EXPRESS

Edicioni historik i Festivalit të Këngës në RTK

Edicioni historik i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës me tri net magjike hapi një kapitull të ri në skenën artistike muzikore. Është cilësuar festë për muzikën shqipe, për dikë edhe vazhdimësi e “Akordeve të Kosovës” përderisa organizatorët e shohin ndryshe.

“Oj Kosovë” e kantautorit Arbër Salihu, i njohur si La Fazani, ka marrë çmimin kryesor.

Vargjet e këngës janë kritikë e autokritikë: për shtetin, shoqërinë e për vetë artistin. Efektet negative mbulohen me ngjyra folklori.

La Fazani pjesëmarrjen në Festival e ka konsideruar historike. Ka thënë se nëpërmjet krijimit artistik të tij ka dashur të përçojë mesazhe.

“Për mua nuk ka qenë më rëndësi të shkoj në ‘Eurovision’, ka qenë me rëndësi të marr pjesë në këtë festival. As të fitoj nuk ka qenë me rëndësi. Kam dashur veç të kontribuoj, të sjell një frymim që është stili im që e kam kultivuar” + “Dashuria e sinqertë është aty, por definitivisht edhe kritikë ka aty sa të duash për gjendjen tonë si shoqëri”.

Çmimin e dytë e ka marrë artistja Angus Dei me këngën “Një zemër për dy”, ndërsa të tretin Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”. Gjithashtu u nda Çmimi i Orkestrës, të cilin e mori Saranda Alija për këngën “Mendoj ku je”.

Këngët janë vlerësuar nga juria e përbërë nga këngëtarja Alma Bektashi, artistja Zake Prelvukaj, kantautori Alban Nimani, kompozitori Adrian Hila dhe këngëtarja suedeze Ulja Sjostrëm.

Ngjarja historike nga organizatorët e artdashësit është vlerësuar festë për këngën e mirëfilltë shqipe. Tentativë për të nisur një kapitull të ri dhe së paku për tri net imazhi qe shkëlqyes, ani pse fsheh realitetin e zymtë, nisur prej sallës së djegur ku është mbajtur në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.

“Ky festival duhet të jetë festë, edhe ishte festë. Në fund fitoi La Fazani, prapë ishte festë. Këtë vit me të vërtetë nuk ka pasur rëndësi fitorja e njërit apo tjetrit, mendoj se me të vërtetë ka qenë festë për komunitetin artistik dhe për krejt vendin tonë”, deklaroi Boshnjaku.

Tema e “Akordeve të Kosovës” futet në lojë, ngase për shumë vjet pati zotime e premtime për rikthimin e një ngjarjeje të tillë dhe Festivali jo rrallë është konsideruar si konkretizim i nismave si këto. “Akordet e Kosovës” ka qenë njëri prej festivaleve më të shquara në Kosovë që rrugëtimin e nisi në vitin 1963. Vitet ‘90 ishin kohë sfidash për ngjarjen që përkundër tentativave për ta mbajtur në nivel, më 1995 u ndërpre.

Boshnjaku ka thënë se tradita muzikore shqiptare nuk ka filluar me Festivalin e Këngës.

“Ne kemi traditë të jashtëzakonshme muzikore. Pa diskutim se kjo traditë ka qenë thjesht e ndërprerë dhe është duke vazhduar. Normalisht në një format tjetër dhe në mënyrë tjetër, me trende të reja muzikore”.

Përcjellja me muzikë origjinale nga Orkestra e Festivalit të Këngës ka luajtur gjithashtu rol kyç në prezantimin e këngëve. Alfred Kaçinari, Edon Ramadani dhe Valton Beqiri kanë qenë drejtuesit e Orkestrës për tri net.

Ndërlidhje me festivalin e dikurshëm ka bërë edhe dirigjenti e orkestruesi Edon Ramadani.

“Pas një shkëputjeje shumëvjeçare që prej ndaljes së funksionuari të ‘Akordeve të Kosovës’ diku në vitet ’90, për shkak të represionit. Nuk ishte e lehtë të rikthehej në skenë një festival i tillë duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një formacion goxha të madh orkestral, këngëtarët duket të këndojnë drejtpërdrejt”.

Sipas kompozitorit e orkestruesit Valton Beqirit, Festivali i Këngës është shembull se si duhet të ketë organizime të ngjashme në të ardhmen.

