Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Ahmetaj : La Serbie entend reporter la reconnaissance du Kosovo jusqu'à son intégration dans l'UE.

Mimosa Ahmetaj

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj, ka deklaruar se Serbia po synon që çështjen e Kosovës dhe njohjen e saj ta shtyjë deri në fund të procesit të integrimit evropian, me qëllim që ta mbajë peng vendin në raport me Bashkimin Evropian.

Derisa ka folur të mërkurën për mungesën e Serbisë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Bruksel, Ahmetaj ka thënë se Prishtina nuk duhet të heshtë përballë qasjes së Beogradit, pasi një skenar i tillë do të ishte gabim i madh për Kosovën.

Sipas saj, përfaqësues të Listës së Studentëve në deklarimet e tyre kanë lënë të kuptohet se synojnë që Serbia të anëtarësohet fillimisht në BE, ndërsa çështja e Kosovës dhe njohja e saj të trajtohen në fund.

“Është interesante të observohet qasja e Listës së Studentëve që e kanë në raport me Brukselin dhe në raport me dialogun dhe me Kosovën. Mundohen të jenë shumë të vëmendshëm dhe shumë kalkulativ sa u përket deklaratave dhe qëndrimeve të tyre, por nëse përcillet me kujdes qasja e tyre ndaj Brukselit, ata në deklaratat e tyre kanë thënë se do të mundohen që Serbia të anëtarësohet së pari, pastaj çështja e Kosovës apo njohja e Kosovës të shtyhet fare në fund, që do të ishte gabimi më i madh nëse ne heshtim dhe e përcjellim një qëndrim të Serbisë të tillë sepse ajo do ta mbante peng Kosovën deri në fund”, ka deklaruar Ahmetaj. 

Duke folur për raportet me Brukselin, nënkryetarja e PDK-së ka shprehur shqetësimin për qasjen e përfaqësuesve të Listës së Studentëve ndaj dialogut dhe obligimeve që dalin nga marrëveshjet me Bashkimin Evropian.

Ajo ka vlerësuar se mungesa e një qeverie funksionale dhe përbërja politike e kësaj liste në Serbi mund të jenë ndër arsyet që po shmanget ballafaqimi me Brukselin dhe marrja e obligimeve në këtë fazë.

Ahmetaj ka paralajmëruar gjithashtu për atë që e ka cilësuar si përpjekje të Serbisë për të përdorur modelin e Qipros në raport me Kosovën. 

“Jam shumë e sigurt se edhe në takimin e sotëm do të diskutohet edhe çështja e implementimit të marrëveshjeve të Brukselit, si për Kosovën edhe për Serbinë dhe kjo është arsyeja, të them një politikë apo eskivim i ballafaqimit me realitetin nga Lista e Studentëve në Bruksel sepse ata ende nuk kanë qeveri funksionale, por duke qenë që në përbërjen e tyre ka nga ekstremi i majtë dhe ekstremi i djathtë një përzierje shumë laramane e orientimeve politike, sigurisht që mundohen ta evitojnë ballafaqimin me Brukselin dhe marrjen e obligimeve në këtë fazë. Por mendoj se do të ishte shumë gabim nëse ne heshtim sepse në mediat serbe, në deklaratat e zyrtarëve të tyre flitet shumë herë për skenarin e Qipros në raport me Kosovën, ashtu siç Qiproja nuk është njohur nga Turqia, të përdoret edhe ky model në raport me Kosovën”, ka theksuar ajo.

Një tjetër çështje që, sipas Ahmetajt, përbën betejë diplomatike të Serbisë është përpjekja për ta zhvendosur dialogun Kosovë-Serbi nga diskutimet brenda Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian te Zyra e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.

“Një betejë tjetër që po e bën Serbia është kërkesa e saj në vazhdimësi që dialogu nga diskutimet brenda Shërbimit të Jashtëm të BE-së, ta kalojë te Zyra e Marta Kosit që është Komisioni për Zgjerim dhe ky do të ishte gabimi tjetër”, ka thënë Ahmetaj.