EXPRESS

Muzika si fuqi protestuese

Kryefjala e natës së dytë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival” ishte figura e gruas. Me një program delikat, kontratenori i njohur iranian, Cameron Shahbazi, pianistja Sophia Eva Munoz dhe Eno Nushi në violonçel interpretuan para publikut në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare.

Lëvizja nga Irani “Woman, Life, Freedom” është krijuar për të ngritur zërin kundër padrejtësive dhe për të drejta të cilat shumëkush mund t’i marrë për të mirëqena. Duke e parë tërë këtë situatë të krijuar në vendlindjen e tij Shahbazi ka vendosur që ta shfrytëzojë mjetin më të fortë që e ka në dispozicion, muzikën, për të adresuar këtë çështje. I ftuar në Festival ai ka thënë se përveç urave të krijuara midis dy kulturave të ndryshme, një arsye tjetër prapa paraqitjes në Kosovë është edhe ngjashmëria midis historive të dy shteteve.

“Arsyeja pse kam pasur dëshirë të vij në Kosovë dhe se përse kam qenë shumë i kënaqur që Rama më ka ftuar është se në fakt ka disa ngjashmëri midis historisë së Kosovës dhe asaj se çfarë është duke ndodhur në Iran. Kështu që mendova që mund të jetë shumë mirë që të krijojmë një urë në mes kulturës sime dhe tuajës dhe njerëzve në përgjithësi”.

Tema e edicionit të tretë të “Rame Lahaj international opera festival” është “Opera për Liri” dhe kjo i shkoi edhe më përshtati programit dhe mbrëmjes të së martës. Kontratenori nga Irani ka thënë se nuk do të duhej të ngritët zëri për të drejta bazike, mirëpo kur duhet, muzika është mënyra më e mirë nëpërmjet së cilës mesazhi arrin edhe në skutat më të thella të shoqërisë.

“Tema e këtij program e cila i përshtatet shumë edhe temës së festivalit ‘Opera për Liri’ kështu që unë dhe Sofia jemi këtu për të përfaqësuar lëvizjen ‘Women, Life Freedom’ e cila në fakt është një revolucion që po zë vend në Iran. Shumë vjet me radhë janë bërë përpjekje për ta tejkaluar tiraninë dhe surpresionin dhe më pak se një vit më parë një vajzë u vra e që prej atëherë po protestohet për liri, barazi dhe të drejta bazike të cilat shumë prej nesh i marrim si të mirëqena”.

Pjesë e programit ishte edhe kënga “Black is the color of my true love’s hair”. Shabazi ka theksuar se kënga e interpretuar prej shumë artistëve ndër ta edhe këngëtarja e famshme, Nina Simone, është homazh për të gjitha gratë, edhe pse nuk është kompozuar me ndonjë mesazh specifik.

“’Black is the color of my true live’s hair’ është një këngë e cila ka ekzistuar që moti dhe nuk është e kompozuar me një ide specifike në mendje por për mua është shembulli perfekt se si muzika dhe teksti evoluon me kalimin e kohës dhe mund të marr më vete kontekste të ndryshme. Për mua ‘Black is the color of my true love’s hair‘ është homazh për gratë”.

Gjatë gjithë mbrëmjes, artistin iranian e shoqëroi me piano, Sophia Eva Munoz. Ajo është shprehur mirënjohëse për publikun dhe mikpritjen që e ka gjetur në Kosovë. Derisa programin nuk e ka vlerësuar si të lehë, secili i pranishëm ka thënë se e ka bërë më të mundur interpretimin për më shumë se një orë e gjysmë.

“Fillimisht më duhet ta theksoj se jam shumë falënderuese për secilin që erdhi sot dhe dëgjoi një program që nuk është edhe aq i lehtë të interpretohet. Patëm edhe shumë video për të zgjuar vëmendjen se çka është duke ndodhur në Iran dhe si i përafrohet asaj se çka ka ndodhur në Kosovë në vitet ’90. Unë dhe Cameron jemi shumë mirënjohës për secilin që ishte bashkë me në këtë rrugëtim sonte bashkë me ne”.

Koordinatorja për programin artistik në Festival, Ulpiana Aliaj, ka thënë se reagimi i publikut i cili ktheu treshen në skenë disa herë me duartrokitje, ishte përgjigjja më e mirë për rezultatin e mbrëmjes.

“Unë besoj që duke nisur nga përshtypja ime emocionale edhe personale sigurisht do ta nisja me këtë, sepse besoj që i gjithë reagimi i publikut që ndodhi sot në një gjithë përfshirje emocionale të tillë, pati mundësi të prek vërtetë nga afër atë që unë deri dje e kam propaganduar në media. Mendoj me shumë të drejtë jo vetëm se ky koncert solli një mesazh të rëndësishëm, por besoj se ky koncert solli një botë të tërë brenda dhe na bëri që të gjithëve që të reflektonim kundrejt çfarëdolloj gjesti që ne e bëjmë çdo ditë ndaj femrën, ndaj motrës, ndaj vajzës”.

Programi ishte i përbërë nga 10 këngë ndërmjet të cilave u shfaqën video ku u shpalosën rrëfime prekëse dhe mesazhe të fuqishme që çojnë në rrugë drejt reflektimit. Në fund të mbrëmjes, Shahbazi e ftoi tenorin Ramë Lahaj në skenë dhe bashkë interpretuan këngën e njohur shqipe “Hapi sytë e zezë”, e cila u prit me duartrokitje frenetike.