Krijimtaria e tij letrare ka bërë që kultura shqipe të marrë tjetër dimension në botë. Ndërsa puna e tij për afirmimin e Kosovës në kohët më të vështira ka dhënë efekt të madh në sensibilizimin e botës perëndimore. Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, shkrimtari Ismail Kadare është pritur nga presidentja Vjosa Osmani. Duke pasur parasysh krejt kontriburin prej intelektuali, Osmani e ka dekoruar shkrimtarin shqiptar me urdhrin “Hasan Prishtina”
Kadare që është mysafir nderi i edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë, ka thënë se secili intelektual do të ndihej i nderuar në veremoni të tilla.
Pas Presidencës, shkrimtari 87-vjeçar, është pritur në Komunën e Prishtinës. Aty i është dhënë “Çelësi i Qytetit” duke e bërë qytetar nderi të Prishtinës.
Në hapje të edicionit të sivjetmë të Panairit Kadare kishte thënë se shpreson që shqiptarët t’i kthehen librit edhe më fort. Shkrimtari më i përkthyer shqiptar në Prishtinë ka sjell kompletin prej 7 vëllimesh të krijimtarisë së tij letrare prej 7 dekadash.