Kaherë është cilësuar yll në ngritje, shpejt edhe perfeksionist e gjenial në piano dhe 26-vjeçari Jakub Kuszlik s’e ka të vështirë ta dëshmojë këtë. I mjafton pianoja, salla nuk ka fort rëndësi. Recitali i tij në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kuadër të “Chopin Piano Fest” ka qenë një dëshmi e nivelit të tij me veprat e francezit Claude Debussy, gjermanit Johannes Brahms e polakut Frederic Chopin.
Muzikaliteti e virtuoziteti në lojë e prezantim nga polaku Jakub Kuszlik kanë qenë më se të veçanta në natën e shtatë të “Chopin Piano Festit”. Prejardhja e pianistit e programi me veprat e Frederic Chopint i janë përshtatur më së miri formatit të Festivalit. Me mjeshtëri ka interpretuar edhe vepra të Claude Debussy dhe Johannes Brahms.
Vetë rrëfimi muzikor me veprat botërore ka qenë i jashtëzakonshëm. Madhështisë i ka shtuar dozë interpretimi mjeshtëror i pianistit polak Jakub Kuslik.
Duartrokitje disaminutëshe e kanë pasuar përfundimin e koncertit e pianisti është kthyer disa herë për ta përshëndetur publikun. Jo një, por dy herë është kthyer në interpretim në shenjë falënderimi teksa ka zgjedhur veprat e Chopinit.
Kuszlik ka interpretuar në skena madhështore në botë, por koncerti i tij recital në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare i ka lënë përshtypje të paharruara.
“Nuk ka të bëjë çdoherë me skenën madhështore, ka të bëjë edhe me njerëzit. Ishin shumë mikpritës dhe po ndihem shumë rehat këtu. U kënaqa shumë duke luajtur për një audiencë kaq të mrekullueshme”
Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, është shprehur e lumtur dhe e mahnitur me interpretimin e pianistit polak.
“Jakub Kuszlik na ka dëshmuar vërtet jo vetëm muzikalitetin dhe virtuozitetin e tij, por edhe magnetizmin e madh që kishte për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesve. Perfeksionuar deri në rastet më të hollësishme të shtjellimit të materialeve muzikore”
Drejtoresha organizative, Besa Luzha, e ka vlerësuar brilante lojën e Kuszlik, ndonëse në moshë të re.
“Për vetë faktin që ka fituar gjithë ato çmime, ato gara, edhe koncerton në moshë kaq të re. Publiku u kënaq me lojën brilante, teknikën fantastike, emocion e interpretim fantastik, krejt çfarë kërkohet prej një pianisti dhe performance pianistike. Vërtet ishim të kënaqur që me këtë koncert po e përmbyllim ciklin për muajin maj në këtë sallë”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka qenë i pranishëm në koncert. Ka premtuar përkrahje të vazhdueshme për festivalin.
“Koncerti ishte fenomenal, një performancë fantastike e artistit të madh Jakub Kuszlik, shumë i ri në moshë, vetëm 26-vjeçar, mirëpo një gjeni i vërtetë që performonte vepra të gjenive të tjerë. Kemi nderin që e përkrahim këtë iniciativë dhe do të vazhdojmë ta përkrahim që të sjellin kësi njerëz gjenialë në kryeqytet”.
Koncertin e radhës “Chopin Piano Fest” e mban sonte me pianistin anglez Peter Donohoe dhe me Filharmoninë e Kosovës nën dirigjim të dirigjentit anglez Robert Guy në “KlanArena”.