Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Estilo de Vida

¿Cómo dañan los microplásticos al cuerpo? Un nuevo estudio revela un mecanismo preocupante.

Microplásticos

Shkencëtarët kanë zbuluar se grimcat mikroskopike mund të nxisin reaksione kimike në kontakt me ujin, duke krijuar molekula që dëmtojnë qelizat dhe shkaktojnë inflamacion. Megjithatë, nevojiten studime të tjera për të kuptuar plotësisht ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut, ka shkruar NBC News.

Gjatë dekadës së fundit, studiuesit kanë zbuluar mikroplastika në pjesë të ndryshme të trupit të njeriut, përfshirë mushkëritë dhe gjakun. 

Këto grimca të imëta janë lidhur me rreziqe të mundshme shëndetësore, përfshirë infarktin, sulmin në tru dhe sëmundjet inflamatore të zorrëve. Megjithatë, deri më tani nuk dihej qartë se si mund të shkaktonin dëme të tilla.

Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Nature, kur grimcat e vogla të plastikës bien në kontakt me ujin, ato mund të nxisin formimin e molekulave shumë reaktive, të njohura si radikale të lira. Në organizëm, këto molekula mund të shkaktojnë inflamacion, duke dëmtuar qelizat dhe proteinat.

Wei Min, profesor i kimisë në Universitetin Columbia dhe një nga autorët e studimit, i përshkroi mikroplastikat si “një fabrikë të vogël të përhershme” që prodhon radikale të lira.

Ai ka theksuar se trupi i njeriut përbëhet në masë të madhe nga uji, ndaj ky mekanizëm mund të ketë rëndësi në shumë pjesë të organizmit.

Për të testuar këtë hipotezë, studiuesit përdorën teknika mikroskopike për të vëzhguar reaksionet mes ujit dhe mikroplastikave. Më pas, ata i përzien grimcat me gjak nga minjtë në laborator.

“Qelizat e kuqe të gjakut dëmtohen. Edhe proteinat dhe qelizat pësojnë dëmtime”, shpjegoi Min, duke iu referuar rezultateve të eksperimenteve.

Pse grimcat e vogla janë më problematike?

Për një kohë të gjatë, plastika është konsideruar relativisht e qëndrueshme dhe pak reaktive nga pikëpamja kimike. Kjo është një nga arsyet pse përdoret gjerësisht në produkte të përditshme dhe mund të qëndrojë në mjedis për qindra vjet.

Por studimi sugjeron se, kur plastika copëtohet në grimca shumë të vogla, sipërfaqja e saj në kontakt me ujin rritet ndjeshëm, duke krijuar më shumë mundësi për reaksione kimike.

Graham Cooks, profesor i kimisë në Universitetin Purdue, i cili nuk mori pjesë në studim, e vlerësoi zbulimin si një lidhje të rëndësishme mes proceseve kimike dhe dëmeve biologjike të dyshuara.

“Është provë e drejtpërdrejtë se mikroplastikat kanë një rol të rëndësishëm në proceset biologjike, dhe ky rol nuk është i mirëpritur”, u shpreh ai.

A është provuar se mikroplastikat shkaktojnë sëmundje?

Jo plotësisht. Studiuesit paralajmërojnë se rezultatet nuk provojnë se ky mekanizëm është shkaku i drejtpërdrejtë i sëmundjeve që janë lidhur me mikroplastikat. Eksperimentet me gjakun e minjve tregojnë dëmtime biologjike në kushte laboratorike, por nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar se sa i madh është ky ndikim te njerëzit.

Mikroplastikat janë përhapur në të gjithë planetin, ato janë zbuluar nga zonat e larta të malit Everest deri në thellësitë më të mëdha të oqeaneve. Njerëzit mund t’i marrin përmes ushqimit, pijeve dhe ajrit që thithin.

Sipas studiuesve, përballja me këtë problem kërkon masa për të kufizuar ndotjen, për të parandaluar krijimin e grimcave të reja dhe për të zvogëluar ekspozimin e njerëzve ndaj produkteve të plastikës.