Tinguj të përditshëm kanë kapluar oborrin e asaj që është kthyer në “Rezidenca 17” në kryeqytet. Nëpërmjet ekspozitës së artit tingullor është provuar fuqia e tyre. Ka rezultuar në udhëtime imagjinare nëpër horizonte që nuk njohin kufij. Botë më vete ka qenë secila hapësirë përreth gjashtë trungjeve ku kanë qenë të vendosur veprat e gjashtë artistëve të rinj.
Secila gjurmon tingujt artistikë që i japin hapësirë publikut të eksplorojë në artin relativisht të ri në skenën vendore artistike. Prapaskenë e rezultateve të ekspozitës, që më pas ka rezultuar edhe me koncert, ka qenë punëtoria “Explore Sound Art and Installation”, që u mbajt prej 8 deri më 14 shtator. Një prej qëllimeve të nismës ka qenë njohja e publikut me këtë lloj arti.
Udhëheqësi i saj, kompozitori e ligjëruesi Liburn Jupolli, ka thënë se pjesëmarrësit kanë mësuar për platformat e audios për koncepte e metodologji të muzikës elektroakustike. Për të, ekspozita e hapur të mërkurën pasdite ka qenë një prej të parave të këtij lloji.
“Mund të them se është një prej ekspozitave të para të dedikuara për art tingullor. Natyrisht ka pasur elemente të artit tingullor edhe më herët, ka pasur vepra të ekspozuara brenda ekspozitave vizuale në përgjithësi, mirëpo një ekspozitë e dedikuar vetëm për art tingullor kjo mund të jetë një prej fillesave të para. Unë jam shumë i interesuar ta shtyj përpara këtë punë më tutje, siç janë edhe studentët dhe pjesëmarrësit sot në koncert”.
Kreativiteti i kompozitorëve të rinj ka bërë që tingujt e përditshëm të vijnë në version të tillë që të ndihen më thellë. Kur manipulohen, shpesh perceptohen ndryshe apo shkojnë aq larg sa krijojnë ngjarje abstrakte. E tillë ka qenë vepra “Abstrakt” e Fjolla Gashit, që tingujt e zakonshëm i deformon deri në atë pikë që vështirë dallohet burimi i tyre.
Gashi ka thënë se ky lloj arti i lë vend që përmes idesë imagjinare ta shëtisë publikun me artin e tingullit.
“Veprat, sidomos të muzikës elektroakustike janë shumë interesante burimet e tingujve. Unë veprën time e kam quajtur ‘Abstrakt’ dhe si koncept themelor e kam pasur krijimin e një ideje imagjinative. Për shembull kur ne jemi vetëm, mendja me fuqinë e saj na udhëton në vende të ndryshme, mendojmë gjëra të ndryshme. Të gjitha këto ide janë thjeshtë imagjinative. Të gjitha burimet e tingujve për këtë vepër janë burime konkrete të cilat ne i shohim, i prekim”.
Disa prej veprave vijnë më natyrshëm kur tingujt janë më dallues, porse kombinimi mes tyre krijon melodi unike. Veçmas kur atmosfera e ambientit bëhet një me to dhe sikur u shton efekte veprave.
Dea Ahma sjell botën pak të eksploruar nënujore me veprën “Underwater”. Qetësia e detit dhe errësira në thellësinë e tij deri në atë pikë sa mungon sensi mes ditës dhe natës, janë prej ndjesive që sjell.
“Vepra kryesisht është inspiruar në akustikën e ujit apo siç njihet ndryshe hidroakustika. Duke qenë se ne jemi banues të tokës dhe një mjedis i tillë për ne mund të jetë supozim për ne se si mund të tingëllojë. Unë me imagjinatën time jam munduar që përmes tinguj që kam incizuar në tokë në fakt, si tinguj të natyrës, tinguj të vetëkrijuar prej metali, qelqi, me ndihmën e programeve softuerike t’i modifikojmë në atë formë që të japin atmosferën e tingujve të ujit”.
Vepra “What ends why and why ends what” e Fitim Hazirit është përcjellë me goditje të njëpasnjëshme të lehta dhe shpesh më të zëshme e të papritura. Arjona Aliu në veprën e saj “Everyday” ka përfshirë tingujt të përditshëm, të cilëve u ka shtuar sensin e ndjenjës së tyre.
Me “Garden”, Antonio Junçaj ka zbuluar muzikën elektroakustike që burim ka botën e gjallë në natyrë e tingujt që krijohen prej bimëve. Vepra e patitulluar e Kreshnik Arifit krijon situata tensioni me zhvillimet në komunikacion, prej të cilave esenca e jetës mund të vihet në pikëpyetje.
Mozaiku i krejt ekspozitës është bërë bashkë në koncertin elektroakustik me autorët e veprave që të mërkurën në oborrin e ish-shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sylejmani janë prezantuar si “Liburn Jupolli Ensambe”. Të udhëhequr nga mentori i tyre Liburn Jupolli, gjashtë interpretuesit, të cilëve iu bashkua edhe Galdon Reçica në kitarë krijuan një lloj orkestre të muzikës elektroakustike.
Punëtoria si rrjedhojë rezultoi me dy vepra të kompozuara të këtij lloji të muzikës, që u prezantuan për herë të parë. “Synth Etude #1” dhe “Cobracrobatic” për shtatë laptopë, muzikë elektronike dhe efekte ka zhvilluar ngjarje prej më të ndryshmeve duke e zhvendosur nga një kënd në tjetrin. Krejt bashkë kanë kulmuar shpesh e duke zhvilluar kontrastet e situatave të qeta e dramatike. Artin e tij tingullor Jupolli e ka eksploruar për publikun me interpretimin e veprave të tij origjinale, në njërën prej të cilave, atë me titull “Golden Horizonts”, magji hodhi Zana Abazi me tinguj flaute.
Aktiviteti është mbajtur në kuadër të programit të fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.