EXPRESS

Shtëpia e Kulturës në Runik pret të ardhmen

E rrethuar me “mur” llamarine, e shkatërruar e pa dritare, Shtëpia e Kulturës në Runik – monumenti i viteve ’50 të shekullit të kaluar i cili në verën e vitit të kaluar i shpëtoi rrënimit – pret t’i caktohet e ardhmja. “E ardhmja shtëpisë së kulturës” ka qenë titulli i ftesës për bashkëbisedim me qytetarët, e cila të shtunën ka bërë bashkë personalitete fushash të ndryshme për destinimin që do të ketë monumenti.

Është njëri prej hapave që i paraprin konkretizimit të projektit për restaurim e rivitalizim, e që vjen gjashtë muaj pasi në emër të një projekti madhor, Komuna e Skenderajt ia mësyu rrënimit të objektit të mbrojtur me ligj. Shenjat e kësaj ndërhyrjeje janë evidente, përderisa në shkollën “Shotë Galica” – të cilën me objektin për të cilin është diskutuar i ndan vetëm një rrugë – janë dhënë propozime të ndryshme: prej sallë teatri e koncertale e deri te hapësira ekspozuese. Nuk ka një vendim konkret, përderisa për restaurim e rivitalizim janë zotuar 880 mijë euro.

Ministria e Kulturës ka paraparë 250 mijë euro për sivjet, 300 mijë për vitin e ardhshëm e Komuna e Skenderajt, 300 mijë euro. Me 30 mijë euro e mbështet edhe fondacioni “Hajde”, i cili e ka organizuar diskutimin, por jo vetëm. Ka qenë po kjo organizatë, që u bë sebep që objekti të shpallej monument në vitin 2018.

Në diskutim ka marrë pjesë edhe artisti me nam botëror, Petrit Halilaj, që kishte propozuar restaurimin e funksionalizimin e Shtëpisë. Ai është themelues i “Hajde”. Ka thënë se qëllimi themelor i kësaj nisme është që më në fund hapësira t’u rikthehet banorëve të vendlindjes së tij. Sipas tij, Runiku ka pasur një “komplet kulturor” që dhunshëm është ndalur.

“Sot mungesa e kulturës në Runik është shumë e përhapur. Nga vitet e ‘80 kur dhunshëm është mbyllur shtëpia e kulturës. Unë si gjeneratë e viteve ’90 mbaj mend se ajo ka qenë gjithmonë e mbyllur dhe nuk kemi guxuar të hyjmë brenda. Sipas meje, ky është gjenocidi i vërtetë kulturor që ka ndodhur te ne. Ajo çfarë po duam të bëjmë ne, është të ringjallim dhe të sjellim prapë një komplet kulturor, art, memorie kolektive, të ardhmen ku idetë e të rinjve praktikohen”.

Qe e harruar deri në vitin 2018, kur Halilaj për disa ditë e ringjalli me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Pak kohë më vonë, shteti u kujtua ta marrë në mbrojtje si objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Sipas Halilaj, një vit parashihet të zgjasë përgatitja e projektit e një vit tjetër të zgjasin punimet.

Idetë se në çfarë mënyre të ringjallet janë gati të përafërta.

Profesoresha e gjuhës, Sala Ahmetaj, ka thënë se do të donte që Shtëpia e Kulturës të ishte shumëfunksionale sa i përket interpretimit artistik.

“Do të doja të shihja çdo segment që ka të bëjë me kulturën në të gjitha variantet e mundshme. Të kemi një sallë për shfaqje teatrale dhe një ku do të mund të mbahen koncerte, aktivitete të tjera, ku do të mund të mbaheshin ekspozita. Një hapësirë të veçantë do të ishte mirë ta kishim për trashëgiminë arkeologjike që e ka Runiku si lokalitet. Gjithashtu një bibliotekë ku edhe ne do të mund të sillnim libra e dokumente”.

Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Hajde”, Adrian Berisha, ka thënë se është organizuar takimi me qytetarët në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe të jenë transparentë sa u përket ideve mbi Shtëpinë e Kulturës në Runik.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të ketë qasje të duhur duke pasur parasysh se është monument i mbrojtur me ligj duke pasur parasysh rëndësinë historike që e ka. Në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt dhe me Ministrinë e Kulturës kemi bërë një plan të punës. Po na shkon shumë mirë, falënderojmë të gjithë bashkëpunëtorët”.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në fund të gushtit të kaluar kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për gjithsej 850 mijë euro buxhet.

Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin, që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para ia mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e vjetëm. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. E kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës.

Takimi i parë për të ardhmen e Shtëpisë së Kulturës ka qenë një lloj punëtorie për procedurën se si do të projektojnë qytetarët idenë e tyre në letër. Është hap i parë drejt rijetësimit të monumentit të mbrojtur që synon të rikthejë jetën kulturore në Runik të Skenderajt.