EXPRESS

Projekti 200 mijë eurosh kthen punimet në lokalitetin antik

Pas katër vjetësh stagnim, lokalitetit arkeologjik të Dresnikut do t’i kthehen arkeologët dhe profesionistët e tjerë të trashëgimisë kulturore. Kjo është bërë e mundur nga mbështetja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Nëpërmjet Fondit të ambasadorit për trashëgimi kulturore, projekti “Ruajtja e Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut” është përkrahur me 150 mijë euro. Kurse Ministria e Kulturës për këtë projekt ka ndarë 51 mijë euro.

Sipas memorandumit të bashkëfinancimit të nënshkruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe ambasadori Jeffrey Hovenier, projekti do të zhvillohet prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025.

Ministri Çeku ka thënë se nëpërmjet këtij projekti do të zhvillohet dokumentimi, planet e menaxhimit dhe të konservimit të këtij lokaliteti.

Ministri Çeku, po ashtu, ka treguar se Qeveria është në proces të shpronësimit të këtij lokaliteti arkeologjik. Burime të KOHËS kanë treguar se shpronësimi ka qenë kusht i Ambasadës së SHBA-së për financim të punimeve në lokalitet.

Ambasadori Hovenier ka thënë se lokaliteti arkeologjik i Dresnikut paraqet një vlerë të madhe që duhet ruajtur e promovuar.

“Është një lokalitet që tregon historinë e pasur dhe diverse të Kosovës dhe nënvizon trashëgiminë multikulturore si një pjesë fascionuese e historisë së botës që është prezente në Ballkan dhe qeveritë kanë përgjegjësi ta ruajnë dhe ta dokumentojnë atë”.

Prej vitit 2012 deri më 2018, punimet e bëra nga Instituti Arkeologjik i Kosovës kanë nxjerrë në pah strukturat e një pallati luksoz që karakterizohej me mozaik shumëngjyrësh. Ky lokalitet i shekujve të parë të erës sonë llogaritet të jetë një prej pikave më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë me potencial të madh për turizmin në trashëgimi kulturore.

Kur është zbuluar, qe bërë atraksion i mediave botërore. Në projektin e ri, pos Institutit Arkeologjik të Kosovës, bashkëpunëtor do të jetë edhe fondacioni për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”.