Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

L'Association des architectes demande l'annulation de la décision concernant « Ulpiana ».

Fontana

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e lokacionit “Te Fontana”, në lagjen “Ulpiana”, për ndërtimin e një objekti të ri dhe të një parkingu tokësor.

“Prishtina 2030 Legacy” është një projekt i ri, për të cilin Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur të premten, ka caktuar lokacionin “Te Fontana”. Ky vendim është përcjellë me reagime të shumta.

“Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Kuvendit Komunal për caktimin e këtij lokacioni për ndërtim dhe ndërprerjen e çdo procedure që synon realizimin e ndërtimeve të reja mbi tokë në këtë hapësirë. Ky qëndrim nuk kushtëzohet nga cilësia e projektit që mund të propozohet dhe as nga një proces i mëtejshëm diskutimi mbi përshtatshmërinë e tij. Vlerat urbanistike të Ulpianës janë argument i mjaftueshëm për ruajtjen e tërësisë ekzistuese. Zhvillimi duhet t’i respektojë ato dhe jo t’i vendosë vazhdimisht në pikëpyetje. Qyteti nuk ndërtohet vetëm me atë që shtojmë, por edhe me atë që dimë të ruajmë. Ulpiana është një nga ato pjesë të Prishtinës që nuk duhet ta humbasim duke pretenduar se po e zhvillojmë”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

Asociacioni ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke e cilësuar atë si të gabuar dhe joparimor në raport me vlerat urbanistike, arkitektonike dhe historike që përfaqëson lagjja "Ulpiana".

“Ulpiana nuk është thjesht një lagje banimi. Ajo është një nga manifestimet më domethënëse të transformimit të Prishtinës në një qytet modern të planifikuar. E konceptuar në frymën e urbanizmit modernist, Ulpiana përfaqëson një nga etapat themelore të krijimit të Prishtinës bashkëkohore dhe të formësimit të identitetit të saj si qendër urbane. Në themel të këtij transformimi qëndron edhe kontributi i jashtëzakonshëm i arkitektit Bashkim Fehmiu, një prej figurave më të rëndësishme të arkitekturës dhe urbanizmit në Kosovë, autor i planit urbanistik të vitit 1962, i cili hodhi bazat e zhvillimit të lagjeve moderne të Prishtinës, përfshirë Ulpianën. Trashëgimia e tij nuk përfaqësohet vetëm nga objektet apo dokumentet urbanistike, por edhe nga vetë struktura e qytetit që sot e jetojmë. Ruajtja e Ulpianës është, rrjedhimisht, edhe shprehje e respektit ndaj një vizioni profesional dhe një kapitulli themelor të historisë së planifikimit urban në Kosovë”, thuhet në reagim.

Asociacioni ka thënë se ruajtja e Ulpianës nuk e përjashton mundësinë e përmirësimit të infrastrukturës së saj. Sipas tij, ndërhyrjet nëntokësore, përfshirë parkingjet publike që mund ta lehtësojnë presionin e automjeteve mbi hapësirat ekzistuese, janë të mirëseardhura, por me kusht që ato të mos shkaktojnë asnjë ndryshim të perceptueshëm në formën fizike, organizimin hapësinor dhe peizazhin urban të lagjes.

“Çdo ndërhyrje duhet të mbetet e padukshme në përjetimin e hapësirës mbi tokë dhe të mos cenojë gjelbërimin, drurët ekzistues apo karakterin e saj. Ajo që mund të përmirësohet është funksionimi i lagjes, jo ndryshimi i identitetit të saj. Ne e njohim nevojën për zhvillim, për përmirësimin e infrastrukturës dhe për krijimin e kapaciteteve të reja për qytetin. Megjithatë, këto nevoja nuk mund të shërbejnë si arsyetim për ndërhyrje që rrezikojnë vlera urbane të krijuara dhe të konsoliduara ndër dekada. Edhe organizimi i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ duhet të jetë një mundësi për përmirësimin e qytetit, e jo për cenimin e trashëgimisë së tij urbanistike”, thuhet në reagimin e Asociacionit.