Tingujt e instrumenteve të tunxhit, të dielën kanë bërë hapjen e “Javës së Frankofonisë”. Ansambli “Prishtina Brass” solli një udhëtim nëpër periudha të ndryshme muzikore.
E edicioni i 21-të i “Javës së Frankofonisë” në Kosovë paralajmëroi një javë me program të pasur me koncerte, filma, ekspozita, punëtori e gastronomi.
Për “Prishtina Brass”, muzika ka fuqi që të ndihmojë njerëzit në çdo situatë. Një mundësi për të tejkaluar më lehtë zymtësinë që ka krijuar pandemia.
Kjo është arsyeja e parë përse pesë anëtarët janë bërë pjesë e këtij edicioni.
Arsyeja e dytë është se “Prishtina Brass” beson se muzika është një gjuhë universale që bashkon njerëzit pavarësisht dallimeve të tyre.
Edicioni i sivjetmë, për shkak të pandemisë, ka gërshetuar formatin online brenda vetes. Kjo javë e frankofonisë do të mbahet nga 21 deri më 26 mars.
Nën temën “Atmosfera...”, edhe këtë vit organizimi ka për qëllim promovimin e gjuhës frënge, vlerave demokratike e po ashtu mbështetjen e diversitetit gjuhësor dhe kulturor.
“Tema është atmosferë, pasi që në kohën që po jetojmë gjithmonë flasim për atmosferën brenda dhe jashtë. Pandemia na ka bërë që të rrethohemi me atmosfera të ndryshme për çdo ditë. Gjatë një jave edhe ne do të sjellim shumë atmosfera, franceze, zvicerane, belge e kosovare. Pra, është një mënyrë për t’i thënë shoqërisë kosovare mirë se erdhe në ‘Javën e Frankofonisë Kosovare’”, ka thënë Donato Giulianin, këshilltar për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore në Ambasadën e Francës në Kosovë.
Mbrëmja e së dielës u përmbyll me filmin “Le Chant du loup” që ka në qendër një detar të ri i cili ka aftësi unike për të deshifruar tingujt. Kur nëndetësja ku gjendet edhe ai sulmohet, fati i shumë njerëzve varet nga aftësia e tij.
Kastriot Sadiku, mësimdhënës i gjuhës frënge ka thënë se aktivitetet e tilla shërbejnë për të krijuar lidhje në mes të frankofolësve, por jo vetëm.
E dita e hënë u përmblodh me punëtori që patën në fokus kinematografinë në Kosovës, festivalet dhe teatrot.