Historia dhe legjendat shqiptare që rrëfehen si një përrallë melodike vijnë të shtunën në Kohavision përmes koncertit “Zani” të Mentor Hazirit.
“Vajza e Vuthajve”, “Mara” e “Festa” janë vetëm disa prej këngëve të albumit të këngëtarit që u promovua në sheshin e qytetit të Ferizajt në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 150-vjetorin e qytetit.
Secila nga këngët e albumit i këndon një pjese të veçantë të historisë shqiptare dhe më së shumti “Zani” i Hazirit i këndon malësisë.
Haziri para publikut performoi bashkë me “Keli’s Band” nga Tirana në bashkëpunim më të cilët e ka sjellë albumin. Para se të fillonte interpretimin e këngëve të albumit, ai këndoi hitet “Diçka” e “Mundohem ta harroj”. Me këngët e reja vjen në një stil më ndryshe prej atij që e njeh publiku. Ka një tis elegant të etnos që thuret me pop.
Koncerti transmetohet të shtunën në KTV në orën 21:20.