Ngjarja kulturore “Ura me tri harqe” ka bërë bashkë ish-studentet e studentë të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Sukseset e Blerta Bashollit me filmin “Zgjoi” dhe të Marigona Qekezit në fushën e muzikës klasike kanë qenë mesazhe frymëzimi për studentë që të vazhdojnë me pasionin e tyre. Vështirësitë e sfidat janë shpalosur nëpërmjet zbulimit të një pjese të prapaskenave në rrugëtimin e profesionin e tyre. Por, për të dyja kushtet e pamjaftueshme s’e determinojnë rrugën drejt sukseseve. Ka diçka përtej. Guximi e pasioni janë dy të parat në formulën e suksesit.
Në temën “Alumni të shquar” janë takuar regjisorja Basholli e studentët e Regjisë në Fakultetin e Arteve, derisa në formë virtuale u është bashkuar sopranoja e flautistja Marigona Qerkezi. Biseda e moderuar prej profesorit të skenarit në Artet Dramatike, Arian Krasniqi, ka shpalosur rrugëtimin profesional të emrave tashmë me nam në skenën ndërkombëtare të kinematografisë e të muzikës klasike. Ato e kanë konsideruar Fakultetin e Arteve si urë për suksesin e tyre.
Një prej qëllimeve të ngjarjes ka qenë t’u tregohet studentëve që është e mundur të depërtojnë edhe duke studiuar e vepruar në Kosovë.
Sopranoja Marigona Qerkezi e ka vlerësuar kohën e studimeve si periudhë intensive dhe produktive. Me vlerë të jashtëzakonshme janë për të kujtimet për hapat e parë.
“Fillimi jo çdoherë është i lehtë, mund ta ndiej këtë thënie pasi çdo moment i ka ato vështirësitë e tij, është diçka e re për çdokënd, ashtu ka qenë edhe për mua pa dallim, pavarësisht se kam pasur performanca si fëmijë. Kur ka ardhur momenti për debutimin tim në operë, ka qenë me të vërtetë një emocion shumë i veçantë. Pavarësisht se kemi një ‘minidyshim’ në një moment apo tjetrin, unë gjithmonë them mos hezitoni, hapeni një derë”.
Regjisorja e ligjëruesja në Fakultetin e Arteve, Blerta Basholli, ka shpalosur rrëfimin për prapaskenat e filmit “Zgjoi”, me të cilin shpërtheu në festivalet më të njohura botërore.
Derisa ka folur për idenë e filmit, ka treguar se kishte dashur të fuste pak momente gazmore në të, porse krejt kishte ndryshuar kur kishte takuar në realitet personazhin e rrëfimit e të filmit.
“Për shkak të shijes sime, kam dashur ta kem një qasje pak më satirike ndaj krejt atij serioziteti, por kur ia kam parë vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar, sfidat që i ka pasur, kur ia pashë karakterin, pashë se nuk ka vend në këtë film të merrem me qasje satirike ndaj këtij tregimi. Ka momente të pakta që të bëjnë të qeshësh, por në përgjithësi është dramë reale dhe vërtet si karakter është dashur të merrej qasja e duhur”.
Biseda me temën “Alumni të shquar” ka qenë veç një prej aktiviteteve që kanë shënuar ditën e fundit të manifestimit “Ura me tri harqe”, ngjarje e përbashkët mes Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe dy institucioneve homologe në Tiranë e Tetovë.
Gjatë dy ditëve, në kuadër të “Ura me tri harqe”, janë dhënë shfaqje, performanca e ekspozita, duke përfshirë aktivitete me vlerë artistike gjatë vitit akademik 2022/23. Gjithashtu janë shfaqur projekte filmike, si filma të metrazhit të shkurtër, dokumentarë e shfaqje teatrale. Aktiviteti është ngjarje lëvizëse mes tri qyteteve që këtë vit pati edicionin e 13-të në Prishtinë më 25 dhe 26 maj.