Janë karaktere fëmijësh të zhytur në lojërat e tyre. Por është lufta ajo që u futet në mes duke ua ndarë jetën në dy etapa. Shfaqja “Kopshti i hijeve” kthen në skenë teatri rastin e familjeve Bogujevci dhe Duriqi, që në mars 1999 humbën 14 anëtarë të familjes. Forcat serbe në atë rast nuk kishin kursyer civilët, përfshirë edhe fëmijët.
Por shfaqja me aurore Sara Hehir nga Britania dhe regjisoren Nastazmhja Domaracka me prejardhje polake nuk e sjell historinë si kronologji. Nëpërmjet një adaptimi teatror karakteret bartin historinë e familjes Bogujevci bashkë me krejt traumat e tyre. Paraqitet se si fëmijët e mbijetuar dërgohen në Britani të Madhe për trajtim dhe bëhen fëmijët e parë që dëshmojnë për krime lufte. Bombardimet e NATO-s, masakra, rehabilitimi, dëshmia para gjykatës vijnë si mozaik larg patetizmave e riinskenimit të përpiktë të ngjarjes duke e bërë historinë të kapshme për krejt gjeneratat.
“Ne duhet të jetojmë dhe të tregojmë storiet tona. Storiet e familjeve në luftë janë treguar duke parë ushtarë. Por historia e familjes Bogujevci është histori e kërkimit të drejtësisë, një histori për të vërtetën dhe dashurinë e familjes. Struktura e shfaqjes nuk është lineare. Ne tregojmë shumëçka. Memoria, dashuria e të tjerat nuk shkojnë vetëm në një drejtim”, deklaroi Hehir.
Për regjisoren e shfaqjes – e cila ka realizuar edhe të tjera shfaqje në Kosovë – qëllimi ka qenë që karakteret të mos jenë ato që bartin personazhe të familjes.
“Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të mos jetë një rishfaqje e traumave e masakrës që ka ndodhur por të jetë më shumë një adaptim teatror i asaj që ka ndodhur dhe luftës. Ideja ka qenë që të ketë një ndërlidhje me audiencën dhe të krijohet ndjenja se ata nuk po shohin karakteret në skenë por po shin aktorë që po bartin një storje në këtë rast të familjes Bugujevci”.
Përballë skenës së Teatrit të Gjilanit kanë qenë edhe dy të mbijetuarat, Saranda e Jehona Bogujevci. Ato pas 24 vjetëve janë përballur me rrëfimin e tyre, por kësaj radhe prej një këndi tjetër.
Përtej një shfaqjeje të zakonshme, që shpesh inskenohen në teatrot vendore, “Kopshti i hijeve” i bën vend pak më ndryshe një prej historive më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë. Vjen si një dëshmi e adaptuar për të treguar histori. Aso historie që nëpërmjet teatrit ofron tjetër ndjeshmëri. E sidomos kur performanca është multimediale.