“Motrat tona” s’është vetëm ekspozitë e performancë. As elementet e saj s’janë vetëm vepra arti. Në tërësi është urgjencë për fatin e vajzës e gruas. Pasqyrim i dhunës e vrasjes me të cilën shikuesi përballet e sfidohet. Bazuar në veprën e parë realiste shqiptare realizuar fiks 140 vjet më parë – ikoniken “Motra Tone” të Kolë Idromenos – ekspozita e artistes Ms.Indefinite sjell prapaskenat e ngjarjeve të trishta. Është thirrje për ndërgjegjësim dhe një lloj eksperimenti se sa kanë rol veprimet e secilit.
Prej krejt veprave, janë dy instalacione që e vënë secilin në pozicion tjetër. Dy pasqyra të varura në mur të vendosura në korniza të fotografisë me qirinjtë e ndezur sfidojnë dhe e vënë në mëdyshje fatin e vështruesve.
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës vepra jehon që në hyrje. Audio- instalacioni i artistes Saranda Sadikaj vjen poetik. Ajo e përcjell përjetimin e ekspozitës e performancës dhe e përforcon kuptimin e saj. Poezia është edhe formë e artit të Sadikajt.
“Poezia është njëra nga format e artit me të cilat unë realizoj artin tim performues. Tri të tjerat janë muzika, koreografia dhe aktrimi. Pjesa e poezisë, për t’u ndërlidhur me konceptin e ekspozitës ‘Motrat tona’ është përdorur veta e parë, veta e dytë dhe duke u kuptimësuar në motrat tona, vajzë, grua”.
Peërformanca ka qenë njohja e parë me artin e Ms. Indefinite në “Motrat tona”. Ajo është shfaqur shpejt. Kanë qenë pesë pasqyra në dysheme të cilat i ka marrë rend e rend dhe në to ka hedhur ngjyrë.
Anash saj ka qenë e projektuar në mur tabloja “Motra Tone” e Kolë Idromenos. Trëndafili është brusha e saj. Në paletën në formë prej zemre vendos pasqyrën. Nga një lule “të përgjakur” e ka vënë pranë secilës pasqyrë të pikturuar më të cilën bënte homazh për secilën.
Kanë qenë edhe simbolikat e paragjykimeve e patriarkatit prej simbolikave me të cilat ndërtohet komplet rrëfimi i performancës.
“Është pasqyrim i vrasjeve të grave, pasqyrim i femicidit, plagëve që femicidi dhe mentaliteti shtypës patriarkal që ushtron te gratë. Ngjyra e kuqe është simbolikë e gjakut, e cila, siç e patë edhe te performanca gjaku përdoret prej zemrës, sepse prej aty nis ndërlidhja emocionale dhe gjithçka ndihet shumë dhimbshëm prej zemrës”.
Janë pesë video-instalacione në të cilat ajo imiton dukjen e personazhit të kryeveprës shqiptare “Motra Tone”. Janë ekrane në korniza që i bëjnë ato edhe më artistike dhe zbërthejnë më të kuptueshëm konceptin e idenë e artistes. Qëllimi i punës së saj është sensibilizimi i publikut.
Tabloja “Motra Tone” e Kolë Idromenos konsiderohet si një prej kryeveprave të artit shqiptar. Idromeno portretizoi portretin e motrës së vet, Tones. Për afro një javë motra Tone, e veshur me kostumin kombëtar, pozoi në familjen e babait të saj dhe portreti më vonë qe përfunduar me sukses. Vepra tani ruhet në Muzeun e Louvreit në Paris.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës deri më 4 dhjetor.
Drejtoresha e këtij institucioni, Vjollca Aliu, ka thënë se mesazhi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kësisoj Muzeu e ka konsideruar me vlerë për t’u hapur në hapësirat e tij.
“Temat ndonjëherë më duken sfiduese për shkak të ekspozitave që ka, por në anën tjetër si shoqëri kemi edhe obligim t’u japim hapësirë artistëve, në këtë rast edhe Sarandës. Aq më tepër që kjo ekspozitë vjen në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës si koncept artistik gjithsesi. Meqë aktivizmin e saj e shpreh përmes artit, Këshilli profesional i Muzeut Kombëtar të Kosovës e ka miratuar si të tillë”.
Artistja Tefta Hajdarhoxhaj e ka vlerësuar ekspozitën si të qëlluar. Pos për mesazhin emocionues e ka ka vlerësuar edhe aspektin vizual të veprave.
“Për mua ka qenë origjinale siç ka qenë në pikturë. Është përshtatur edhe tash. Si në veshje, në qëndrim, në dukjen e Sarandës, përshtatjen e qafores dhe të gjitha elementeve të tjera që e bëjnë pikturën të gjallë tash”.
“Motrat tona” gërsheton kritikën dhe aktivizmin kundër dhunës dhe zbulon ekstremet që arrijnë nëpërmjet saj.