Marsi i vitit 1989 do të shënonte një prej goditjeve më të mëdha që kishte marrë Kosova nën ish-Jugosllavi: suprimimin e autonomisë që ish-Krahina e gëzonte qysh prej Kushtetutës së vitit 1974. Tashmë Serbia e kishte zyrtarizuar represionin mbi shqiptarët e Kosovës. Përderisa lirisë po i zihej fryma dita-ditës, shqiptarët kishin nevojë për shpresë. E shenja e qartë se fuqia më e madhe e botës demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin nisur të interesoheshin për popujt e këtyre anëve, sidomos për atë të Kosovës, do të jepej në fundgushtin e vitit 1990.
Kur qytetarët e Kosovës kishin marrë vesh se ish-senatori Bob Dole bashkë me kolegë do të hynin në hotelin “Grand”, korzoja e atëhershme e bulevardi i sotëm “Nëna Terezë” në Prishtinë ishin mbushur me njerëz. “Liri” dhe “USA” ishin midis brohoritjeve që vinin si kor. Policia e asaj kohe kishte marrë për detyrë që ta shpërndante turmën. Përleshja do të ishte një histori më vete. E një prej dokumentimeve më të mira të asaj ngjarjeje ia ka bërë fotoreporteri Hazir Reka. Në ekspozitën “Rezistenca” të dielën, kur edhe është shënuar Dita e Çlirimit të Prishtinës, Reka i ka kthyer “personazhet” e shkrepjeve të tij në hollin e hotelit “Grand”. Në bardhezi, në rreth 30 shkrepje, ai shpërfaq dramën e ditës së 30 gushtit 1999.
Takimi i delegacionit amerikan me udhëheqësit shqiptarë dhe me ata serbë, bashkë me turmat e njerëzve që kërkonin liri e ndiqeshin nga policia serbe, në fotografitë e Rekës vijnë si dëshmi të kohës kur vuajtja dhe shpresa nuk i lëshonin rrugë njëra-tjetrës. Ajo ditë do të merrte vëmendje të madhe edhe në mediat ndërkombëtare.
Sipas publicistit Matoshi, ajo kohë dëshmoi se Amerika po vinte në Kosovë.
Delegacionit me senatorë amerikanë i printe Bob Dole dhe ata kishin takuar shqiptarët që udhëhiqeshin nga Ibrahim Rugova e po ashtu përfaqësues të serbëve. Në takime ka qenë edhe filozofi Shkëlzen Maliqi.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kujtuar kohën kur ishte midis turmave që kërkon liri e demokraci nga senatorët amerikanë.
Autori i fotografive, fotoreporteri Hazir Reka, i cili ka punuar edhe për media ndërkombëtare, ka thënë se personazhet e tij flasin vetë.
Takimi i delegacionit amerikan me udhëheqësit shqiptarë dhe me ata serbë, bashkë me turmat e njerëzve që kërkonin liri e ndiqeshin nga policia serbe, në fotografitë e Rekës vijnë si dëshmi të kohës kur vuajtja dhe shpresa nuk i lëshonin rrugë njëra-tjetrës