“Mendoj se ky festival ka mbërritur të ketë laramani të stileve, kjo vlen për orkestruesit, këngëtarët dhe kompozitorët. Në anën tjetër mendoj se ka qenë një test I kaluar si duhet, pavarësisht që është një kurorëzim i një pune të gjatë të koncerteve që kemi pasur më ode. Fatmirësisht më në fund është vendosur të investohet më shumë edhe për nga aspekti material në mënyrë që të kemi një kualitet të tillë dhe të kemi nivel më të lartë edhe për nga aspekti teknik”.

Profesoresha e muzikës, Lejla Pula, e cila si fëmijë ishte pjesëmarrëse e festivalit “Akordet e Kosovës”, ka thënë se në Festivalin e Këngës pati këngë të bukura e më moderne.

“Vërtetë është festivali i parë i këngës pas luftës, por unë jam rritur me ‘Akordet e Kosovës’ dhe mund të them se vërtet kultivimi i vlerave të këngës së mirëfilltë është me rëndësi të jashtëzakonshme”.

Ndonëse publiku e muzikantët e kanë ndërlidhur Festivalin e Këngës me “Akordet e Kosovës”, drejtori i përgjithshëm i Festivalit të Këngës, Adrian Krasta, i ka distancuar dy ngjarjet. Ka thënë se “Akordet...” ka qenë aktivitet në kontekst jugosllav, ku shprehja nëpërmjet këngës ka qenë e kufizuar.

“Për ata që e kanë qejf historinë dhe faktin – që është një informacion i verifikueshëm – ‘Akordet e Kosovës’ edhe pse ka qenë një aktivitet shumë i rëndësishëm për zërin shqiptar, ka qenë një aktivitet në kontekstin jugosllav. Domethënë, Jugosllavia politike dhe artistike kishte krijuar nëpër pole të ndryshme një aktivitet. Por shqiptarët në atë kohë nuk ishin të lirë të bënin atë që donin. Presioni ka qenë aty. Ne jemi në një Kosovë tjetër, nuk jemi në një Kosovë jugosllave, jemi në një Kosovë kosovare. Një Kosovë e të gjitha nacionaliteteve, multietnike, por në një Kosovë të pavarur”.

Kanë qenë të 18 këngët konkurrente që publikut e jurisë u janë prezantuar në dy netët e para. Prej tyre dhjetë u zgjodhën finalistet e edicionit të parë, të cilat interpretuan në natën finale. Në finale ka qenë edhe Neki Emra me “Heroi im”

“Kënga thirret ‘Heroi im’, një këngë që ia kam dedikuar një njeriu, falë të cilit unë jam ku jam. Ai është një dirigjent, profesor i muzikës, kompozitor. Është një njeri i jashtëzakonshëm, është babai im. Ka qenë një prej këngëve të mia të kompozuara dhe të shkruara, ndoshta më emocionale dhe për shijen time, prej më të mirave në karrierën time”.

Në shkurt të këtij viti nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit, Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Sivjet janë dhënë 300 mijë euro që kanë shkuar për Festivalin, ani pse në Memorandum përmendet edhe themelimi i një kanali televiziv për art dhe kulturë.

Në natën finale, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po planifikohet rivitalizimi i gjithë Pallatit të Rinisë.

“Ne jemi duke bërë fizibilitetin e gjithë hapësirës, i kemi bërë analizat me arkitektin e qytetit dhe e kemi tash një program të ri, me partneritet publiko-privat që ta rivitalizojmë gjithë Pallatin e Rinisë. Kjo tregon se nëse ne duam të bëjmë punë, mund ta bëjmë. Nuk ka kurrfarë arsye të mos i rivitalizojmë gjithë këto ikona, sidomos ikonat e kryeqytetin. Duke filluar me Pallatin e mrekullueshëm të Rinisë”.

Edicioni i parë i Festivalit u organizua pa anëtarësimin e Radiotelevizionit të Kosovës në Unionin e Transmetuesve Evropianë (EBU), që i mundëson Kosovës pjesëmarrjen në Garën Evropiane të Këngës. Megjithatë, një prej synimeve të saj është t’i lidhë artistët vendorë me skenën e këngës evropiane. Me Festivalin e Këngës, një shteg tashmë është hapur.