Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Kosovo celebra la derrota de Vučić, pero existe incertidumbre sobre la lista de estudiantes.

F

Festa në Beograd pasi Aleksandar Vuçiqi pranoi humbjen në zgjedhje

Foto: Prensa asociada

Pas më shumë se një dekade, Aleksandar Vuçiq nuk do të udhëheqë me Serbinë. Partia e tij, SNS, është mposhtur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga Lista Studentore. Pas këtij rezultati është shprehur pritshmëri për ndryshim të politikës së Beogradit zyrtar në raport me Kosovën

Humbja e partisë së Aleksandar Vuçiqit në zgjedhje, ka sjellë pritshmëri për ndryshime edhe në raportet me Kosovën. 

Përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe aktivistë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi e kanë mirëpritur rezultatin e zgjedhjeve të së dielës mbrëma. 

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e ka cilësuar si fitore historike rezultatin që prodhuan zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Sipas tij, ky zhvillim mund t'i hapë rrugë normalizimit të politikës serbe dhe të ndikojë edhe te subjektet politike serbe në Kosovë.

Rashiqi ka veçuar Listën Serbe, të cilën e ka cilësuar si mjet të Vuçiqit për të shantazhuar institucionet e Kosovës. Sipas ministrit që përfaqëson komunitetin serb në qeveri, ky subjekt duhet ta rishqyrtojë angazhimin e vet politik.

“Deri më tani, ata (Lista Serbe v.j.) kanë punuar dhe kanë vepruar ekskluzivisht sipas urdhrave, të cilët kanë ardhur qoftë nga Beogradi, qoftë nga Kopaoniku. Por, më së paku çka do të mund të presim, ose unë e kisha pasur dëshirë që ta shoh njëherë në karrierën e tyre politike, që nga aspekti moral që ta bëjnë një veprim i cili do të ishte, sipas meje, largimi nga politika. Kështu unë besoj që është normale, por, nuk kisha thënë që ata e kanë një nivel të ndërgjegje morale, që ta ofrojnë dorëheqjen”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar veprime nga pushteti i ri edhe sa i përket të akuzuarit për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiq.

“Mos të harrojmë që ai rasti i Banjskës, nuk është e vetmja problematikë me këtë person, por shumë çka ka sa i përket organizimit kriminal në Serbi. Prandaj, do të thosha që do të presim edhe disa ditë, dhe të këqyrim nëse do të veprohet në atë drejtim në momentin prezent, por në të ardhmen jam i sigurt që do të ketë aktivitete ose reagime, sa i përket këtë rastin e Radjoçiqit, ka thënë Rashiq.

Pritshmëri për ndryshim ka edhe te shqiptarët në Serbi. Zijush Ahmeti, aktivist për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e ka konsideruar pozitive humbjen e pushtetit nga partia e

Vuçiqit, por ka thënë se vlerësimi për qeverinë e re do të varet nga veprimet e saj.

“Gjatë kohës së udhëheqjes së tij dhe partisë së tij në pushtet, problemet vetëm sa janë shtuar dhe akumuluar. Natyrshëm rezulton pritja, apo një konkludim, se shkuarja e tij nga pushteti është një gjë që shihet në mënyrë pozitive. Por tani mbetemi në pritje të veprimeve dhe qasjes së qeverisë së ardhshme”, ka thënë Ahmeti.

Shqiptarët e Luginës, në parlamentin e Serbisë do të përfaqësohen me dy deputetë, një më shumë se në legjislaturën e kaluar. 

Mandatin e kanë fituar Shaip Kamberi dhe Visar Memeti.

Megjithatë sinjal të ndryshimit të qasjes ndaj Kosovës nuk janë dhënë në Listën e Studentëve deri më tash. Në një intervistë dhënë muajin e kaluar për BBC-në, Ilija Srdanoviq, i cili e ka udhëhequr Listën e Studentëve, ka thënë se qëndrimi i këtij subjekti për Kosovën përcaktohet me Kushtetutën e Serbisë.

“Qëndrimi i Listës Studentore ndaj Kosovës është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, se Kosova dhe Metohija janë pjesë integrale e vendit tonë”, pati thënë Srdanoviq.

Gazetarja në televizionin N1 të Beogradit, Sanja Sovrliq, e cila është nga Leposaviqi, ka thënë se pritshmëri për ndryshim pas humbjes së Vuçiqit kanë edhe serbët e Kosovës. 

Ajo pret që qeveria e re t’i vendosë interesat e qytetarëve para atyre politike, ndërsa nuk beson se Milan Radoiçiqi do t’i dorëzohet Kosovës, por pret që ai të ndiqet penalisht në Beograd.

“Ajo që kemi dëgjuar nga Lista e Studentëve është se ata synojnë të rivlerësojnë rrjedhën e negociatave deri më tani dhe të vënë interesat e serbëve në Kosovë në vend të parë. Do të shohim se si do të duket kjo në praktikë. Serbët e Kosovës gjithashtu kanë pritje të larta, pasi janë mbajtur në një pozicion të pafavorshëm për më shumë se një dekadë si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina. Edhe ata shpresojnë të jenë në gjendje të jetojnë me dinjitet”, ka thënë Sovrliq.

Ndërkohë, publicisti Veton Surroi, në një vështrim të tij të botuar të hënën, ka vlerësuar se Kosova nuk do të jetë prioritet i pushtetit të ri serb në fillim të mandatit, por qasja ndaj Milan Radoiçiqit do të jetë një tregues i orientimit të tij ndaj Kosovës.

“Marrëdhënia me Kosovën do ta ketë testin e parë pikërisht gjatë çmontimit të shtetit të kapur. Në çmontimin e shtetit të kapur dhe ndërlidhjes së tij me krimin e organizuar, në krye të përparësive do të dalin figura si Milan Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq, figura që ekzekutuan politikën e Vuçiqit në Kosovë. Sfida e parë e pushtetit të ri në marrëdhëniet me Kosovën mund të jetë nxjerrja e Milan Radoiçiqit para drejtësisë, përfshirë dorëzimin e tij autoriteteve të Kosovës për sulmin në Banjskë”, ka shkruar ndër të tjera.

Numërimi i votave në Serbi ende nuk ka përfunduar, mirëpo sipas projeksioneve të CRTA-s, organizatë që monitoron zgjedhjet, Lista e Studentëve ka fituar 52.45% të votave, e SNS-ja e Vuçiqit 39.2%. 

Bazuar në këto rezultate, Lista Studentore pritet të ketë 141 ulëse në Kuvend, kurse SNS-ja 103.