Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Accusations entre députés de la majorité et de l'opposition concernant la vente de biens appartenant à l'AKP

akp

Debat i ashpër lidhur me shitjen e pronave është zhvilluar mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës në Komisionin për Buxhet ku është shqyrtuar raporti financiar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2025.

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të pronave të AKP-së, duke përmendur edhe një rast në Ferizaj, si dhe ka hedhur akuza ndaj pushtetit lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Haxhiu ka hedhur akuza ndaj një deputeti të Vetëvendosjes, i cili sipas saj, kishte blerë tokë në Ferizaj për një çmim modest.

“Deputeti Valon Ramadani u çu e thirri babën e vet: ‘Hajde, babë, se qashtu po u dashka’, nëse doni lejani emrin, negocioni. I ka marrë hiç më pak se 2 mijë e 524 metra në Ferizaj. Atëherë, në rastet konkrete që ka shumë të shitjes në këto 54 shitje, jemi lodhur duke dëgjuar: gjashtë vite kaluan për t’u mbyllur AKP-ja. Për Gjykatën Kushtetuese, ju nuk e merrni vesh sa herë është shkelur. More, nuk ka shkelës më të mëdhenj të Gjykatës Kushtetuese, derisa po prisni t’i çoni edhe gjyqtarët atje, për ta pasur edhe Gjykatën në kompetencën tuaj.”

Ilir Kërçeli ka kundërshtuar kritikat e deputetëve lidhur me shitjen e aseteve të AKP-së, duke përmendur mënyrën e shitjes së pronave gjatë periudhave të mëhershme.

“Gjatë qeverisjes së AAK janë shitur 2 euro ari, 200 kontrata janë bërë me shitje direkte. Pse s’po i tregoni popullit? Pse po mundoheni me iu qit hi syve? Nuk u shit 4 euro ari, 400 euro u shit ari. Toka në Ferizaj nuk u shit 2 euro ari, qysh e keni shitë ju, u shit 10 mijë euro ari. Mos hajde këtu me u mundu me i qit hi syve qytetarëve. Tregoni, gjatë mandatit të juaj, 200 kontrata në negocim, ka 2 euro ari e keni shitë. Prej vitit 2008 deri në vitin 2021, 500 milionë euro i keni shitë asete”, tha Kërçeli.

Gjatë raportimit, kryesuesi i Bordit të AKP-së, Hekuran Nikçi, ka thënë se bordi që ai kryeson është emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 prill 2026, pra pas periudhës së cilës i referohet raporti.

Ai ka bërë të ditur se buxheti përfundimtar i AKP-së për vitin 2025 ishte rreth 4 milionë e 543 mijë euro, ndërsa shpenzimet e realizuara ishin 4 milionë e 312 mijë euro, apo rreth 94.9 për qind e buxhetit përfundimtar.

“Dua të theksoj se ky bord që unë kryesoj është emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 prill 2026, pas përfundimit të periudhës së cilës i referohet ky raport. Atëherë, sipas pasqyrave financiare, buxheti përfundimtar i AKP-së për vitin 2025 ishte rreth 4 milionë e 543 mijë euro, ndërsa shpenzimet e realizuara ishin 4 milionë e 312 mijë euro, apo afërsisht 94.9 për qind e buxhetit përfundimtar. Pjesa më e madhe e shpenzimeve, rreth 3 milionë e 307 mijë euro, ishte për paga shtesë. Për mallra dhe shërbime u shpenzuan 841 mijë euro, për shpenzime komunale 110 mijë euro, ndërsa për shpenzime kapitale 54 mijë euro”, tha Nikçi.