuk është as 20 për qind i inflacionit që ka qenë në këtë periudhë kohore. I bie që fuqia blerëse me ato të ardhura që janë rritur është më pak se sa po proklamohet”, ka thënë ai.

Reagime lidhur me këto të dhëna ka pasur edhe nga ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.