Në historinë më të re të Kosovës, shtëpitë-shkolla kanë një kapitull të veçantë, e ajo e Herticëve në Prishtinë është më e shquara. U shndërrua në simbol të rezistencës në kohën kur shqiptarët u përjashtuan prej objekteve arsimore dhe jo vetëm, krijuan sistemin paralel, mbijetuan. Ka disa vjet që shtëpia-shkollë e Herticëve mbrohet si monument, po aq institucionet premtojnë ta bëjnë muze e gjurmët autentike i humbin përditë.
Por studentët në Departament të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë në UP të prirë prej profesoreshës së tyre, Blerta Mustafa, udhëheqëse e Departamentit, kanë bërë një punë që s’e lejon t’i zbehet historia. Të martën është lansuar ueb-faqja për këtë shtëpi-shkollë, një adresë që ruan e promovon historinë jo vetëm të objektit, kujtimet për të e brenda tij. Aty prej vitit 1992 deri më 1999 kryen shkollën hiç më pak se 1 mijë e 500 nxënës. Mehmet Aliu-Hertica do t’u ofronte nxënësve dhe stafit të gjimnazit “Sami Frashëri” shtëpinë e tij ende të pabanuar, në mënyrë që nxënësit të vazhdonin shkollimin.
Histori të tilla pasurojnë adresën e monumentit që u nismua me qëllim që gjeneratat e reja dhe secili që e viziton faqen të informohet për sistemin paralel të viteve ’90.
Udhëheqësja e Departamentit, Blerta Mustafa, në ngjarjen që ka shënuar lasnimin e faqes, ka thënë se një projekt si ky është mision.
“Studentët e vitit të tretë e kanë nisur një mision shumë të rëndësishëm për t’i informuar dhe kujtuar gjeneratat e ardhshme për sakrificat e bëra gjatë konfliktit të viteve ’90, sigurisht krejt kjo në mbështetje të sistemit arsimor. Projekti i tyre për shtëpinë-shkollë të Herticëve na kujton të gjithëve se edukimi nuk është thjesht një privilegj, por një dëshmi e qëndresës, kurajës e guximit të atyre që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtën për të mësuar”.
Qerim Qerimi, rektor i universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka kujtuar se ka qenë nxënës në shtëpi-shkollë. Rrugëtimin e tij akademik deri në Harvard e ka quajtur si indikator që ndjekjen e dijes dhe lirisë nuk mund ta ndalë gjë.
“Për shtëpinë shkollë të Herticëve, unë jam prej atyre që ka ndjekur mësimet në shkolla private. Një vit klasa ime në shkollë të mesme ka qenë një garazhe, e vitin tjetër në një bodrum. E tutje pata fatin që ta vazhdoj edukimin në Holandë e Shtete të Bashkuara. Ju lutem mos ndaloni dhe bëni krejt çfarë keni dëshirë dhe gjithçka që e keni aspiratë”.
Tolga Begoli, studente e vitit të tretë në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, njëherësh pjesë e grupit që ka punuar në këtë projekt ka thënë se informatat që kanë pasur deri tash për shkollën e Herticëve janë vetëm sipërfaqësore. Ka theksuar se vetëm pas vizitës aty kanë arritur që ta mësojnë tërë historinë që ai objekt bart më vete.
“Kur profesoresha Blerta na e ka përmendur shtëpinë e Herticëve kemi qenë të mahnitur nga ajo histori. Në ditën që na caktuan të shkojmë atje dhe ta vizitojmë këtë vend, menduam se do t’i kalojmë disa minuta duke parë përreth e do të kthehemi, por nuk shkoi ashtu. Kaluam orë të tëra atje duke dëgjuar rrëfimet që i theksojnë emocionet që njerëzit kanë ndier në atë kohë”.
Falënderuese për këtë projekt është shprehur Azemine Aliu, vajza e pronarit të shtëpisë-shkollë të Herticëve. Ka thënë se nisma të tilla e mbajnë gjallë kontributin e familjes së saj. Thotë se është lënë anash nga institucionet.
“I falënderoj për punën që këta studentë e kanë bërë dhe interesimin që e kanë shprehur për shtëpinë-shkollë. Kjo është një shtytje për familjen tonë edhe për historinë e shtëpisë-shkollë, e cila deri më sot është në mungesë të përkrahjes, sepse po bëhen 23 vjet edhe shtëpia-shkollë e Herticëve është në mjerim. Me iniciativa të tilla unë po e shoh një dritë në fund të tunelit dhe po shpresoj që kjo shtëpi-shkollë një ditë të shndërrohet në muze”.
Pas lasnimit të faqes për shkollën e Herticëve, të pranishmit dolën në hollin e Fakultetit për t’i parë posterët me rezultatet e hulumtime nga studentët e vitit të katërt. Me temën “Integriteti Akademik” kanë sjellë hulumtime për çështje të ndryshme që i prekin ata drejtpërdrejt, si: plagjiatura, kopjimi, inteligjenca artificiale e marrëdhëniet me profesorë.
Studentja e vitit të katërt në Gjuhë e Letërsi Angleze, Lirije Kastrati, e ka treguar procesin e gjetjes së të dhënave.
“Me këtë hulumtim ka kohë që po merremi. Fillimisht jemi fokusuar tek integriteti akademik, pastaj e kemi ndarë në copëza ku për shembull ne e kemi marrë për detyrë t’i gjejmë arsyen të cilat i shtyjnë studentët që të bëjnë plagjiaturë”.
Sipas udhëheqëses së Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Blerta Mustafa dhe dekanes së Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, këto dy ngjarje kanë rrumbullakuar vitin akademik.